E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, diploma “të pavlefshme” për emigrantët shqiptarë

Blerina Olldashi

Të rinjtë shqiptarë që jetojnë në Greqi mund të shkollohen në këtë vend, por jo të ushtrojnë profesionin e tyre ashtu si bashkëmoshatarët me kombësi greke. Ligji u mohon atyre të drejtën për të ushtruar profesionin si mësues apo avokat, vetëm për faktin se nuk kanë nënshtetësinë greke. Sapo marrin diplomën, emigrantët përballen me diskriminimin racor, që i veçon nga shoqëria dhe mjedisi ku jetojnë. Kanë studiuar në shkollat dhe universitetet më të mira greke, janë me diploma dhe mastera specialitetesh, por nuk mund të ushtrojnë profesionin e tyre si bashkëmoshatarët e tyre vendas. Jo vetëm në sektorin publik, por edhe në atë privat. I vetmi “mëkat” i tyre është se janë të huaj, fëmijë emigrantësh shqiptarë dhe pa nënshtetësi. Një student i cili ka kryer studimet në Fakultetin e Filozofi-Psikologjisë rrëfen eksperiencën e tij të hidhur në lidhje me përfundimin e shkollës dhe përballjen e mundimshme të gjetjes së një pune.
“Pasi mbarova shkollën doja të punoja si mësues këtu në Greqi por nuk m’u dha e drejta sepse jam një nënshtetas shqiptar dhe nuk mund të gjej punë në profesion,” thotë Denis Vukaj nga Shkodra, i cili në Greqi ka shkuar në vitin 1997. Ai “çuditi” arsimtarët por edhe bashkëmoshatarët e tij vendas me zellin dhe përparimin e tij të shkëlqyer. Por zhgënjimi dhe peripecia nuk vonuan të vijnë. “Para një viti desha të punoj në shkolla private këtu në Athinë. Një drejtor shkolle më tha që të nxjerr lejen e arsimit dhe kur shkova në ministrinë e Arsimit e kuptova që si shtetas i huaj nuk mund të punoj edhe pse kam mbaruar këtu, nuk kam të drejta të plota me ata që kemi mbaruar bashkë shkollën,” thotë Denisi, pa fshehur ndërkohë për raste të veçanta edhe pezmatimin e tij: “Kishte shumë njerëz që më thoshin: “Mëso përpara historinë e vendit tënd. Edhe shqiptar edhe filolog? Është e tmerrshme”, më thoshin. U dukej një gjë... ekstreme”. Megjithatë ky i ri shqiptar nuk ka nguruar të studiojë për ndjekjen e një masteri me objekt qëmtimin e teksteve shkollore nga paragjykimet nacionaliste dhe raciste. Ajo çka e inkurajon është qëndrimi i bashkëmoshatarëve të tij grekë, të cilët siç thotë “ndihen shumë keq kundrejt meje”: “Kemi mbaruar bashkë shkollën dhe u duket absurde që ndodh një njeri që ka vlera, nuk jam vetëm unë por dhe shumë të tjerë- nuk i jepet e drejta për një gjë shumë të thjeshtë, që është nënshtetësia. Na kuptojnë shumë, se njerëzit e rinj janë me horizonte të hapura”. Lidhur me këtë fenomen negativ, Kosta Papa, kryetar i Forumit Rinor Shqiptar shprehet se
integrimi profesional i fëmijve të emigrantëve është në interesin e vetë shoqërisë greke që nuk ka komoditetin të humbasë këtë potencial të vyer. Papa, në takimin me ministren greke të Arsimit Ana Dhjamantopullu u shpreh optimist pas ligjit të ri i cili u jep mundësinë fëmijëve të emigrantëve të marrin nënshtetësidhe dhe të konsiderohen të barabartë me moshatarët e tyre në shtetin ku jetojnë. Sipas ekspertëve, vendet e punës në Greqi dhe kudo në Europë duhet të jepen në bazë të aftësive dhe jo prejardhjes.

Terrorizmi, takim joformal i ministrave të BE-së

Pas përpjekjes për atentat në një avion civil amerikan, i cili po fluturonte nga Amsterdami për në Detroit ministrat e Brendshëm të BE-së diskutuan për sigurinë në trafikun ajror. Temë qendrore nuk ishin vetëm skanerët e trupit nëpër aeroporte, por edhe shkëmbimi i të dhënave të pasagjerëve, sepse në takim mori pjesë edhe ministrja amerikane për mbrojtjen e atdheut Napolitano. Pas përpjekjes për të kryer një atentat në një avion pasagjerësh amerikan më 25 dhjetor shumë çështje mbeten të hapura. Si arriti nigeriani të fusë masën plasëse në avion? A kanë pasur mundësi forcat e sigurimit që të zbulojnë lëndët kimike me skanerë të trupit? Padyshim që në takim nuk munguan zënkat. Kjo për faktin se disa vende të BE-së kanë bërë hapa përpara për futjen në përdorim të skanerëve të trupit. Si për shembull Britania e Madhe dhe Holanda.

Haiti, viktimat mbulohen në varre masive

Qeveria e Haitit bën të ditue se trupat e të paktën 75 mijë viktimave të tërmetit të javës së kaluar janë varrosur në varre masive. Ajo tha se viktimat janë varrosur pa ceremoni dhe pa u identifikuar. Sipas qeverisë së Haitit numri i përgjithshëm i viktimave pritet të jetë shumë më i lartë. Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një personel shtesë ushtarak prej katër mijë vetash më Haiti në përpjekje për t’iu ofruar ndihmë personave që ende nuk kanë mundur të përfitojnë asnjë lloj ndihme. Sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, tha se operacioni i ndihmës po vazhdonte pavarësisht nga pengesat për shkak të infrastrukturës së dëmtuar dhe problemeve të sigurisë. Ambasadori amerikan në Haiti, Keneth Merten, tha se shpërndarja e ndihmës po përmirësohej nga dita në ditë.

SHBA-të ekstradojnë ish-komandantin serb

Shtetet e Bashkuara kanë ekstraduar një serb të Bosnjës, ish-komandant policie, i cili akuzohet për gjenocid pasi mendohet se ka marrë pjesë në masakrën e Srebrenicës. Autoritet amerikane arrestuan Nedjo Ikoniçin pas një urdhër-arresti ndërkombëtar dhe dje e dërguan në Sarajevë ku ai pritet të gjykohet. Forcat serbe të Bosnjës vranë rreth 8 mijë burra mysliman në një kamp të Kombeve të Bashkuara i cili mendohej se ishte një vend sigurt në vitin 1995. Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç po akuzohet në Gjykatën e Hagës për rolin e tij në këtë masakër. Ish-shefi i ushtrisë së tij, Ratko Mlladiç vazhdon të jetë në arrati.

22 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›