E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiknuri: Mazhoranca po na mban peng mandatin. Paloka: Shqetësimet janë të pabaza, të ndiqen rrugët gjyqësore

09-04-2012 / Gazeta 55

Mandati i deputetes socialiste Rudina Seseri vijon të ngjallë polemika mes mazhorancës dhe opozitës. Në lidhje me mandatin e ish-deputetes Rudina Seseri ka reaguar sot edhe deputeti Damian Gjiknuri. Socialisti shprehet se pretendimet që ngre mazhoranca janë të pabaza, pasi siç tha ai, Kushtetuta e zgjidh këtë çështje. “Kur refuzohet, mandati i kalon pasardhësit”, u shpreh ai, duke nënvizuar se në këtë rast, kur mazhoranca refuzon emrin pasardhës në listë, “Është shkelur Kushtetuta e demokracia e vendit”. Nga ana tjetër, i menjëhershëm ishte reagimi i deputetit demokrat, Edi Paloka. Ai akuzoi PS-në se po luan rolin e zhurmuesit në këtë çështje, pasi sipas tij asnjë nuk po tenton i vjedhë mandatin që i takon. Ndërkohë, Paloka vlerëson se gjithçka është përcaktuar në Kod, ndërsa i bëri thirrje opozitës që t’i drejtohet gjykatës për të zgjidhur ngërçin.
“Ajo luftë që bëhet në Parlament, në Komisionin e Mandateve është krejtësisht absurde. Parlamenti nuk jep mandate deputetësh dhe këtë e di dhe një fëmijë. Asnjë tjetër përmes Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve nuk i jep mandate deputetëve. Është një çështje që mesa duket  duhet të zgjidhet në gjykatë. Askush nuk e vjedh mandatin, të vjedhësh mandatin do të thotë t’i ta marrësh dhe të zëvendësosh me një deputet të Partisë Demokratike, kjo është e pamundur. Mandati është i Partisë Socialiste, nuk e merr njeri, as nuk e fut kush në xhep as nuk ka pse ta përvetësojë kush. Ata thjesht kanë një procedurë që duhet ta kishin zgjidhur me kohë”- u shpreh Paloka.
Mazhoranca do të dërgojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Gjon Bardhi, si zëvendësues i ish-deputetes Rudina Seseri, pas tërheqjes së kësaj të fundit disa muaj më parë. PD vlerëson se “Gjon Bardhi duhet të japë më parë dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë së Fushë Krujës dhe më pas të bëj ç’të dojë me mandatin e deputetit”. “Nga ky moment ai mandatohet dhe është i aftë për t’u paraqitur në Kuvend. Pasi bën betimin, mund të mungojë 30 ditë apo të tjera, dhe në këtë rast ndodh që i kalon tjetrit”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›