E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bulevardi, qytetarët pjesë e vendimit për projektin final”

Ai ka ftuar sot gjithë qytetarët e kryeqytetit të vizitojnë maketet e këtyre projekteve, të ekspozuara pranë Muzeut Kombëtar.

“Qytetarët mund të jenë pjesë e vendimit përfundimtar për projektin e zgjatimit të Bulevardit. Gjatë këtij procesi mund të kenë ndihmën e specialistëve të urbanistikës, por gjithashtu kanë mundësi të plotësojnë një formular ku të japin komentin e tyre për projektet”, tha Basha.

“DAR” dhe “Grimshaw” janë dy studiot finaliste për projektin e zgjatimit të Bulevardit “Zogu I” me një gjatësi 1.7 kilometra, si dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës me një gjatësi 6.7 kilometra.

Projekti i studios “DAR Group Turkey & United Kingdom” bën një detajim të historisë së zhvillimit të Tiranës, duke nisur prej vitit `57 si dhe një perspektive të rritjes së popullsisë deri në vitin 2020, ku mendohet se do të shkojë deri në 1 milion banorë. Në projektin e “DAR” një rëndësi të madhe i është dhënë infrastrukturës dhe gjelbërimit. 25 ekspertët që kanë punuar për këtë projekt shikojnë mundësitë për zgjerimin e qendrës në zonën e Tiranës së veriut. Bulevardi do të ketë dy parqe liqenorë. Ndërsa përsa i përket lumit ata e shohin si një mundësi më shumë për biznesin që të shtrihet përreth tij, duke i dhënë kësaj zone një përmasë ekonomike. Po ashtu kjo studio ka projektuar ngritjen e një kampusi universitar dhe të një muzeu në këtë zonë të Tiranës.

Ndërkohë, në projektin e prezantuar nga studio “Grimshaw Architects” parësore është rritja e standardit të rrugëve, duke e kthyer Tiranën në një qytet të ri me më shumë gjelbërim. Elementi dytësor janë institucionet publike, ndërtesat kryesore që janë edhe vendi ku fokusohen qytetarët. Lumit të Tiranës kjo studio i kushton rëndësi në çdo element, florës e faunës së tij, shndërrimin e tij në një lumë më të ri e të pastër, duke synuar që Tirana të jetë një vend tërheqës për turistët dhe banorët e saj. Një tjetër pikë e rëndësishme në këndvështrimin e studios “Grimshaw Architects” është lidhja mes asaj që është e re dhe asaj që është e vjetër, duke u fokusuar fillimisht në problematikat e secilës prej tyre. Po ashtu edhe ngritja e Pallatit të Drejtësisë dhe hapësirat që do zërë është një pikë me interes e këtij projekti. Tjetra është shtrirja deri në Paskuqan, një zonë bujqësore e kulturore, duke i dhënë asaj gjelbërim, ndërtesa të vogla dhe shndërrimin e saj në një qytet.
/Start/E.B/

                                                                                             2012-03-10 15:04
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›