86, zyrtarisht
_367677.jpg)
Republika e Ganës e ka njohur shtetin e Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, duke thënë se ka qenë tepër e vështirë të sillet kjo njohje, ndërsa shprehu shqetësimin se protestat mund të ndikojnë negativisht në këtë proces.
Lajmin për njohjen e re, Pacolli e bëri publik gjatë një konference për media, ku bëri edhe një prezantim të punës e rezultateve nga lobimi për rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës.
Pacolli ka bërë të ditur se gjatë takimit që ka pasur në SHBA me Presidentin e Ganës dhe pastaj edhe gjatë takimit të tij në Turqi, me ministrin e Jashtëm të këtij vendi, i kanë premtuar për njohje, por sot e kanë bërë edhe zyrtare, dhe kjo sipas tij, pas një mbledhjeje qeveritare që ka ndodhur atje.
Ai thotë se përreth Ganës kanë mbetur vetëm pak shtete për ta njohur Kosovën, por shpreson se kjo do të ndikojë në shtetet e ish-kolonive angleze të cilat nuk e njohur ende Kosovën.
Duke folur për premtimet e tjera që i janë dhënë për njohje, ai ka deklaruar se protestat e kohëve të fundit po ndikojnë negativisht në këtë proces.
“Situata momentale në Kosovë pak e vështirëson situatën, sepse bashkëpunëtorët e mi sot kanë marrë disa informata dhe disa pyetje nga gjithë bota, se çfarë po ndodh në Kosovë. Kanë parë fotografi nga protesta, dhe pyesin çfarë po ndodh atje, çfarë po ndodh në kufi, dhe kjo mund ta rëndojë shumë procesin e njohjeve, por sidoqoftë jemi duke u shpjeguar se janë protesta paqësore dhe pjesë e demokracisë së Kosovës dhe vetëdija e qytetarëve të Kosovës është në nivel që mund t’i lejojë vetes protesta dhe besoj që do të riparohet edhe kjo”, ka thënë ai.
Pacolli ka thënë se po lobon në Lindjen e Largët dhe në shtetet e Pacifikut, dhe se në fund të këtij muaji dhe në fillim të muajit shkurt do vizitojë Amerikën Qendrore dhe shtetet e Karikomit, nga ku premton se do të sjellë njohje të reja.
Numri dy i Qeverisë nuk ka lënë pa përmendur edhe njohjet që janë premtuar nga shtetet e Karikomit e që nuk kanë ardhur ende, por thotë se ka ndikuar shteti ynë fqinj, Serbia që ato të vonohen.
Gana që bëhet shteti i 86-të që tashmë zyrtarisht e ka njohur Kosovën, ka rreth 25 milionë banorë dhe renditet në vendet me ngritjen më të shpejtë ekonomike në botë.