Përkrahet përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë
“Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka shprehur përkrahjen e plot për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ndërkohë tash i mbetet Qeverisë së Kosovës të vazhdojë implementimin e Pakos së Ahtisaarit. Pasi të mbyllet ICO, BE dhe miqtë e Kosovës do të interesohen për respektimin e parimeve që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit”, ka thënë Feith para të pranishmëve, në Vjen.
Takimi po vazhdon...
Flasin sot
Grupi Drejtues për Kosovën do të deklarohet sot rreth përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Për këtë punë, në Vjenë ka shkuar edhe Kryeministri Hashim Thaçi, i cili shpreson se ICO’ja do ta përfundojë misionin gjatë këtij viti.
Fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës pritet t’i jepet drita jeshile nga autoritetet ndërkombëtare, të martën, gjatë takimit të Grupit Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën.
Për këtë punë, në Vjenë ka shkuar edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili pritet që të prezantojë edhe planin strategjik të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e procesit të mbikëqyrjes.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh Ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë për Express se në këtë plan parashihen ndryshime në infrastrukturën ligjore për bartjen e kompetencave të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë tek autoritet e kësaj të fundit.
“Kryeministri nesër do ta vërë këtë plan para përfaqësuesve të shteteve të përfaqësuara në Grupin Ndërkombëtar Drejtues dhe ky plan parasheh ndryshimin e ligjeve, ngritjes së kapaciteteve dhe drejtimit adekuat të plotësimit të infrastrukturës së plotë shtetërore”, ka thënë Kuçi.
Zëvendëskryeministri Kuçi ndër të tjera ka theksuar se Kosova tani i ka të gjitha kapacitetet shtetërore që të marrë përgjegjësitë që i takojnë.
“Ka dy çështje këtu - ajo që ka të bëjë me misionin e EULEX’it dhe ajo e ICO’së. Është mbyllur kaptina sa i përket Pakos së Ahtisaarit. Duhet të ndryshohen disa ligje sa u përket kompetencave të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar”, ka thënë Kuçi.
Ndërsa sa i përket misionit të EULEX’it, ai ka theksuar se do të ketë zvogëlim të prezencës së tyre shkallë-shkallë, pro jo edhe përfundim të misionit brenda këtij viti.
Fundin e mbikëqyrjes, ndërkaq, e kanë përshëndetur edhe përfaqësues të opozitës.
Skënder Hyseni nga Lidhja Demokratike e Kosovës u shpreh i bindur se fundi i mbikëqyrjes do të arrihet këtë vit, e këtë e quan jetike për Kosovën si shtet.
“Mendoj që ka ardhur koha që të përmbyllet tërësisht mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës dhe Kosova ta marrë sovranitetin e saj të plotë, institucionet e Republikës së Kosovës t’i marrin të gjitha përgjegjësitë dhe natyrisht privilegjet për sukseset eventuale që mund t’i gëzojnë”, ka thënë ai.
Edhe Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është i bindur se drita jeshile për përfundimin e mbikëqyrjes do t’u komentohet zyrtarëve shtetërorë ne Vjenë.
“Në fakt besohet se këto janë edhe qëllimet e miqve tanë ndërkombëtarë që të vendoset për fundin e pavarësisë në fund të këtij viti, pra të mbyllet Zyra e ICO’së”, ka thënë Ramadani.
Hyseni, ndërkaq, ka shprehur frikën e tij diku tjetër.
Ai mendon se përmbyllja e këtij procesi mund të kushtëzohet nga autoritetet ndërkombëtare në disa fusha, ku institucionet kosovare kanë dështuar.
“Kam frikë se kjo do të ndodhë, por do të ndodhë me ndonjë kushtëzim e kushtëzimet mund të kenë të bëjnë me vazhdimin e mbikëqyrjes në disa fusha, sidomos në atë të sundimit të ligjit, ku fatkeqësisht institucionet e Republikës së Kosovës nuk kanë dhënë prova të mjaftueshme se janë të gatshme t’i marrin të gjitha përgjegjësitë”, ka thënë Hyseni.
Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës ishte paralajmëruar edhe më herët nga vetë Kryeministri Thaçi.
Ai pati thënë se mbyllja e këtij procesi do të jetë një ndër prioritetet e tij. Ndërkohë që edhe zyrtarët e ICO’së në Kosovë nuk e kanë mohuar se misioni i tyre është përmbushur pothuajse në tërësi, duke lënë kështu të hapur mundësinë për largimin e tyre nga Kosova.
Por, për të përmbyllur në tërësi procesin duhen edhe disa ndryshime në kuadër të aktit më të lartë juridik e politik të shtetit.
Arsim Bajrami ka shpjeguar për Express se krejt çka duhet bërë është shfuqizimi i kaptinës së fundit të Kushtetutës së Kosovës, me nenet transicionale.
“Krejt çka duhet është një amendament për shfuqizimin e asaj kaptine, asgjë më tepër”, ka thënë Bajrami.
Sipas tij, tashmë ka ardhur koha që përfaqësuesve civilë ndërkombëtarë t’u hapet dera dalëse, të cilën UNMIK’u nuk ka arritur ta gjejë.
“UNMIK’u nuk dinte ta gjente derën dalëse dhe Kosova nuk mund ta pranojë një cikël të papërcaktuar për Kosovën, siç e ka Bosnja. Rasti i Kosovës është i ndryshëm, ndërsa obligimet eventuale të mbetura duhet të shtrohen si çështje e raporteve ndërmjet BE’së dhe Serbisë”.
Bajrami tha se autoritetet ndërkombëtare duhet të bëjnë më tepër trysni që Serbia të heqë destruksionin sa u përket obligimeve për Veriun e Kosovës.
Ndërkohë që ka theksuar se Kosova është e gatshme për të marrë përgjegjësitë e veta në dorë pa përfaqësimin ndërkombëtar.
Ndryshe, Kryeministri i Kosovës do të qëndrojë sot në Vjenë së bashku me Përfaqësuesin Special për Kosovën, Pieter Feith.
Në fund të takimit me Grupin Ndërkombëtar Drejtues, pritet të mbahet edhe një konferencë për media, siç njofton Zyra e Kryeministrit Thaçi.