E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja sa rriten pagat dhe pensionet në korrik

Kryeministri Sali Berisha, në mbledhje të qeverisë bëri të ditura shifrat e rritjes të pagave dhe pensioneve, duke i krahasuar ato me pagat e vitit 2005.

Sipas Berishës, pensionet do të rriten me 4% të qytetit dhe mbi 5% të fshatit. “Ministria e Financave po përgatit vendimin për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Në përputhje me platformën tonë, premtimin e bërë, rritja e rrogave dhe pensioneve, e cila prek direkt 800 mijë familje shqiptare, rritje e cila ndikon për të ardhurat mujore familjare”, theksoi kryeministri.

Sipas tij, rrogat e larta nuk do të rriten, ose do të ketë një rritje minimale. “Ky drejtim ka qenë shumë i drejtë dhe njerëzor dhe ne kemi vendosur një standard të qytetëruar, në diferencën midis rrogës së punonjësit dhe zyrtarëve më të lartë. Nëse në vitin 2005, kryeministri i vendit merrte rrogën e barabartë me rrogën e 13 infermierëve, në 1 korrik të vitit 2012, kjo do të zbresë në 6 rroga të infermierëve për kryeministrin. Është realizuar një objektiv nga më njerëzor. Diferencat e mëdha kanë qenë tipike të sistemeve totalitare”, tha Berisha.

Ai shtoi se pagat mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm do të rritet në 588 mijë. “Në vitin 2005, ajo ka qenë 288 mijë. Është rritur gjatë kësaj periudhe me 2.2 herë. Në vitin 2012, paguan 50 mijë lekë taksa dhe i mbeten 530 mijë lekë. Pa taksën proporcionale do të duheshin edhe 30 vite për të bërë rritje të tilla rrogash. Pagesat mesatare e arsimtarit në arsimin 9-vjeçar, do të jetë 500190 lekë. Paga mesatare e mjekut do të bëhet 575.530 lekë, ndërsa në vitin 2005 ka qenë 226 mijë lekë. Ka një rritje prej 2.5 herë krahasuar me atë që merrte. Paga mesatare e infermierit bëhet 367 .250 lekë”, sqaroi Berisha.

Kreu i qeverisë bëri me dije se pensionet minimale në qytetet do të rriten në 136.560 lekë. Berisha tha se kjo rritje bëhet në kohën më të vështirë në një nga kulmet e krizës së euros dhe borxheve, të cilat kanë ndikuar dhe ndikojnë edhe në ekonominë shqiptare, “por siç fakton komisioni Evropian, rritja ekonomike në Shqipëri, natyrisht nuk ka ritmet e viteve 2006-2008, por raporti thekson se në 4 vitet e fundit është katër herë më e madhe se mesatarja e rajonit. Sipas Komisionit Evropian, rritja mesatare e rajonit tonë në këto katër vitet e fundit ka qenë 0.8%, ndërsa rritja mesatare në Shqipëri ka qenë mbi 3% dhe kjo statistikë është e Komisionit Evropian”.

Duke e cilësuar modelin ekonomik të vendit, si të suksesshëm, Berisha hodhi akuza edhe nga liderit të opozitës, duke theksuar se në vend nuk ka 1 milion të papunë siç pretendon Rama, por 145 mijë të regjistruar si të tillë.

“Të deklarosh një milion të papunë në Shqipëri, do të thotë të mos kesh as edhe njohuritë më elementare për punësimin. Shqipëria ka 560 mijë pensionistë. Shqipëria ka pasur 700 mijë nxënës dhe studentë, ndërsa tani janë 670 mijë. Zotëria nuk njeh strukturat e grupmoshave, sepse po t’i njohësh nuk bën kurrë një deklaratë të tillë. Shqipëria ka një lindshmëri nga 45-50 mijë në vit. Edhe këta i quan të papunë. Zotëria ka marrë përsipër të zhdukë kapitalistët. Ai krahason Woter Baten, i cili ka të ardhura se 4 herë se GDP-ja e Shqipërisë. Atij i duket Koçoja si Woter Baten”, tha Berisha. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-05-16 11:51
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›