“Uhlsport” lumë eurosh për këpucët e Kapllanit

Edmond Kapllani, sulmuesi 24-vjecar i Karlsurhes në Bundesligën gjermane dhe i Kombëtares Shqiptare po përjeton një vit të jashtëzakonshëm në planin personal. Tre gola në dy fitoret Luksemburgun 2-0 dhe 3-0, një në “Qemal Stafa” dhe dy në “Josy Barthel” të Luksemburgut; “Lojtari më i mirë i takimit” Luksemburg-Shqipëri i përzgjedhur nga siti zyrtar i UEFA-s; golashënuesi më i mirë i deritanishëm i Kombëtares shqiptare në fushatën kualifikuese Euro 2008 me 3 gola, kampion i Bundesliga 2 me Karlsruhen në Gjerman, golashënuesi i dytë më i mirë i ekipit të tij me 17 gola dhe fitues i “Këpucës së argjendtë”. I përhershëm në median sportive gjermane, ku në jo pak raste revista prestigjioze sportive gjermane “Kicker” i ka kushtuar edhe shkrime të posacme për të. Golashënuesi i shquar shqiptar di të fitojë zemrat e trajnerëve, si atij të Karlsruhes, Edmund Beker, por dhe dy trajnerëve të fundit të kombëtares shqiptare, gjermanit Hans Peter Brigel dhe kroatit Oto Baric. Tashmë i pjekur si një futbollist profesionist i kampionatit të katërt më të fortë në botë, Gjermanisë (Italia, Spanja, Anglia janë tri të parat), shqiptari ambicioz hodhi poshtë oferta të rëndëishme financiare si ajo e bërë nga klubi francez Racing Strasburg, që ngulmoi jo pak për ta joshur financiarisht dhe të ta bërë të vetin sulmuesin durrsak. “Por, - shkruan gazetari i Kicker, Uli Gerke, - 24-vjecari është i pjekur tashmë për të bërë hapin e duhur në karrierën e tij”. “Unë besoj te vetja. Unë dëshiroj të luaj në Karlsruhen në Bundesligë”, - tha Kapllani për “Kicker”, kur nënshkroi një kontratë që e lidh me Karlsruhen deri në vitin 2010. “Klubi më sqaroi se isha i pashitshëm. Kjo ishte një provë besimi, të cilën unë dëshiroj t’ia shpërblej me gola”, - deklaron Kapllani. Lojtari durrsak e ka nisur si titullar dy takimet e para në Bundesligë, por ende nuk ka shënuar. “Do të vijë edhe goli im”, - thotë ai. Numri “9” i Karslruhes shënoi 17 gola në sezonin e kaluar me Karslruhen në Bundesliga 2, të majftueshëm për të bindur këdo për aftësitë e një sulmuesi me vlera të spikatura, i ardhur në Gjermani në vitin 2004 me rekomandimin e ish-trajnerit të ekipit Kombëtar të Shqipërisë, gjermanit Hans Peter Brigel. “Edmondi do të bëhet një lojtar i madh”, - profetizoi Rold Dohmen, një ish-futbollist i njohur gjerman dhe nga viti 2002 menaxher i Karsruhes. Dohmen ka pasur gjithmonë besim te Kapllani, madje edhe atëherë kur futbollisti shqiptar përjetonte një periudhë krize. “Cdo trajner do të dëshironte ta largonte atë. Unë u kujdesa për të si për një bimë”, - tregon Dohmen. “Edmondi dëshironte të bënte gjithmonë hapin e tretë para të dytit. Unë i bëra të kuptueshme, se jo gjithmonë mund të harkonte topa në zonën e rreptësisë por se dhe mund të shënonte gola me kokë”. Ndërkohë, tregon pjekuri pas cdo ndeshje, dhe kurba sheh vetëm rritje. Dhe kjo tregon gjithcka për një sulmues. Në ekipin Kombëtar shqiptar ai ka bërë tre gola në dy ndeshjet kualifilikuese për Euro 2008 kundër Luksemburgut, duke fituar një vend të sigurt titullari në formacionin bazë. Në sulmin e Karlsruhes është “maja” e sistemit 4-3-2-1, është aktori kryesor. Dhe shtypi nuk kursehet: “Kapllani, një yll në rritje”.
Kapllani, në botën e sportit është bërë një fenomen i zakonshëm patja e sponsorëve personalë që dëshirojnë të shfrytëzojnë imazhin e një futbollisti. A ka Edmondi një të tillë?
Po. Edhe për mua për fat të mirë ekziston një sponsor i tillë. Kjo është kompania e njohur gjermane e produkteve sportive “Uhlsport” e cila ka lidhur një marrëveshje të kënaqshme financiare me mua, edhe pse modeste në krahasim me shumat e mëdha që përfitojnë futbollistët e rangut botëror. Unë mbaj veshur këpucë sportive për ndeshje dhe të tjera atletike të kësaj marke të cilat jam i detyruar t’i mbaj në cdo aktivitet sportiv apo në të tjera evenimente zyrtare apo shoqërore. Sa të luash pa asnjë përfitim, të paktën e kam një sponsor. Të drejta imazhi personale, jashtë atyre që zotëron klubi që menaxhon bluzat me emrin tim, nuk kam.
