E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia miraton masat e reja të kursimit

Parlamenti helen kaloi planin e ri të kursimit me 155 vota pro dhe 138 kundër. Propozimet për rritjen e taksave dhe shkurtimeve të shpenzimeve janë tepër të padëshiruara nga unionet e punëtorëve dhe populli grek.

Që prej mëngjesit të djeshëm ka filluar një grevë 48-orëshe, e cila vijimësisht ka degjeneruar në dhunë të rrugët e kryeqytetit grek.

Greqisë i ishte vënë kusht nga BE-ja dhe FMN-ja që të miratonte këtë paketë të re kursimesh nëse dëshironte të merrte këstin e radhës prej 12 miliardë eurosh të kredisë që i është akorduar (110 miliardë euro).  Parlamenti do të votojë përsëri ditën e nesërme për ndryshimin e një ligji në mënyrë që të lejohet implementimi i paketës së re të kursimeve.

Partia e Papandreut ka 155 deputetë në Parlamentin grek me 300 karrige. Vetëm njëri nga deputetët e partisë së kryeministrit votoi kundër planit për kursimin e 28 miliardëve nganë vitet e ardhshme, por Papandreu siguroi mbështetje po ashtu nga një deputet i opozitës.

Kryeministri Papandreu thekson se ky plan kursimi është rruga e vetme për ta kthyer Greqinë në këmbët e veta. “Ne duhet ta shmangim kolapsin në vend. Nuk është koha për të hedhur hapa prapa”, theksoi Papandreu para deputetëve.

Nëse plani i ri i kursimeve nuk do të ishte miratuar nga Parlamenti, Greqia brenda pak javësh do të kishte mbetur pa asnjë qindarkë dhe falimentimi do të ishte i pashmangshëm.

Teksa deputetët votonin për masat e reja të kursimit, jashtë parlamentit protestuesit përlesheshin me policinë. Më herët, protestuesit tentuan të mos lejonin deputetët të hynin në sallën e Parlamenti, raporton BBC-ja. Para votimit të sotëm, guvernatori i Bankës Qendrore të Greqisë, George Provopoulos, theksoi se votimi kundër do të ishte “vetëvrasje” për vendin.

Me miratimin e planit, zyrtarët evropianë do të fillojnë takimet për finalizimin e detajeve të paketës së dytë të ndihmave për të shpëtuar Greqinë, e cila pritet të arrijë në 120 miliardë dollarë.

/Start/Fatjon Prroni/

                                                                                             2011-06-29 15:19
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›