Berisha: KQZ i ka dhënë mandatin Gjon Bardhit - Rama mashtron nga turpi, Seserin e serviri si “star të politikës”

++ Kryeministri: PS-së nuk ia zë kush vendin në parlament, t’i drejtohet Gjykatës së Apelit
++ “Mazhoranca s’ka tendencë të marrë një mandat që s’i takon. Rama po përzë aleatët te Bamiri – misioni i LMN-së paska qenë përjashtimi i Islamit”
Shefi i ekzekutivit Sali Berisha i është përgjigjur akuzave të kryesocialistit, Edi Rama se mazhoranca po grabit mandatin e PS, në qarkun e Durrësit. Duke folur në mbledhjen e përjavshme të grupit të PD-së, Berisha i cilësoi absurde pretendimet e selisë rozë, ndërsa ka siguruar se mazhoranca nuk do të cënojë mandatin e asnjë force politikë, por nga ana tjetër u shpreh se kërkon respektimin e Kushtetutës. Berisha kujtoi se mandati i Rudina Seserit i takon pasardhësit në listën e deputetëve të PS, që është Gjon Bardhi. Ky i fundit ka refuzuar mandatin e dhënë nga KQZ në janar të këtij viti, me pretendimin se është kryetar i bashkisë së Fushë-Krujës. Berisha i kërkoi Ramës t’i drejtohet gjykatës për çështjen në fjalë, ndërsa e cilësoi po aq absurd presionet që i bëhen komisionit të mandateve, në një kohë kur mandatet i jep vetëm KQZ. “KQZ i ka dhënë mandatin e znj. Rudina Seserit, z.Gjon Bardhi, i cili renditet në listën e PS. Pa paraqitur dorëheqjen nga kjo listë ka garuar dhe ka fituar për kryetar bashkie të Fushë-Krujës. Z.Bardhi nuk kishte asnjë pengesë për të bërë atë që bëri në rastin e kundërt, atë që bëri ministri Basha, që dorëzoi mandatin dhe garoi për kryetar bashkie. Z.Ferdinand Xhaferi dorëzoi mandatin e deputetit dhe ministrit dhe garoi. Ardian Kollozi dorëzoi mandatin e deputetit dhe garoi për kryetar të bashkisë së Vlorës. Z.Bardhi nuk kishte pengesë t’i bënte me shkrim KQZ-së kërkesën se po garoj si kryetar bashkie dhe ndaj jap dorëheqjen nga lista e deputetëve. Këtë nuk e bëri. Të bësh kërcënime absurde, nuk fiton kapital politik dhe nuk mashtron njeri. Në datën 13 janar të këtij viti KQZ votoi mandatin e z.Bardhi. Z.Bardhi paraqiti dorëheqjen. Por tani është me dy mandate. Është me mandatin e kryetarit të bashkisë dhe me mandatin që i ka akorduar KQZ. Sërish shteti ligjor ka mekanizmat e tij. Z.Bardhi vetë, partia e tij si palë e interesuar, z.Edi Rama që në një e dy, ngre padi ndaj kryeministrit për interesa personale dhe tani për interesa të partisë, duhet t’i drejtohej gjykatës. Ne kemi një gjykatë që trajton çdo lloj çështje që ka të bëjë me deputetin dhe kandidimin. Qëllimshëm lanë të bien të gjitha afatet për t’iu drejtuar Gjykatës së Apelit dhe kërkojnë të bëjnë gjykatës komisionin e mandateve dhe rregullores së parlamentit, i cili nuk ka asnjë tagër tjetër për t’ju drejtuar parlamentit me mendimin e tij. Kërkojnë të bëjnë Kryegjykatës kryetaren e parlamentit vetëm, për akuza politike. Zotëri, nuk është kjo mazhorancë që mund të pranojë t’i diktojë rregulla sui generis siç i dikton ai në partinë e tij. Kjo mazhorancë është e detyruar të respektojë ligjet e vendit. Edhe kërcënimi se do të bllokojë reformat, nëse ti i bën reformat për hir të mazhorancës dhe e konsideron veten si argat të mazhorancës, asnjë ditë nuk bashkëpunon. Nuk e kemi argat opozitën, opozita është sovrane, ajo ka një program, ua ka shpall shqiptarëve”- u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë ironizoi sjelljen e Ramës pas largimit të Rudina Seserit, pasi siç tha kryeministri, këtë të fundit ua serviri qytetarëve të Durrësit si “star të politikës”. “Ua serviri si “star”, por ajo i iku se i tha do iki të punoj në bursë”- tha kryeministri.
Po ashtu Berisha ironizoi edhe deklaratën e Ben Blushit, i cili u shpreh fundjavën e kaluar se LMN, ku ai bënte pjesë me një grup deputetësh kundërshtarë të linjës së Ramës, e kreu misionin e saj. Për kreun e demokratëve, misioni i LMN-së paska qenë përjashtimi i Kastriot Islamit. “Po dëgjoja Ben Blushin teksa po thoshte se LMN e kreu misionin e saj! Cili paska qenë misioni i LMN-së, përjashtimi i Kastriot Islamit?!"- tha kryeministri.
Gjithashtu, Berisha tha se Rama po i çon aleatët e tij te Bamiri, pasi i mashtroi me premtime boshe. "Gjithë beteja është si ti bashkojë aleatët me Bamirin dhe i la pa mend. I ka mbajtë deri tani me premtim-mashtrime, tani u thotë shkoni tek Bamiri”- theksoi ndër të tjera kreu i qeverisë.