Kapllani realizuat një ëndër tuajën, sic e përmëndni shpesh aktivizimin tuaj në Bundesligë?
Është e vërtëtë dhe dëshiroj të bëj një paraqitje të mirë për gjatë gjithë sezonit.
Sezonin e kaluar në Bundesliga 2 realizuat 17 gola, kurse tani kur janë zhvilluar dy ndeshje në Bundesliga 1, ende nuk e keni “njollusur” rrjetën e parë. Ju mungojë asistët e fantazisti brazilian Federiko, të larguar tashmë të Borusia e Dortmundit, kur jeni edhe sulmuesi i vetëm?
Me thënë të vërtetën ndihem edhe i vetmuar në sulm. Nuk jam i kënaqur pasi një sulmues ka nevojë për topa që të shënojë dhe të bëjë ndeshje të mirë. Mund të vraposh shumë, por nuk ke pasin e fundit sic thuhet në sport, nuk je kualifikativ.
Takimi i parë i Karslurhes në transfertë rezultoi me fitore, ndërsa ai parë në shtëpi me humbje. Një kontrast i madh.
Është befasuese, por gjithsesi ndeshjet tona kanë qenë të mira. Ne kemi besim se vazhdimi do të jetë pozitiv.
Ndeshja e ardhshme në Bundesligë është ajo kundër Bajer Leverkuzenit. Sa e vështirë paraqitet ajo?
Në Bundesligë nuk ka ndeshje të lehta, sidomos për ne që jemi të porsa ngjitur. Me Leverkuzenin takimi në transfertë bëhet edhe me i vështirë pasi Bajeri në dy ndeshje ka marrë vetëm një pikë.
Të kthehemi te Kombëtarja dhe te ndeshjet e saj. Je kryegolashënuesi më i mirë i eliminatoreve me tre gola, do ta ruash këtë familjaritet me golin?
Unë jam i vetëdijshëm se vetëm puna e fortë do të mbajë në këto ritme dhe ta ruaj këtë vazhdimësi sa më të gjatë të jetë e mundur. Në fund të fundit kjo është dhe detyra e një sulmuesi, të shënojë.
Si e shikon Kapllani përballjen me Holandën?
Skuadra holandeze ka në gjirin e saj lojtarë që luajnë në klubet më të mira të Europës. Gjithsesi e kam thënë edhe pas ndeshjes me Luksemburgun se ekipi është në vazhdën e ndeshjeve të mira. Edhe pse kundër një ekipi modest dy fitoret ishin të rëndësishme për ne. Kam besim se dhe me Holandën do të bëjmë një paraqitje te mire.
Duket se Kapllani ka fituar edhe një “luftë” brenda repartit të sulmit të ekipit Kombëtar, të paktën me Bushin, Salihin, duke qenë i përzgjedhuri i trajnerit në krah të Bogdanit. Ndihet Edmondi 100 për qind i sigurt për vendin e përhershëm të titullarit?
I sigurt nuk mund të ndihesh asnjëherë, pasi futbolli ka të përpjetat dhe befasitë e veta. E rëndësishme është që ndihem mirë dhe besoj se do të zhvilloj ndeshje të mira me Kombëtaren.
Golat e tu ndërkombëtarë bënë një jehonë të madhe në shtypin gjerman.
S’ka asnjë dyshim se golat në takimet ndërkombëtare të kushtojnë një vemendje më të madhe në median europiane dhe të bëjnë më të njohur për vlerat e tua. Golat me Luksemburgun e patën këtë efekt, por një futbollist duhet të shënojë vazhdimisht nëse dëshiron të jetë në vëmendjen e klubeve të mëdha.
Menaxheri i Karlsurhes, Rolf Dohmen ka bërë një deklaratë të bujshme në shtypin gjerman: “Kapllani do të bëbet një lojtar i madh”. Përse ky besim kaq i madh te ty?
Po, është e vërtetë, deklaratën që e bëri publike në shtypin gjerman, ma ka përsëritur shpesh edhe mua. Unë në fillim nuk e besoja. Por, ai ma thoshte shpesh “unë jam tifozi yt personal”, dhe këtë ma ka thënë edhe kur unë nuk kisha një ecuri të mirë në fillimet e mia.
Refuzuat ofertën e francezëve të Rasingut, patët ndonjë arsye thelbësore?
Ofertat ishte vërtet e kënaqshme, por klubi im Karlsruhe nuk kishte pse të ndërmerrte hapat për transferimin tim, pasi dhe gjendja financiare e klubit është e kënaqshme. Por si trajneri dhe klubi dëshironin të më mbanin. Edhe kontrata ime e re ka një pagesë të kenaqshme, ndër më të mirat që kanë lojtarët e tjerë të Karlsruhes.
Intervistoi: Dash Frashëri