E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Sa më shpejt kartat e identitetit

• Partia Socialiste propozoi një Plan Kombëtar drejt një regjimi pa viza me Bashkimin Evropian.Gjatë një konference për shtyp, deputeti socialist në Komisionin e Politikës së Jashtme, Taulant Balla, paraqiti disa nga prioritetet kryesore të këtij Plani. Sipas tij “Policia Kufitare dhe kontrolli kufitar duhet të ndryshojnë rrënjësisht strukturën hierarkike përmes programeve të trajnimit”. Sipas këtij Plani, “Shqipëria brenda vitit 2008 duhet të përafrojë regjimin e vizave me listën pozitive dhe negative të Shengenit, si dhe modelin e elementët e sigurisë së vizave”. Në këtë kuadër, Balla theksoi nevojën e ngritjes në “Ministrinë e Punëve të Jashtme të Qendrës Kombëtare të Vizave, si struktura përgjegjëse për miratimin përfundimtar të lëshimit të vizave dhe të administrimit të sistemit elektronik të së dhënave, si kusht i përafrimit me standardet e Shengenit”. Përsa i përket përmirësimit të sigurisë së dokumenteve të identifikimit, Balla u shpreh për futjen “në përdorim të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike”. “Përsa i përket përmirësimit të sigurisë së dokumenteve të identifikimit, element thelbësor ky në procesin e liberalizimit të regjimit të vizave, duhet te futen në përdorim e kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Për këtë qëllim duhet të krijohet dhe të funksionojë Sistemi Kombëtar i Dokumenteve të Identifikimit”, tha Balla. Pika të tjera të Plan Veprimit të PS-së për një regjim pa viza janë dhe miratimi i një ligji për të huajt, marrja e masave kufizuese për parandalimin e emigracionit ilegal, përmirësimi i procedurave për dhënien e nënshtetësisë për të huajt, etj.Në lidhje me emigrimin ilegal të shtetasve shqiptarë, Balla propozoi marrjen e masave kufizuese ndaj shtetasve shqiptarë, duke vendosur kështu një filtër të imët për emigracionin ilegal. “Kështu, shtetasit shqiptarë të cilët kapen duke kaluar kufirin ilegalisht ose që ktheheshin në bazë të marrëveshjeve të ripranimit, duhet të dënohen me pezullim të pasaportës për 3 deri në 12 muaj”, tha Balla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›