E Diel, 1 Nëntor 2026

92 vjet nga Kongresi i Lushnjes, Berisha: Vendosi themelet e demokracisë perëndimore – sistemin që kemi sot

21-01-2012 / Gazeta 55

Lufta e Parë Botërore, pretendimet territoriale të fqinjëve dhe mosmarrëveshjet e brendshme vërtetë e kishin dëmtuar Shqipërinë, por kjo s’pengoi përpjekjen e shqiptarëve për ri-ngritjen e shtetit të tyre, duke kulmuar me Kongresin e Lushnjes më 21 janar 1920. Në përkujtim të kësaj date historike, 92 vjetorit të Kongresit të Lushnjes, qyteti myzeqar ka nisur kremtimet e 100 vjetorit të Pavarësisë me përkujtimin e Kongresit që vuri themelet e shtetit modern shqiptar. Kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ministri i Kulturës Aldo Bumçi, deputetë demokratë dhe socialistë të qarkut të Fierit nderuan këtë ngjarje të madhe kombëtare të 21 janarit 1920, ndërsa bashkia dhe ministria e kulturës, kishin organizuar një sërë aktivitetesh.
Festimet e kësaj dite nisën pikërisht në ambientet e bashkisë për t’u zhvendosur më pas drejt Shtëpisë Muze “Kongresi i Lushnjës”. Një nga meritat e qeverisë së Lushnjës - do të theksonte kryeministri Berisha është se ajo themeloi pluralizmin. “Kongresi i Lushnjës themeloi de facto dhe de juro, sistemin që ne gëzojmë sot” - tha Berisha. Kjo deklaratë e kryeministrit Berisha po mbahej, kur në Tiranë, Kryeqytetin që u shpall i tillë nga Kongresi i Lushnjes, po niste protesta homazh një vit pas 21 janarit të demonstratës së dhunshme të opozitës, një skenar për rrëzimin me dhunë të një qeverisjeje legjitime, siç mazhoranca e ka konsideruar. “Protesta është një e drejtë e qytetarëve në çdo vend të lirë. Këtu në Lushnje ne, së bashku me të gjithë shqiptarët, nderojmë këtë ditë, sepse ky festim, ky nderim, bëhet në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. E vërteta është që ky 100 vjetor është një 100 vjetor vuajtjesh, përpjekjesh, sakrificash, por edhe arritjesh ndër më të jashtëzakonshmet në historinë e një kombi. Ndaj ne vijmë sot shumë mirënjohës ndaj atyre që organizuan Kongresin e Lushnjës, vendimet që ata morën, kontributit historik shpëtimtar që ata dhanë, vijmë shumë mirënjohës ndaj atyre qindra e mijërave shqiptarëve që në këto 100 vite bënë të mundur, me sakrificat e tyre sublime, me punën, mundin, djersën, me gjeninë e tyre krijuese, që shqiptarët të jenë të lirë kudo që ndodhen”- u shpreh Kryeministri.
Në Lushnje qindra qytetarë ishin mbledhur në festimet kësaj dite, duke shoqëruar zyrtarët e lartë qendrorë dhe vendorë në deri tek qendra e Kulturës, ku do të mbaheshin dhe fjalimet përkujtimore, të rastit. Duke e konsideruar si Kongres të Shpëtimit Kombëtar, kryeministri Berisha e vlerësoi Kongresin e Lushnjes, si ngjarjen më madhore të historisë kombëtare, në përpjekjen e shqiptarëve për shtet të lirë dhe të pavarur, krahas lidhjes së Prizrenit dhe Pavarësisë. “Këto tre ngjarje të lidhura ngushtë, pa njëra-tjetrën, do t’i kishte harruar pluhuri i historisë, në një moment të vështirë për vendin, kur fuqitë e mëdha kishin vendosur fshirjen e Shqipërisë nga harta e Europës, kur një grup aventurierësh shqiptarë ndërmorën veprime kundër kombit të tyre, Shqipëria nuk do të ekzistonte, u bënë djepi i lirisë së kombit, pritën personalitetet më të shquara të tij, që erdhën këtu për një betim “Do ta bëjmë Shqipërinë”. Qeveria e themelimit kombëtar bëri shumë, brenda 8-9 muajve, Kongresi vendosi të mos dorëzojë Shqipërinë, të ngrejë një qeveri për kombin dhe vendin”- vijoi Berisha
Kongresi i Lushnjes miratoi kushtetutën e parë të vendit, vendosi themelet e demokracisë perëndimore dhe shpalli Shqipërinë Republikë, përzgjodhi Tiranën si kryeqytetin e vendit. Ky Kongresi i pluralizimit, ia doli që me vendimet e saj, qeveria dhe reformat të anëtarësojnë Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, përulemi me nderim te madh, pasi ajo që bëjmë ne sot, është vazhdim i rrugës së tyre.
Kryeministri përcolli dhe një tjetër emocion në sallë për shkakun se historia e deshi që sot 92 vite më vonë, pasardhës të familjeve që patën rol kryesor në Kongresin e Lushnjes të mbajnë poste të rëndësishme në drejtimin e vendit, si kryeparlamentarja Topalli apo ministri Bumçi. Duke e mbyllur fjalën e tij kryeministri tha se është koha për një zotim të të gjithëve që themelet e hedhura në Lushnje të vijojnë sot, me këmbënguljen e të gjithëve në rrugën e integrimit të vendit në BE.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›