E Shtunë, 31 Tetor 2026

“One Stop Shop” për licencat në Tiranë

Krijimi i “One Stop Shop” për lejet dhe licencat u parapri nga një reforme tërësore e procesit të licencimit në Tiranë, e cila çoi në reduktimin e barrierave administrative, uljen e kostos për biznesin dhe zvogëlimin e hapësirës për informalitet dhe korrupsion, duke përmirësuar ndjeshëm klimën për biznes në Tiranë.

  Sportelet e dedikuara për biznesin do të jenë të hapura gjatë gjithë javës dhe do të kryejnë procedurat e informimit për taksat dhe tarifat vendore, pagesat e detyrimeve, regjistrimin e biznesit si dhe pajisjen me leje e licence, që Bashkia e Tiranës lëshon në fushat përkatëse. 

Lejet dhe licencat që kërkohen për aktivitete të veçanta ekonomike që do të merren në vijim dhe procedurat e shqyrtimit të dokumentacionit do të zgjasin nga 7 deri në 10 ditë. Pas reduktimit të 60 taksave dhe tarifave vendore krijimi i sportelit unik për lejet dhe licencat është një hap tjetër i ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës për të përmirësuar klimën e biznesit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha shprehu edhe njëherë vendosmërin dhe angazhimin e tij për ta bërë Tiranën qytetin më miqësor për biznesin.

“Unë dua të shpreh vendosmërinë time dhe të Bashkisë së Tiranës, për një klimë miqësore për bizneset ekzistuese dhe ato të reja, për Tiranën, si një qytet që i ofron biznesit kushtet më të mira për zhvillim dhe diversifikim të mëtejshëm, për transparencë në shërbimet e dhëna dhe dialog të vazhdueshëm dhe real me komunitetin e biznesit, sepse kjo është rruga që do të garantojë rritje të qëndrueshme ekonomike dhe shanse më të mëdha për punësimin e qytetarëve të Tiranës dhe ky mbetet prioriteti më madhor i Bashkisë së Tiranës”, tha Basha.

Në ceremoninë e organizuar për fillimin e punës së qendrës së licencimit Tiranë ishin të pranishëm përfaqësuesja e IFC, kryetari i Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë, kryetari i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, përfaqësuesi i Bussines Albania etj. /Start/

                                                                                             2012-02-28 17:11
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›