E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësim për Shqipërinë

Dr.Zef Preçi 

Publikimi para dy ditësh i raportit të përbashkët të FMN-së dhe Bankës Botërore me titull “Shqipëria: Dokumenti i Strategjisë së Reduktimit të Varfërisë – Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim”, është i shtati i këtij lloji në dhjetë vitet e fundit, qysh se Shqipëria  iu bashkua listës së vendeve të varfra që përfshihen në këtë skemë unike në përpjekjet për reduktimin e varfërisë ...dhe përmirësimin e qeverisjes së vendit në rrugën e tij drejt ekonomisë së tregut. Ky botim ka si synim kryesor që të sigurojë mbështetje në hapat e mëtejshëm të vendit tonë në rrugën e gjatë dhe të vështirë të kapërcimit të tranzicionit dhe afrimit me BE-në. Ndërsa emërtimi dy vjet më parë nga ana e qeverisë aktuale i strategjisë së saj si “Strategji për Zhvillim dhe Integrim”, më shumë se një strategji vërtet të tillë, përfaqëson një tentativë për të shkëputur vitet e qeverisjes së saj nga ato të mëparshmet, si dhe një përpjekje për të lënë mënjanë termin “reduktim i varfërisë”, ndonëse dy institucionet e mirënjohura ndërkombëtare vazhdojnë të njohin si vazhdim të strategjive të mëparshme dhe me emrin e vërtetë “Strategjia e Reduktimit të Varfërisë”. Në këtë kuptim, nuk sjell ndonjë risi dhe as është objekt për t’u mburrur për “arritjen e rezultateve impresionuese” apo për të ndërtuar kriticizëm me “argumente që vijnë nga ndërkombëtarët”. Sipas mendimit tim, për vlerësimin e punës së çdo qeverie, duke përfshirë edhe aktualen, janë të paktën dy vija kufizuese që nuk mund të injorohen. E para është krahasimi i arritjeve me përmbushjen e programit të vet, në rastin konkret me sigurimin e lidhjeve dhe vazhdimësisë së ndikimit pozitiv në rritjen dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit. Në këtë kuptim dokumenti që po analizojmë, më shumë se vlerësime ofron një gamë të gjerë paralajmërimesh mbi rreziqet potenciale që vijnë nga devijimet në zbatimin e strategjisë si dhe nevojën e ngutshme që në këtë proces të ruhet stabiliteti makro-ekonomik i vendit; që përparësitë e shpallura të strategjisë të “përkthehen” në shpenzime publike (d.m.th të sigurohet mbështetja buxhetore e tyre); që të forcohet eficienca e përdorimit të fondeve publike; që të hidhen hapa konkretë përpara në reformimin e administratës publike bazuar në përshtatshmërinë me ligjin e shërbimit civil, etj. (shih fq. 10 të dokumentit). Vështirë se gjendet ndonjë rast ku nuk janë adresuar këto këshilla qeverive shqiptare të dekadës së fundit. Në këtë kuptim, ka fare pak vend për entuziazëm dhe eufori nga ana e qeverisë… Së dyti, për të gjykuar mbi punën e qeverisë mund të vlejnë krahasimet me performancë e qeverive të mëparshme. Kështu përsëritja e “këshillave” lë gjithashtu përsëri pak vend për mburrje për arritjet. Duke çmuar raportin për realizimin e tij në evidencimin dhe vlerësimin e progresit të shënuar gjatë periudhës qysh nga raporti i fundit (23 janar 2006), FMN-ja dhe Banka Botërore “vënë gishtin mbi plagët” e qeverisjes dhe të pasojave të saj. Kështu duhet konsideruar mjaft domethënës vënia e theksit mbi nevojën e garantimit të ritmeve të larta të rritjes ekonomike; përmirësimin e klimës së biznesit; nxitjes së eksporteve dhe rritjes së aftësive konkurruese të kësaj ekonomie; rreziqet që vijnë nga rritja e çmimeve, ngadalësia në përballimin e problemeve të krijuara nga kriza energjetike dhe menaxhimi i KESH-it etj. Kjo jo se këto probleme janë të reja, sepse në kohë të ndryshme ato janë ngritur me forcë nga analistë dhe ekspertë vendas, drejtues të ndryshëm politikë të opozitës, por shihet qartë se besueshmëria publike dhe reagimi i qeverisë mbeten problematike. Eshtë