E Shtunë, 31 Tetor 2026

85 milionë lekë për 15 projekte restauruese

09/02/2011  15 projekte janë në “objektivin” e Institutit të Monumenteve të Kulturës për restaurim: Teatri i Adrianopolit, Kisha e Shën Mërisë në Labovë, Kisha e 40 Shenjtorëve Sarandë, Kalaja e Bashtovës, Kisha e Serxhit dhe Bakut Himarë, Kisha e Shën Mëhillit dhe Kisha e Shën Spiridhonit Vuno, Kisha e Shën Mërisë Zvërnec, Shëtitorja e Apolonisë, Kisha e Shën Mërisë Ristoz, Kalaja e Durrësit, Termat Bradashesh, Kalaja e Elbasanit, Bazilika e Ballshit dhe Kalaja e Tepelenës.

Për këto janë vënë në dispozicion 50 milionë lekë nga Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe 35 milionë lekë nga pushteti lokal.

Informacioni është bërë i ditur në analizën vjetore të punës së Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe drejtorive rajonale të Monumenteve të Kulturës, të mbajtur dje në MTKRS dhe të kryesuar nga ministri, Ferdinand Xhaferaj.

Në këtë analizë u fol për monumentet dhe sitet e ruajtura në tërësinë e tyre, për ato që përbëjnë pasuri botërore sipas listës së UNESCO-s dhe për atë se si është gjendja e tyre në Shqipëri sot.

“Në listën e UNESCO-s numri monumenteve të veçanta Pasuri Botërore është 731, por sitet e ruajtura në tërësinë e tyre, si Butrinti, Gjirokastra dhe Berati janë vetëm 15.

“Përgjegjësia e Shqipërisë për ruajtjen dhe përcjelljen brezave të njerëzimit të trashëgimisë kulturore, monumenteve dhe siteve të saj është historike”, vërehej veç të tjerash në raport, ndërsa theksohej rëndësia e turizmit kulturor për Shqipërinë.

Duke iu referuar raportit vjetor të UNESCO-s së 1996-ës nënvizohej se turizmi kulturor i sjell Shqipërisë respekt për historinë, kulturën dhe kualitetin artistik të kombit dhe i siguron 26- 28% të GDP-së (rreth 8 miliard dollarë). “Turizmi kulturor në Shqipëri duhet të bazohet domosdoshmërish në monumentet e saja të kulturës”, theksohej fjala e drejtorit të Seksionit të Turizmit Kulturor pranë UNESCO-s

Sipas fjalës së Kryeministrit Sali Berisha, “një nga zhvillimet më të mëdha të 6 viteve të fundit, ka qenë rreth 11-fishimi i vizitorëve e turistëve në vendin tonë, çka e përcakton turizmin si një nga degët më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare”.

“Bukuritë e peizazhit nuk do të mjaftonin që Shqipëria të ngjitej në çatinë e botës si destinacion turistik. Thelbësore në këtë pozicionim të saj është trashëgimia kulturore”, vërehej prej tij.

Duke u nisur nga kjo bëhet e ditur gjendja e monumenteve dhe veprimtaria konservuese dhe restauruese e Institutit të Monumenteve të Kulturës, që bazohet në 3 komponentë: Në vlerën absolute të monumentit, në gjendjen e tij fizike dhe në përfshirjen në itineraret turistikë.

Veç projekteve për restaurimin e 15 monumenteve, sektori i qendrave historike është në përfundim të projektit për instalimin në monumentet e kulturës të katedrave universitare në Gjirokastër. Në analizë bëhet e ditur se jashtë detyrave funksionale, IMK ka hartuar projektet për rihapjen e muzeut të Apolonisë (110 mijë $/ UNESCO), projektet për rivitalizimin e muzeut të Durrësit (Fond i MTKRS 35 milionë lekë), projektin e kthimit në gjendjen fillestare dhe rivlerësimit të sheshit “Nënë Tereza”.

Instituti i Monumenteve ka hartuar edhe projekte për 3,6 milionë eurot e KE-së për Pazarin e Korçës, infrastrukturën e dekumanos dhe bazilikën paleokristiane në Elbasan, infrastrukturën e rrugës “Kardinal Mikel Koliqi” në Shkodër.

1,2 milionë euro të kursyera nga këto projekte ju kaluan Kalasë së Beratit, ndërsa IMK hartoi projektet për 500 mijë eurosh e pushtetit lokal për restaurimin e fasadave të siteve të mësipërm.

Me subjektet private po punohet për Kalatë e Lezhës dhe të Ndroqit, ndërsa është në përfundim projekti për rikonstruksionin e hyrjes kryesore të Via Egnatias në Kalanë e Elbasanit. Në analizë vijëzohet se risi në punën e IMK është studimi, dokumentimi, projektimi dhe restaurimi i ikonave të Muzeut Historik Kombëtar nga pavijoni i ikonografisë i Muzeut Historik Kombëtar dhe fondet.

Projektet

Teatri i Adrianopolit

Kisha e Shën Mërisë në Labovë

Kisha e 40 Shenjtorëve, Sarandë,

Kalaja e Bashtovës

Kisha e Serxhit dhe Bakut, Himarë,

Kisha e Shën Mëhillit

Kisha e Shën Spiridhonit, Vuno

Kisha e Shën Mërisë, Zvërnec

Shëtitorja e Apollonisë

Kisha e Shën Mërisë, Ristoz

Kalaja e Durrësit

Termat Bradashesh

Kalaja e Elbasanit,

Bazilika e Ballshit

Kalaja e Tepelenës

Rihapja e muzeut të Apolonisë (110 mijë $/ UNESCO)

Rivitalizimi i muzeut të Durrësit (Fond i MTKRS 35 milionë lekë)

Kthimi në gjendjen fillestare dhe rivlerësimi i sheshit “Nënë Tereza”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›