E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zgjidhja, vetëm nga qëndrimi individual i deputetëve, për t’i dhënë fund bojkotit”

Ministri i Shtetit Genc Pollo, apel deputetëve të PSKërkesa antikushtetuese e kryesocialistit Edi Rama, për të hapur kutitë, është një pretekst i tij për të tensionuar situatën. E parë në këtë këndvështrim, për ministrin e Shtetit, Genc Pollo, një nga zgjidhjet më të mundshme, për t’i dhënë fund këtij absurdi do të ishte qëndrimi individual i deputetëve socialistë, për t’ju bashkangjitur punimeve parlamentare. Këtë qëndrim ka mbajtur ministri Genc Pollo, gjatë një komunikimi për mediat. “Edi Rama nuk është i interesuar as për rezolutë, as për tryezë, as për zgjidhje. Unë zgjidhjen e shikoj tek mënyra se si do sillet grupi parlamentar, jo vetëm grupi parlamentar në tërësi si institucion, por tek çdo deputet i PS-së, nga ata 64 zonja e zotërinj, që janë zgjedhur nga vota e elektoratit. Dhe unë mendoj se ata duhet të marrin një vendim, gjithsecili duhet ta bëjë këtë. Duhet të marrin vendim nëse duan të kenë punë, të jenë pjesë e këtij Kuvendit, apo nëse nuk e duan. Kjo është diçka që ata duhet ta vendosin vetë, individualisht”, u shpreh Pollo. Ministri i Shtetit, shton se deputetët socialistë duhet të reflektojnë edhe pse janë nën presionin e kryetarit Edi Rama, pasi mandatet e fituara në zgjedhjet në 28 qershorit, nuk janë të përjetshme, por se ato ndërpriten pas 6 muajsh në rast bojkotimi të Kuvendit. “Dikush duhet ta shohë vetë dhe të marrë një vendim të qetë. Kuptohet që janë nën presion dhe nën prekje për tu shpëlarë trutë, nga Edi Rama, për ti bindur se nuk do ta humbasin mandatin, në një kohë kur kushtetuta është e qartë në këtë pikë”, theksoi Pollo, duke nënkuptuar djegien e mandateve të deputetëve socialistë dhe zëvendësimin e tyre sipas listës përkatëse në çdo qark.Pollo e sheh si të panegociueshme idenë e hedhur në tregun politik për një kompromis mes palëve, duke përcaktuar në tryezë përkatësinë e institucioneve si ajo e Presidentit, siç ndodhi pas zgjedhjeve të vitit 2001. Duke hequr një paralele të situatave, Pollo thotë se ato nuk kanë asnjë të përbashkët, pasi ndryshe nga zgjedhjet e fundit të cilat u pranuan ndërkombëtarisht dhe i plotësuan standardet, ato të 2001-shit, patën mangësi serioze, siç ishte fenomeni i “dushkut”. Më tej në vijim, ministri i Shtetit, iu referua edhe çështjes së regjistrimit të banesave dhe popullsisë, që për të parën herë do të ketë si kriter edhe përkatësinë fetare dhe etnike të qytetarëve. “Këtë e bën thuajse çdo vend i Bashkimit Evropian, vetëm ne s’e kemi bërë sepse ka pasur vërejtje për shkak të situatës jo të mirë që ka qenë në vitet ‘90-të, për shkak të merakut të ndryshimeve të huaja, të ndikimeve dhe paraqitjes jo reale të strukturës etnike në Shqipëri, por unë mendoj se këto vështirësi të viteve ’90-të, në Shqipërinë e 2011-të, nuk ekzistojë”, tha Pollo. Por, a do të regjistrohen emigrantët shqiptarë që jetojë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës? Lidhur me këtë aspekt, ministri i Shtetit, Genc Pollo, bëri me dije se regjistrimi bëhet vetëm brenda vendit, nuk ka të bëjë me emigrantët. Pollo thekson se është bërë progres i dukshëm porsa i përket shoqërisë së informacionit, dixhitalizimit, moshës së internetit etj....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›