E Diel, 1 Nëntor 2026

“Eposi i Kreshnikëve”, nis puna për dosjen në UNESCO

Sipas kryetarit të grupit të punës për dosjen Vaso Tole, tashmë janë përcaktuar afatet për institucionet që do të merren me plotësimin e dosjes dhe brenda muajit nëntor do të përfundojnë realizimet e para.

Tole, në një prononcim për mediat bën me dije se institucionet përgjegjësie do të jenë Qendra e Studimeve Albanologjike, që cila do të merret për plotësimin e draftit dhe hedhjen e informacionit të kërkuar; si dhe Arkivi i Filmit, që do të jetë përgjegjës për realizimin e një dokumentari prej 10 minutash. “Kjo është pjesë shumë e rëndësishme e dosjes ku përmes gjuhës filmike do të shpjegohet rëndësia e kësaj dukurie, por edhe shkaqet pse është e rrezikuar”, tha Tole.

Gjithashtu Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike do të merret me gjithë materialin tjetër audio dhe fotografik. “Dosja mund të quhet multimediale, ku kombinohet shkenca mbi dukurinë, materiale audio dhe video”, tha Vaso Tole.

“Eposi i Kreshnikëve” synohet të regjistrohet në një listë të UNECSO-s që quhet listë e trashëgimisë kulturore shpirtërore që ka nevojë për mbrojtje urgjente. Dosja që do të përmbajë shumë komponentë, do të ketë disa seksione njëra prej te cilave do të jetë pjesa e muzikës, një pjesë do të jetë teksti, por edhe pjesa e popullarizimit të dukurisë.

Sipas Toles, shqetësimi në lidhje me Eposin vjen pas rrallimit të këndimit me lahutë, harresës së vargjeve si dhe rrudhjes së mjeshtërisë së prodhimit të lahutave. Kalendari i aktiviteteve popullarizuese për “Eposin e Kreshnikëve” është një kusht i domosdoshëm për plotësimin e dosjes, si minifestivale, workshope, intervista etj.

Komitetit Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore  vendosi në mars të këtij viti t’i propozojë UNESCO-s që të marrë në mbrojtje “Eposin e Kreshnikëve”, ndërkohë që dosja duhet të plotësohet brenda afatit (shkurt 2012).
/Start/E.B/

                                                                                             2011-09-15 15:34
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›