9 prilli, dita e Kushtetutës së Kosovës, Thaçi: Kjo, datë e rëndësishme për republikën

Sot është dita e Kushtetutës së Kosovës. Kryeministri, Hashim Thaçi, e ka vlerësuar 9 prillin si një ndër datat më të rëndësishme të themelimit të Republikës së Kosovës.
“Miratimi i Kushtetutës mundësoi rivendosjen e ekzistencës sonë kombëtare, duke na mundësuar krijimin e themeleve për ndërtimin e një shteti funksional dhe demokratik, e bazuar në sundimin e rendit dhe ligjit dhe në mirëqenien sociale të qytetarëve.
Ditën e Kushtetutës së Kosovës, të gjithë qytetarët tanë e festojnë me ndjenjën më të lartë të krenarisë dhe të respektit, sepse ky dokument i lartë juridik është kurorëzim i luftës clirimtare të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe dinjitet shtetëror ” thuhet ndër të tjera në mesazhin e kryeministrit.
Në katër vjetorin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës institucionet e vendit thonë se ndryshimi i saj është i domosdoshëm, me qëllim të forcimit të shtetit.
Ndërsa njohësit e çështjeve kushtetuese thonë se nuk duhet nxituar me ndryshimet. Ata thonë se gjatë këtyre katër viteve Kushtetuta nuk ka gjetur zbatim të plotë.
Katër vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe miratimit të Kushtetutës, gjendja në veri të Kosovës mbetet e pazgjidhur.