E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi i gatshëm për koalicion mbarëshqiptar

Sipas tij, diskriminimi që u bëhet shqiptarëve është i programuar, dhe mund të ndalet vetëm me një program të organizuar. “Nëse shqiptarët në Maqedoni largohen nga politika e kryeministrit Nikolla Gruevski, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) është e gatshme për formim të një koalicioni mbarëshqiptar në Maqedoni”, deklaroi për një nga televizionet shqiptare z. Thaçi. “Nacionalizmi i theksuar maqedonas kohët e fundit i ka rrënjët në përplasjet me Greqinë por pasojat e tij bien mbi shqiptarët. Diskriminimi që u bëhet shqiptarëve është i programuar dhe ndalet vetëm me një program që mund t’i bëjë ballë”, theksoi Thaçi.Ai u shpreh se asnjëherë nuk do të hyjë në koalicion me Nikolla Gruevskin, duke e akuzuar atë për diskriminim mbi shqiptarët. Për liderin e PDSH-së, marrëveshja e Ohrit nuk përmirësoi gjendjen e shqiptarëve, të cilat pas kësaj marrëveshje kanë gjendje të përkeqësuar të barazisë. Thaçi njëherësh shtoi se qeveria aktuale ka diskriminuar shqiptarët edhe në planin ekonomik, meqë sipas tij vetëm 1 për qind e buxhetit dedikohet për bashkësinë shqiptare në Maqedoni. Lideri i PDSH-së, në intervistë duke sqaruar programin e PDSH-së ofroi zgjidhje për Maqedoninë si në Zvicër, në të cilën do të kishte parlament me dy dhoma.                                                                                              

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›