E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një problem i dyfishtë amerikan

Skënder Minxhozi 

Njëra ndër vërejtjet më të hidhura që diplomati tashmë i famshëm amerikan bëri tri javë më parë ndaj qeverisë shqiptare, bazohej mbi një interpretim të thjeshtë kohor. Sipas tij, zgjedhja e mundshme e Barak Obamas në nëntor të këtij viti, mund të sillte komplikimin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO. Po sipas kësaj logjike, nëse senatit, tashmë të dominuar nga demokratët, do t’u shtohej edhe një president i të njëjtit krah politik, hyrja e Shqipërisë në NATO, një investim personal i Xhorxh Bush, mund të shtyhej për më vonë. Jo vetëm kaq. Duket se në të njëjtin drejtim të çon edhe klima e përgjithshme elektorale në SHBA, ku dominojnë ndjenjat pacifiste të një pjese të madhe të elektoratit amerikan, i cili po kërkon me ngulm daljen nga bataku i Irakut. Në këtë mënyrë, kontributit edhe ashtu modest të Shqipërisë në koalicionin anti-terror, mund t’i uleshin edhe më tej pikët e simpatia, në një administratë të re presidenciale që luftën e sheh si të keqen e madhe. Ky do të ishte problemi i parë që duket se troket në dyert e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në momentin aktual. Por duket se ka edhe një problem tjetër, shumë më konkret dhe më akut për qeverinë shqiptare. Historikisht politikën amerikane ndaj Shqipërisë e ka konceptuar dhe zbatuar ambasada e saj në Tiranë. Institucionet e tjera të shtetit të stërmadh amerikan janë marrë pak ose aspak me dinamikat e zhvillimeve në vendin tonë. Në politikën globale amerikane, Shqipëria zë objektivisht një vend modest. Përjashtuar raste të veçanta, si lufta në Kosovë në vitin 1999, apo ftesa e fundit në NATO, pjesën tjetër të marrëdhënieve dhe qëndrimeve të SHBA për atë çka ndodh në Shqipëri, e përçon ambasada dhe kryesisht titullari i saj. Këtu duket se shfaqet një problem jo i vogël i dytë për zotin Berisha dhe qeverinë e tij, në këtë fillim fushate elektorale. Nuk përbën më sekret se marrëdhëniet e kryeministrit me ambasadorin amerikan Withers e stafin e tij, janë jo të mira. Deklaratat e dala në fund të korrikut nga ambasada amerikane, shënuan një shkallë të paprecedent kriticizmi të një përfaqësie të huaj ndaj një qeverie shqiptare, në njëzet vjetët e fundit. Askush nga diplomatët e huaj në Tiranë nuk kishte folur kaq hapur dhe kaq negativisht për një qeveri, në mesin e mandatit të saj. Kjo klimë e keqe ka gjasa të vijë duke u shtuar pas zërave se në shtator do të ketë një valë të re qëndrimesh kritike ndaj punës së qeverisë, kryesisht nga pala amerikane. Deri tani Berisha ka adoptuar taktikën e heshtjes, por edhe alibinë se, për sa kohë që kritikat kanë qenë pa “vulë dhe emër”, ato nuk përbëjnë qëndrimin zyrtar të Uashingtonit, por qëndrime personale. Këtu ai ka nënkuptuar mesa duket ambasadorin amerikan dhe përfshirjen e tij në hetimin e komisionit të Kongresit Amerikan. Pra, në optikën e Berishës, situata nuk duket edhe aq e komplikuar, për sa kohë që sulmohet nga një ambasador “nën hetim”. Përveç kësaj, kryeministri u mundua të luajë edhe me shtrëngimin e duarve me Xhorxh Bush në hapjen e lojërave olimpike të Pekinit, porse këto duken më shumë manovra të momentit, sesa lëvizje konkrete. Problemi i perceptimeve kritike amerikane për punën e qeverisë mbetet në fuqi, më i fortë se kurrë.
Është e lexueshme se ambasada amerikane e ka vënë tashmë në pozitë të vështirë qeverinë dhe parlamentin, për një listë të gjatë çështjesh që fillojnë me Gërdecin, vazhdojnë me drejtësinë dhe mund të mbarojnë me zgjedhjet. I ndodhur në mesin e një rotacioni presidencial në Uashington dhe një armiqësie të heshtur me zyrtarët amerikanë në Tiranë, Berisha duket se do ta ketë të vështirë të instalojë një komunikim normal me SHBA-të, gjatë asaj çka mbetet në mandatin e tij qeverisës. Ajo që projektohet, duket si një stinë e ftohtë, preludin e të cilës e pamë menjëherë pas konferencës për shtyp të kryeministrit për aktivitetin shtatë-mujor të qeverisë, kur ambasada amerikane shpejtoi të përgënjeshtrojë pretendimet e tij se kritikat e fundit që kanë dalë nga selia në Rrugën e Elbasanit, nuk përputhen me linjën zyrtare amerikane. Ka shumë mundësi që këtë lloj lufte të ftohtë në distancë ta shohim gjithnjë e më shpesh në javët e ardhshme, e ky është një problem që qeveria shqiptare ka gjithnjë e më pak hapësirë që ta ndreqë disi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›