Vizita në Turqi, Kryeministri: Kemi lidhje të fuqishme gjaku me turqit, i pakuptimtë lëndimi i patriotëve pa atdhe. Mbështetja e Erdogan për gazsjellësin TAP

UPDATE- Kryeministri Sali Berisha reagoi sot lidhur me deklaratën e tij në Turqi se shqiptarët kanë lidhje gjaku me turqit, e cila më pas solli edhe një qëndrim të disa historianëve në vend. Berisha tha se në Turqi jetojnë më shumë se 6 milionë shqiptarë, ndërsa lidhjet mes dy kombeve janë një realitet historik i pamohueshëm. “Meqenëse disa patriot pa atdhe janë ndjerë të lënduar se pse unë kam folur për lidhje gjaku u them këtyre që "shesin" injorancën e tyre çdo ditë në shkrime se cila është origjina e fiseve ilire dhe ajo e fiseve turke është qartësisht e njohur, por të mendosh se vetëm gjaku i fiseve qenka lidhja e vetme e gjakut është qesharake. Janë mbi 6 milionë shqiptarë në Turqi, me miliona martesa dhe është botërisht i njohur pasioni i turqve për të marrë shqiptare, e kanë këtë”- u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë tha se janë të kota “pikëllimet” e historianëve, pasi kjo është një deklaratë mëse e vërtetë, ndërsa shtoi se në Turqi jetojnë më shumë shqiptarë se në Ballkan. “Në atë shtet ka më shumë shqiptarë se në Ballkan, ky është realiteti. Historia e dy vendeve është një histori që daton në shekuj. Shqiptarët ndjehen krenarë me Skëndërbeun, dhe kanë të drejtë po nuk mund të injorojnë dhe Barbarosën që ishte shqiptar, ishte zoti i deteve, janë krenar me Lekën, por nuk mund të mohojnë Sinan Pashanë që zotëroi vendet nga deti Balltik në detrat e Jemenit. Janë krenar me Naimin, por nuk mund të injorojnë Samiun ndër themeluesit e Turqisë moderne. Perandoria është në arkiv. 100 vitet janë vitet e bashkëpunimit mes dy vendeve sovrane”, shtoi më tej Berisha.
Mbështetja e Erdogan për gazsjellësin TAP
Kryeministri Berisha deklaroi më tej se përveç investimeve turke në Shqipëri që kanë pësuar rritje e pritet të rriten më shumë, ai ka marrë mbështetjen e homologut Erdogan edhe për projektet e gazit. “Në fushën e energjisë, mora garanci nga Erdogan se ai dhe qeveria e tij mbështesin plotësisht projektet, të cilat realizojnë kalimin e gazit nëpër Shqipëri dhe bëjnë të mundur që edhe Shqipëria e shqiptarët të shqyrtëzojnë këtë potencial. Kjo mbështetje ka qënë konstante, por sot është më e fuqishme se kurrë. Dua të shpreh falënderim të përzemërt për këtë mbështetje”- tha ai.
...