dëshpëruese që edhe dy dekada nga ndryshimi i sistemit si referencë besueshmërie e gjendjes së ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare mbetën institucionet e huaja, në një kohë që në vendin tonë tashmë janë ngritur dhe funksionojnë të gjitha llojet e mundshme të institucioneve të një vendi normal e demokratik. D.m.th këto vlerësime dhe tregues që përmenden në dokumentin në fjalë, janë detyrë e institucioneve shqiptare që paguhen nga taksa-paguesit shqiptarë si INSTAT, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave etj. Për fat të keq, politizimi i dukshëm i këtyre institucioneve i ka kthyer disa prej tyre jashtë ekzekutivit në shtojca të verbra të propagandës qeveritare të ditës (për këtë mjafton të kujtojmë publikimin e kontestuar gjerësisht të anketës së të ardhurave familjare të publikuar nga INSTAT përpara një muaji, lojën me treguesit e rritjes ekonomike që ende nuk është sqaruar etj.). Madje, edhe vetë dokumenti thekson nevojën e hartimit të një master-plani në fushën e statistikave publike (fq.3 e raportit) për t’iu përgjigjur rritjes së transparencës, zgjerimit të llogaridhënies dhe monitorimit të zbatimit nga qeveria të objektivave të saj programore.
Duke parë analizën makro-ekonomike, sektoriale dhe ndër-sektoriale të raportit në fjalë, shihet qartë shqetësimi konstant i Bankës Botërore dhe FMN-së, që qeveria të përqendrohet në përmbushjen e programit të vet qeverisës, që sektorët e shpallur si prioritare: arsimi dhe shëndetësia të jenë të tillë edhe nga pikëpamja e mbështetjes buxhetore; që administrata publike të rekrutohet në mënyrë konkurruese, të mbrohet me ligj dhe të shërbejë shtetin etj. Dokumenti nxjerr në dukje edhe një aspekt tjetër të jetës shqiptare: thellimin e diferencës në zhvillimin midis zonave urbane dhe atyre rurale, braktisjen e këtyre të fundit.
Duke dashur të lexosh pozitivisht dokumentin në fjale si një vlerësim që përmbledh një periudhë të gjatë kohe, nuk mund të mos lindin edhe pyetje e pikëpyetje të shumta. Kështu a nuk tingëllon si një spekulim politik nga ana e qeverisë theksimi si sukses i madh rritja ekonomike vjetore prej 5-6 e stabilizuar prej disa vjetësh, kur dihet se me këto ritme vendit tonë i duhet gjysmë shekulli të arrijë ato tregues zhvillimi që Evropa ka në ditët e sotme? Sipas meje, kjo rritje është nën mundësitë reale tashmë të krijuara. A nuk përbën njëlloj paradoksi që, ndërsa flitet për rritje ekonomike stabile, pavarësisht krizës së tejzgjatur energjetike dhe menaxhimit problematik të KESH-it në prag të privatizimit të sistemit të tij të shpërndarjes; të dhënat e punësimit mbeten thuajse të pandryshuara nga njëri vit në tjetrin; bizneset ndeshen me vështirësi në rritje dhe fuqia konkurruese e ekonomisë e shprehur në kapacitet e saj të eksportit është përkeqësuar gjatë dy-tre viteve të fundit? Me të drejtë dokumenti në fjalë sugjeron që projeksionet e qeverisë për zhvillimet ekonomike të përpunohen më tej në lidhjen ndërmjet eksportit, rritje ekonomike, shtimit të investimeve (duke përfshirë rritjen e kredive private) dhe llogarisë së jashtme (fq.3). Se në fund të fundit, rritja ekonomike ka kuptim, është reale nëse “përkthehet” në shtimin e vendeve të reja të punës dhe reduktimin real të varfërisë, me frenimin e braktisjes së fshatit dhe dekurajimin e emigracionit ekonomik ilegal drejt vendeve fqinje perëndimore; në futjen e teknologjive bashkëkohore që përfshijnë në qarkullimin ekonomik pasuritë natyrore, ekonomike, monetare dhe njerëzore të vendit, në shtimin e aftësive eksportuese të ekonomisë sonë kombëtare, në ristrukturimin e saj në përshtatje me zhvillimet në tregjet e vendeve evropiane, ndaj të cilave kjo ekonomi po hapet me rimte të shpejta.
