“Zgjohu”: Mjaft ndasive etnike!
“Listën me propozimet tona të premten do t’ia dorëzojmë të gjitha institucioneve që janë kyçur në projektin ‘Shkupi 2014’, ndërsa të shtunën do të merremi me aktivitete në sheshin e qytetit, ku do të kemi një tubim për të ngritur zërin kundër ndasive ndëretnike dhe ndërfetare që ky projekt po i imponon, midis shqiptarëve dhe maqedonasve në Shkup”, thonë nga “Zgjohu”.Lëvizja “ZGJOHU!” propozon që Qeveria dhe Komuna Qendër të ndërtojnë shtëpinë autentike të Nënës Terezë ku qëndron pllaka përkujtimore për shtëpinë e familjes Bojaxhiu në sheshin Maqedonia. Më tej, “ZGJOHU” i propozon Ministrisë së Kulturës që të ndërtojë Xhaminë Burmali, bashkë me monumente të Adem Jasharit, 28 nëntorit, 17 shkurtit, dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nga viti 2001, dëshmorëve shqiptarë nga Maqedonia të rënë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorit të USHT-së, Abdylselam Emini, Hasan Prishtinës, Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Lidhjës së Prizrenit, Jashar Bej Shkupit, Mit'hat Frashërit, motrave Qiriazi, Ibrahim Rugovës, Ferid Muratit, Luan Haradinajt dhe Kullën Shqiptare.Ndërsa për PDSH-në ndërtimi i kishës në qendër të Shkupit nuk paraqet problem, pasi në atë pjesë të kryeqytetit 99 për qind e qytetarëve janë maqedonas. Kështu tha Iljaz Halimi në emisionin “Rruga Drejt” në ALSAT, duke pranuar se vendimi për ndërtimin e kishës është marrë në kohën e qeverisjes së PDSH-së me VMRO-DPMNE-në në periudhën 2006-2008. Ndërkaq, përfaqësuesja e VMRO-DPMNE-së, Silvana Boneva nuk përjashton mundësin që pas rishikimit të kërkesës për Burmali Xhaminë në komunën qendër të pranohet edhe kjo iniciativë, ndërsa nga LSDM-ja konsiderojnë se ndërtimi vetëm i kishës por jo edhe xhamisë rrezikon përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend. Projekti “Shkupi 2014” është projekti i radhës antishqiptar që ndërmerr qeveria Gruevski. PDSH: S’na pengon kisha në shesh“Meqë atyre nuk u pengon, ku 99 për qind mos të them 100 për qind këndej Vardarit janë maqedonas, mua më së paku mund të më pengojë të ndërtohet kishë, inshalla edhe tre kisha tjera le t’i ndërtojnë në sheshin e Shkupit. Atëherë as që është biseduar, as që ka pasur ndonjë propozim, ndonjë ide ose ndonjë theksim i ekzistimit të Xhamisë Burmali dhe në mungesë të asaj ne kemi kërkuar në të njëjtën mbledhje të Qeverisë të miratohet vendim për rindërtimin e xhamisë në sheshin e qytetit të Tetovës”, tha Iljaz Halimi, nënkryetar i PDSH-së, në emisionin “Rruga drejt” në TV Alsat –M. “Shkupi 2014” para Gjykatës Kushtetuese“Procedura e shkurtër në të cilën u miratua projekti “Shkupi 2014”, nuk ekziston në ligjet tona. Për këtë arsye, të gjitha objektet e parapara në këtë projekt janë jashtë ligjit”, tha arkitekti Miroslav Grçev. Të gjitha organet të cilat janë pjesë të këtij projekti duhet ta hedhin poshtë këtë projekt, dhe mos të shtirren se nuk e dinë që e gjithë kjo është jo legale, shtoi Grçev. /lajm/