E Diel, 1 Nëntor 2026

Bariç: Shqipëria anti-Maltë, sulmuese; ajo anti-Holandë, mbrojtëse

Dash Frashëri

Trajneri i Kombëtares shqiptare të Futbollit, Oto Baric, është i vetëdijshëm për rëndësinë e miqësores me Maltën në "Qemal Stafa" dhe për efektin që mund të prodhojë një rezultat pozitiv përpara ndeshjes zyrtare me "tulipanët" holandezë, njëzet ditë më pas në stadium kryeqytetas. Tekniku kroat u shfaq mjaft i qetë dhe i sigurt përpara gazetarëve në konferencën e tij të zakonshme për shtyp në hotelin "Adriatik". Strategjia e Baricit dhe karakteri i lojës për dy ndeshjet e ardhshme është e ndryshëm në vizionin e kryeteknikut kuqezi. "Nëse ndaj Maltës do të luajmë tërësisht në sulm duke luajtur me dy sulmues të mirëfilltë, ndaj Holandës loja jonë do të ketë një fizionomi mbrojtëse, dhe me një sulmues", - pohoi trajneri, duke mos e bërë të ditur se kë nga dy lojtarët sulmues, Bogdanin apo Kapllanin (që të dy në formacionin fillestar kundër Maltës) do të "digjte" kundër Holandës. "Ndeshja kundër Maltës është një provë e rëndësishme, por jo një test gjeneral përpara Holandës, që është një ndeshje krejt e ndryshme". Tekniku shpreson se synon marrjen të paktën të një barazimi kundër holandezëve të Van Bastenit (në Amsterdam, Shqipëria humbi 2-1). "Kundër Holandës duhet të kemi shumë kujdes kur kundërshtari të marrë iniciativën, ndërsa të mërkurën kundër Maltës duhet ta kemi ne iniciativën.
Formacioni startues i zgjedhur kundër Maltës nuk ndryshon shumë nga ai kundër Luksemburgut, me mungesën e vetme të justifikuar të mesfushorit Lorik Cana. Kroati, i cili ka preferuar skemën 4-3-1-2, do të hedhë nga minuta e parë: Beqaj (në portë), në vijën mbrojtëse do të jenë Dallku, Curri, Dede, Haxhi; mesfusha ka Mukën në të djathtë, zona shkatërruese do të jetë në duart e Lalës (që do të jetë edhe kapiteni i ekipit), dhe krahu i majtë i mesfushës i përket Besart Berishës. Skela do të jetë në rolin e një mesfushori sulmues, ndërsa cifti i sulmit do të përbëhet nga Erion Bogdani dhe Edmond Kapllani, autori i tre golave në dy ndeshjet e fundit kundër Luksemburgut. "Kundër Maltës unë dëshiroj të provoj të gjithë lojtarët që kam thirrur. Me rregullore na lejohen të kryejmë gjashtë ndërrime, përfshirë edhe portierin në ndeshjet miqësore, por unë do bisedoj me gjyqtarët, që te kemi mundësi të provojmë të 18 lojtarët", - theksoi Baric, i cili shtoi se dëshironte që futbollistët e tij të shënonin sa më shumë gola. Baric ka në bankinë futbollistë të gatshëm Rrustemi, Hyka, Salili, Duro, Bushi, Xhafa, Hidi, Vangjeli të cilët do të shijojnë minutat e tyre kundër formacionit modest të Maltës. Kroati vlerëson se gjendja e grupit është shumë e mirë.
"Për momentin është një atmosferë shumë e mirë në skuadër. Ju e shikoni se në ekip gjithmonë ka lojtarë të rinj". Shqipëri-Maltë, do të zhvillohet në Stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa" (ora 20:45) dhe do të gjykohet nga skuadër gjyqtarësh turq me kryesor Ismet Arzuman. Ndihmës të tij janë Baku Tuncay Akin dhe Serkan Akarca.

11-shi
kundër Maltës

Beqaj
Dallku, Curri, Dede, Haxhi
Muka, Lala, Berisha
Skela
Kapllani, Bogdani

Dy kombëtaret ballë për ballë

Shqipëria

67
Shqipëria në muajin korrik u rendit në vendin e 67-të në ranklistën botërore të FIFA-s

32
Kombëtarja kuqezi ndodhet në vendin e 32-të midis 53 ekipeve që janë anëtare të UEFA-s

4
Shqipëria ndodhet e katërta me 9 pikë (7 ndeshje) në Grupin G për kualifikueset e Euro 2008.

Malta

120
Malta në muajin korrik u rendit në vendin e 120-të në ranklistën botërore të FIFA-s

46
Kombëtarja ishullore ndodhet në vendin e 46-të midis 53 ekipeve që janë anëtare të UEFA-s

6
Malta ndodhet e gjashta me 4 pikë (7 ndeshje) në Grupin C për kualifikueset e Euro 2008.

Ndeshjet Miqësore me Maltën

16.08.1995: Maltë-Shqipëri 2-1
06.02.1998: Maltë-Shqipëri 1-1
10.02.2000: Maltë-Shqipëri 0-1
15.11.2000: Shqipëri-Maltë 3-0
22.08.2007: Shqipëri-Maltë, ora 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›