Pa dashur të ndalem në problemet e veçanta të degëve të ndryshme të ekonomisë sonë kombëtare, në dokument jepen edhe mjaft “këshilla” të tjera të vlefshme dhe paralajmërime që duhen njohur e monitoruar në proces. Të tilla janë p.sh. çështjet që kanë të bëjnë me zgjidhjen e problemit të kthimit dhe të kompensimit të pronave dhe rreziqet financiare nga nxitimi i qeverisë për destinimin e shumave të mëdha monetare për këtë qëllim; çështjet që kanë të bëjnë me përshpejtimin e zgjidhjes se problemeve të zhvillimit urban dhe ndarjes së qartë të përgjegjësive ndërmjet pushtetit qendror dhe atij vendor; problemet e përmirësimit të sistemit të sigurimeve shoqërore dhe domosdoshmëria e ndërtimit të urave midis kontributeve dhe përfitimeve të qytetarëve nga ky sistem; etj. Në këtë dokument ngrihen edhe një numër problemesh për disa aspekte të reformave, për të cilat duhet të shqetësohet fort edhe mjedisi publik dhe politik shqiptar. Ndër to mund të përmendim: bllokimin e procesit të decentralizimit të pushtetit dhe të fondeve publike për të; dështimin e luftës kundër korrupsionit dhe dobësitë e dukshme të administratës publike (fq.9). Sipas meje, do të mjaftonte shtrimi i këtyre problemeve për të kuptuar se qeveria aktuale është larguar shumë jo vetëm nga programi i saj politiko-qeverisës dhe premtimet e bujshme “pro-perëndimore” të para tre vjetëve, por edhe se vendi ka shënuar hapa prapa, që kërcënojnë edhe arritjet e derisotme makro-ekonomike të tij. A nuk janë “grantet konkurruese” një shpikje shqiptare që deformon vullnetin e ligjvënësit (Kuvendit) dhe e shndërron Ministrinë e Financave në superministri tenderash, që pamundësojnë respektimin e përparësive zhvillimore dhe nxitin korrupsionin me to? Me të drejtë dokumenti sugjeron “shkrirjen e rregullave që përcaktojnë nivelin dhe shpërndarjen e transfertave në legjislacionin e përhershëm”... “adoptimin e kritereve më specifikë për shpërndarjen e granteve konkurruese dhe sigurimin e burimeve teknike të mjaftueshme për vlerësimin e tyre”, etj. E kjo ndodh kur sapo është ripunuar edhe ligji organik i buxhetit, pa ndonjë proces konsultimi publik që do të mund t’u jepte përgjigje edhe çështjeve të tilla që “ziejnë” prej tre vjetësh… Sa u takon elementëve të politikave anti-korrupsion të qeverisë, dokumenti me shumë realizëm i konsideron ato si të përgjithshme e deklarative, më shumë se sa një “kuadër strategjik për aksione të ardhmen”. Madje, ai shkon më tej, duke ofruar edhe një tërësi rekomandimesh mbi mënyrën e adresimit, detajimit, zbatimit dhe monitorimit të këtyre politikave. Edhe në këtë fushë kemi të bëjmë me përsëritjen e skemave të luftës anti-korrupsion të ofruara edhe më parë, por që për shkak të mungesës së vullnetit politik nga ana e qeverisë vazhdojnë të mbeten vetëm në letër. Në një terren më praktik, a nuk është rasti i zbardhjes së përfshirjes së strukturave qeveritare e politike në tragjedinë e Gërdecit një “cause” (bazë) e mjaftueshme për demonstrimin e vullnetit të qeverisë aktuale për të hedhur hapat e saj të parë institucionale në luftën kundër korrupsionit? Nga ana tjetër, a nuk janë betimet e përbetimet e zyrtarëve të lartë të qeverisë “për t’i shkuar deri në fund zbardhjes së kësaj tragjedie”, një propagandë e pastër elektorale kur ndërmerren në të njëjtën kohë me rishikimin e ligjit që ngushton pavarësinë e institucionit të akuzës (Prokurorisë) dhe rrit ndikimin e ekzekutivit mbi të dhe mbi drejtësinë në tërësi? Një çështje të ndjeshme për institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN-se, por në radhë të parë për qytetarët shqiptarë, për qarqet e brendshme politike dhe akademike përbën edhe transparenca dhe llogaridhënia buxhetore. Këtu nuk është fjala thjesht për deklarimet e pabaza të pushtetarëve mbi nivelin e mbledhjes nga tatime-taksat e doganat, pa folur për faktorët që ndikojnë mbi këtë proces, siç janë çmimet e importit, ndryshimet e kursit të këmbimit etj. Kjo mbasi shqiptarët e shohin përditë në nivelin e tyre të jetesës. Shqetësimi është në mënyrën e paraqitjes dhe miratimit të buxhetit në Kuvendin e Shqipërisë, në paraqitjen arrogante të të ashtuquajturit “buxhet suplementar”, thua se këto para “bien nga qielli”, pa thënë se ato janë mundi dhe djersa e qytetarëve të vendit, për menaxhimin e të cilave është mandatuar qeveria qendrore dhe qeveritë vendore për një periudhë kohe të dhënë. Spekulative është edhe trajtimi si “plaçkë tregu” e të hyrave monetare që vijnë nga shitjet e aseteve të rëndësishme të pronës publike si Albtelekom-i, ARMO etj. Qytetarët shqiptarë janë të interesuar jo vetëm në shtimin e të ardhurave monetare të buxhetit të shtetit të tyre, por mbi të gjitha në zgjerimin sasior dhe përmirësimin cilësor të shërbimeve publike (arsim, shëndetësi etj.) që qeveria iu ofron mbi bazën e këtyre parave. Dokumenti trajton edhe problemin e klasifikimit të vendit tonë në grupin e “vendeve me të ardhura mesatare dhe ekonomie në ristrukturim”, si një vlerësim që i hap rrugë një statusi tjetër më pak të shtrënguar në marrëdhëniet e vendit tonë me këto dy institucione. Natyrisht që ky është një zhvillim pozitiv që duhet kuptuar si dëshmi e kapaciteteve tashmë të rritura të vendit në drejtim të administrimit fiskal e monetar, por në të njëjtën kohë edhe si një përgjegjësi më e madhe e qeverisë në përcaktimin e përparësive zhvillimore dhe në sigurimin e mjeteve monetare për vënien në jetë të tyre, sidomos në drejtim të marrjes së borxheve tregtare, borxhit të brendshëm etj. Kjo rrethanë mendoj se dikton edhe nevojën e rishikimit, plotësimit dhe përmirësimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe institucional që rregullon këto aspekte të punës së qeverisë si dhe instrumentet përkatëse monitoruese, të transparencës dhe të llogaridhënies, sidomos rolin e Kuvendit, enteve rregullatore (që në dokument prezantohen mjaft të dobëta) etj. Siç tregon përvoja e vendeve të zhvilluara perëndimore, rritja e pjesëmarrjes qytetare dhe kontrollit parlamentar në emër të këtyre të fundit mbi shpenzimin e fondeve publike si dhe llogaridhënia e rregulluar me ligj e qeverisë për këtë qëllim, janë kushte për zvogëlimin e korrupsionit dhe rritjen e efektivitetit të përdorimit të këtyre fondeve. Kur e pyetën drejtuesin e një partie politike që humbi zgjedhjet përpara disa vjetëve në Suedi për shkaqet e humbjes, u përgjigj në mënyrë lakonike: “Ne ju drejtuam Suedisë dhe jo suedezëve!”. Edhe FMN-ja dhe Banka Botërore përmes dokumentit në fjalë shprehen: Vlerësim për Shqipërinë!. Ja përse përpjekjet për “pronësimin” politik të këtij dokumenti janë të padobishme. Ai flet për dy dekada tranzicion dhe dhjetë vjet zbatim të strategjisë për reduktimin e varfërisë. Pas kësaj sfida e qeverisë dhe opozitës është: në ç’mënyrë sugjerimet e adresuara të shndërrohen në politika publike që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe afrojnë ekonominë tonë kombëtare me ekonominë e BE-së…?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›