E Diel, 1 Nëntor 2026

Si u zbuluan 12 fëmijët e abuzuar

Dëshmia e mjekut amerikan, Guy Eshelman, ku u konstatuan fillimisht të miturit e traumatizuar për shkak të ngacmimeve seksuale

TIRANË - Dëshmia e një seance më parë, ku dy prindër deklaruan se klinika “ABC” fshehu rezultatet e ekzaminimit të djalit të tyre, i cili u abuzua seksualisht në qendrën “Fëmijët e tij”, detyroi palën mbrojtëse të David Braunit të kërkojë dëshminë e kreut të kësaj klinike, Guy Eshelman. “Për nga kujdesi që tregonte për fëmijët David Braun, mund të krahasohet me Nënë Terezën”. Kështu nisi dëshminë e tij drejtori i klinikës mjekësore “ABC”, Guy Eshelman, i cili nga ana tjetër nuk mohoi faktin se në këtë institucion janë vizituar të paktën 12 fëmijë që strehoheshin në qendrën bamirëse, të administruar nga i akuzuari për marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur. Amerikani që drejton prej disa vitesh këtë klinikë, tregoi para gjykatës se, veç problemeve shëndetësore që shfaqnin herë pas here fëmijët që strehoheshin në qendër, në klinikën e tij janë vizituar edhe fëmijë që kishin probleme fizike dhe mendore, si pasojë e abuzimeve seksuale. “Kërkesa për të vizituar këta fëmijë u bë nga David Braun, i cili kontaktoi me stafin e klinikës sonë. Veç problemeve të zakonshme shëndetësore, fëmijët shfaqnin probleme në sjellje dhe probleme fizike që vinin si pasojë e abuzimeve”, - tha para gjykatës kreu i klinikës që mbante nën trajtim mjekësor fëmijët që strehoheshin në qendrën “Fëmijët e tij” dhe punonjësit e këtij fondacioni, mes të cilëve edhe David Braun. Me këtë dëshmi, Eshelman rikonfirmoi edhe një herë abuzimet seksuale që kryheshin në të ashtuquajturin fondacionin bamirës. Fakt ky i konfirmuar edhe nga kartelat mjekësore që prokuroria ka sekuestruar në klinikën “ABC”, ku tregohet qartë se 12 fëmijët, emrat e të cilëve gazeta nuk i bën publikë për arsye etike, janë abuzuar seksualisht. Prokurori i çështjes i kërkoi gjykatës që të 12 kartelat të administrohen në cilësinë e provës, pasi të dhënat e paraqitura në to tregojnë më së miri atë që ndodhte në fondacionin e Braunit, për të cilin dëshmitari i djeshëm bëri ç’është e mundur ta paraqiste si një prind të mirë. “Ai sillte herë pas here fëmijë për trajtim mjekësor në klinikë. Gjithmonë ai iu qëndronte shumë pranë fëmijëve. I pastronte, u gatuante, u rrinte te koka. Sjellja e tij ishte si e një prindi. Asnjëherë nuk kam vërejtur ndonjë gjë të çuditshme tek David Braun, pasi ka pasur raste që unë kam shkuar edhe jashtë orarit në qendrën “Fëmijët e tij”, - tha para gjykatës amerikani Guy Eshelman, i cili dëshmoi në këtë proces me kërkesën e avokates mbrojtëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›