E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkon Delli, vjen Tracey Ann Jacobson

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ka bërë publike qëllimin e tij për të nominuar Tracey Ann Jacobson në postin e ambasadores së SHBA-së në Republikën e Kosovës, merr vesh “Koha Ditore”.

Kjo është bërë e ditur zyrtarisht nga Shtëpia e Bardhë, në një informatë në lidhje me nominimet e reja që presidenti Obama ka vendosur ti bëjë në poste të ndryshme në administratën e tij si dhe në pozita përfaqësuese diplomatike në disa vende të botës.

Ambasadorja Jacobson, një diplomate karriere nga Shërbimi i Lartë Diplomatik, momentalisht shërben si zëvendës drejtoreshë e Institutit për Shërbim të Jashtëm (FSI).

Sipas informatave zyrtare nga Shtëpia e Bardhë, Jacobson më parë ka qenë ambasadore e SHBA-së në Taxhikistan (2006-2009) dhe në Turkmenistan (2003-2006), ndërsa para këtyre detyrave ka shërbyer edhe si zëvendës shefe e misionit në Ambasadën amerikane në Rigë të Latvisë.

Ambasadorja Jacobson ka shërbyer edhe si zëvendës sekretare ekzekutive në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, ndërsa ka punuar si diplomate në Seul të Koresë jugore, Massau të Bahameve dhe Moskë të Rusisë.

Pasi të jetë konfirmuar nga Senati, Tracey Ann Jacobson do të zëvendësojë Christopher Dellin, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Kosovë prej vitit 2009, ndërsa sipas informatave të publikuara më parë nga Koha Ditore, ai pritet të vazhdojë punën në Gjermani, në postin e zëvendës komandantit në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Afrikë, që Shtabin e ka në Stuttgart të Gjermanisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›