E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë Hysen Hakanit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi pasi bëri homazhe në mjediset e Teatrit Kombëtar, ku ishte vendosur trupi i regjisorit të njohur, vlerësoi para mediave këtë figurë të madhe të kinematografisë shqiptare. “Hysen Hakani, përveç vlerave të veçanta si artist, ka marrë një notë të lartë qytetarie, duke lënë në memorjen e kombit dhe tonën arritjet e kombinimit të vërtetë që ekziston midis atij që është njeri në radhë të parë dhe e dyta, të një artisti të madh”, tha Presidenti i Republikës.

Kryeministri Sali Berisha theksoi se bota e artit humbi njërin prej personaliteteve të shquara të saj. “Shpreh nderimin dhe respektin tim më të madh për themeluesin e filmit shqiptar, regjisorin e talentuar, Hakani, i cili në një krijimtari në disa dekada dha një ndihmë cilësore në filmin dhe artet skenike të vendit”, pohoi Berisha.

Homazhe zhvilloi edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila u shpreh se ndarja nga jeta e Hysen Hakanit është një humbje e madhe, jo vetëm për artin kinematografik, por për të gjithë shqiptarët. “Regjisori Hakani është një ndër emrat, arti i të cilit ka për të qenë gjithmonë afër njerëzve. Njerëz të tillë janë gjithmonë të dashur për çdo qytetar”, theksoi Topalli.

I nderuar me çmimin “Mjeshtër i Madh”, Hakani i ka dhuruar kinemasë shqiptare një sërë filmash, si “Debatik”, “Toka jonë”, “Njësiti gueril”, “Cirku në fshat”, “Një ndodhi në port”, “Lundrimi i parë”, “Plaku dhe hasmi” etj, si dhe një sërë filmash dokumentarë. Regjisori dhe skenaristi Hysen Hakani lindi në vitin 1932 në qytetin e Beratit dhe pasi u diplomua në Çeki për regji, në vitin 1957 realizoi filmin e parë me metrazh të shkurtër shqiptar, “Fëmijët e saj”.

                                                                                             2011-02-09 15:03
 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›