E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zgjedhja e Presidentit, testi i parë për Shqipërinë”

Ai ndodhet sot në Tiranë ku zhvilloi një takim me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto.

“Kemi parë shenja inkurajuese, megjithatë mbeten ende shumë për të bërë. Që ta them thjeshtë: Kemi përcaktuar 12 fusha ku ne presim që Shqipëria të bëjë përparim të vërtetë. Dëshiroj ta theksoj se Shqipëria duhet t’i bëjë këtoi jo për të kënaqur Brukselin, por popullin e vet. Dëshiroj të theksoj se marrëveshja e nëntorit të shkuar duhet të konkretizohet para zgjedhjes së Presidentit. Kjo është përgjegjësia e klasës politike në Shqipëri. Duhet të them se kur vjen puna për zgjedhjet, zgjedhja e Presidentit do të jetë testi i parë, ndërsa testi tjetër do të jetë për zgjedhjet parlamentare. Këto zgjedhje do të ndiqen me vëmendje jo vetëm në Shqipëri por edhe në bashkimin Evropian”, theksoi ai.

Wammen shtoi se reforma elektorale dhe zgjedhjet e ndershme, janë çështje të rëndësishme për Shqipërinë. “E njëjta gjë mund të thuhet për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe shtetin ligjor. Një provë mjaft e rëndësishme për Shqipërinë, do të jetë mënyra se si ajo i trajton këto çështje. Ka shumë rëndësi që sistemi gjyqësor të funksionojë në bazë të standardeve evropiane. Ka shumë rëndësi që të mos ketë asnjë ndërhyrje politike në punën e gjyqësorit dhe prokurorisë. Këtë mund ta them edhe me ngjarjen e 21 janarit, ku politika të mos ndërhyjë në punën e shtetit ligjor”, vijoi. 

Ministri danez i Çështjeve Evropiane tha se statusit i vendit kandidat jepet në bazë të meritës dhe jo fjalëve. “Dhënia e statusit të kandidatit për Shqipërinë nuk do të mbështetet në fjalë por në vepra. Ajo do të vlerësohet në bazë të meritave të saj. Është shumë e rëndësishme që zgjedhja e presidentit të mbështetet në vlera demokratike. Mesazhi i BE-së është shumë i qartë: 24 maji do të jetë prova e parë e këtij zhvillimi. E rëndësishme është që të arrihet një marrëveshje, pastaj puna do të vazhdojë me detyrat e tjera. Në vjeshtë do të kemi raportin për Shqipërinë. Ne e mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE, por detyrën më të vështirë duhet ta bëjë ajo”, shtoi. Kujtojmë se Danimarka mban Presidentët e radhës së Bashkimit Evropian.

Ministri Haxhinasto, u shpreh se është me rëndësi përmbyllja e reformave brenda datës 24 maj. “Fyle tha shumë qartë se afati i djeshëm nuk është mur betoni. E rëndësishme është që të arrihet një marrëveshje me standard cilësor dhe nëse kjo ndodh dy ditë më vonë kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është fryma e bashkëpunimit, për të krijuar klimën e nevojshme edhe për zgjedhjen e Presidentit”, tha ai. /Start/

                                                                                             2012-05-16 10:58
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›