95 Komando shtesë në Irak

Qeveria ka vendosur dje, që të shtojë numrin e trupave shqiptare që janë paqeruajtës në Irak. Sipas propozimit të ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, misionit tonë paqeruajtës në Irak do t’i shtohet edhe një kompani e përbërë nga 95 ushtarakë të tjerë. Koha e qëndrimit të ushtarakëve shqiptarë do të jetë 6-mujore dhe shpenzimet e tyre do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes. “Republika e Shqipërisë do të dërgojë një kompani shtesë në operacionin “Liria e Irakut”. Shtimi i kontingjentit është në vijim të deklarimeve të Presidentit të Republikës dhe kryeministrit në Samitin e Bukureshtit në prill 2008, me rastin e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO”, thuhet në relacionin shoqërues të vendimit. Ndërkohë, argumentimi tjetër që jepet në relacionin shoqërues ka të bëjë me “angazhimin e vendit tonë për t’u anëtarësuar plotësisht në NATO dhe për të treguar vullnetin tonë për bashkëpunim në luftën kundër terrorizmit”.