E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama ka marrë peng PS-në, por deputetët do hyjnë në parlament”

Ylli Manjani, një nga zërat kritikë në PSZërat kundër brenda Partisë Socialiste kritikojnë qëndrimin që po ndjek kreu i kësaj partie, në prag të tryezës së Presidentit të Republikës, ku opozita dhe pozita do të përpiqen të gjejnë gjuhën e përbashkët. “Një nga lëvizjet e 5-6 muajt e fundit, të drejtimit të Partisë Socialiste, vazhdon të jetë kaotike, e paqartë dhe përgjithësisht në panik, për shkak të politikës personale, të paqartë të zotit Rama. Drejtimi i Partisë Socialiste është i marrë peng nga disa interesa fare të vogla, fare të pa rëndësishme dhe fare të pa qenë, në raport me interesat e qytetarëve shqiptarë, të cilët presin të lëvizin të lirë në hapësirën “Schengen” të BE, brenda këtij viti”, u shpreh anëtari i Asamblesë së Partisë Socialiste, Ylli Manjani. Ai shprehet i sigurt për rikthimin e Partisë Socialiste në Parlament, pasi siç u shpreh, bojkoti është një vendim personal i kryesocialistit Edi Rama. “Askush në PS dhe jashtë saj nuk e di se çfarë ka ndodhur, pavarësisht se çfarë mendon zoti Rama, madje edhe këtë nuk e di deri në një farë mase as Edi Rama, besoj. Duam apo nuk duam ne, PS do hyjë në parlament, me apo pa zotin Rama. Kjo është një histori që nuk e ka në dorë zoti Rama, të urdhërojë apo aq më pak të ndëshkojë askënd. Ndarja që bëhet ndërmjet deputetëve dhe kandidatëve për deputetë është e padrejtë, sepse edhe kandidatët për deputetë janë të Partisë Socialiste gjithashtu. Nuk ka moral zoti Rama të përzërë socialistët”, deklaroi Manjani. Ashtu si edhe përfaqësues të të mendimit ndryshe në Partinë Socialiste, edhe Manjani thekson domosdoshmërinë e bashkimit të të gjithë zërave brenda së majtës. “E vetmja arsye që e bën Partinë Socialiste fituese në përplasjet e hershme, është bashkimi. Nëse Partia Socialiste shkon përsëri drejt përçarjes është e sigurt që do shkojë drejt katastrofës së radhës”, tha më tej ai. Për anëtarin e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Manjani, ai që duhet të ndëshkohet për thyerje rregullash është kryetari Edi Rama, i cili nuk u largua nga partia, pasi humbi zgjedhjet. Megjithatë, deputetët e Partisë Socialiste paralajmërojnë se grupi parlamentar i Partisë Socialiste, do jetë jashtë parlamentit edhe gjatë muajit shkurt, pasi në fillim të marsit, ata do t’i drejtohen sallës së Kuvendit, për të shpëtuar djegien e mandateve dhe njëherazi konfirmimin e linjës së tyre politike drejt integrimit të vendit në proceset euro-atlantike. Zërat brenda selisë rozë shprehen të sigurt se bojkoti do të thyhet brenda javës së parë të marsit, ndërsa konfirmohet qartë se vendimi personal i kryesocialistit në detyrë, Edvin Rama, do të shpërfillet masivisht nga grupi parlamentar socialist. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›