9985 ushtarakë jetojnë me borxhe, në pritje të vendimit për pensionet e parakohshme
Pas një kalvari të gjatë, ushtarakët të cilët kërkojnë të përfitojnë pensionet e parakohshme më në fund kanë parë një dritë jeshile në rrugën e mundimit të tyre prej shumë vjetësh. Jo më shumë se një javë më parë gjykata kushtetuese vendosi
pro ushtarakëve për ti dhënë atyre masën e pensionit të parakohshëm i cili u ndërpre nga ligji i ri i miratuar nga qeveria për pensionet e ushtarakëve rreth dy vjet më parë. Gjykata Kushtetuese zbardhi rreth një javë më parë vendimin e plotë për pensionet e ushtarakëve. Ky vendim edhe pse në vetvete ka shumë kërkesa të rrëzuara, është një lajm i mirë për dhjetëra ushtarakë, pasi Gjykata ka vendosur të shfuqizojë pjesërisht nenin 14 që ka të bëjë me masën e pensionit të parakohshëm. Sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, asnjë organ shtetëror nuk ka të drejtë të ndërhyjë në vendimet e gjykatave që kanë përcaktuar masën e pensionit për ushtarakët. Qeveria mund të ndërhyjë vetëm në rast se ka ndërmend të rrisë këtë masë pensioni. Në lidhje me vendimin më të fundit të gjykatës kushtetuese vetë kreu i shoqatës kombëtare të ushtarakëve Mehdi Pogaçe ka deklaruar ditën e djeshme për gazetën SOT se të gjitha kategoritë e ushtarakëve janë të kënaqur me vendimin e gjykatës kushtetuese por problem mbetet çelja e pensioneve dhe llogaritja e skemës së përfitimeve për të gjithë personat ushtarakë të cilët do të mund të marrin pensionin e parakohshëm në vite. Sipas Pogaçes në këtë çështje instancat shtetërore duhet të përshpejtojnë dhënien e parave të pensioneve të parakohshme pasi një pjesë dërrmuese e këtyre ushtarakëve jetojnë në vështirësi sociale e ekonomike prej shumë vjetësh. Ndër të tjera Pogaçe thekson faktin se për këtë problem shoqata i është drejtuar me shkresa ku i kërkon shpejtimin e procedurave për dhënien e parave për pensionet, kryeministrit Berisha, Ministrit të financave Bode, por edhe ministrisë së brendshme. Në kërkesën e tyre ushtarakët i kërkojnë këtyre institucioneve shtetërore përshpejtimin e procedurave për çeljen e fondeve për pensionet e parakohshme që tashmë do të përfitojnë sipas vendimit të gjykatës kushtetuese rreth 9985 ushtarakë.
Vendimi
Vendimi i Kuvendit në muajin maj të viti të kaluar miratoi ndryshimet në ligjin për pensionet e ushtarakëve. Ky vendim solli reagimin e menjëhershëm të shoqatave që përfaqësojnë të drejtat e kësaj kategorie. Pas dekretit të presidentit, ushtarakët iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese. Kjo ishte hera e dytë që ushtarakët kërkonin shpalljen të papërputhshme me Kushtetutën, një ligj për pensionet e tyre, e njëjta situatë është përsëritur edhe në vitin 2007. Megjithëse atëherë Gjykata vendosi në favor të ushtarakëve ai nuk u mor asnjëherë parasysh. Në atë kohë, ushtarakët kërcënuan se do t'i drejtohen Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg nëse Gjykata vendos për ta shpallur antikushtetues këtë ligj dhe ai nuk merret përsëri parasysh nga qeveria.
Ligji
Fatkeqësisht ky ligj prek edhe ata që janë në detyrë tani, pasi sjell uljen e masës së pensionit, çka ndikon në demotivimin e tyre. Sipas të dhënave të zyrtare, rreth 9985 persona do të përfitojnë aktualisht nga zbatimi i këtij ligji nëse do të hyjë në fuqi ashtu siç është deklaruar. Nga detajimet e bëra rezulton se nga numri total i përfituesve, 9602 janë ushtarakë dhe 382 janë ish-policë. Ndërsa buxheti që do të shpenzojë qeveria për sigurimin e kësaj shtrese mendohet të arrijë në rreth 840 milionë lekë në vit. Sipas ndryshimeve të bëra në ligjin e ri për pensionet, drejtuesit e Shoqatës pohojnë se ka ndryshuar skema e pensioneve suplementare të pleqërisë. Nëse në ligjet e aprovuara më parë ka pasur një skemë vjetërsie të përcaktuar që me 15 vjet shërbim merrje 40 për qind të pagës, ligji i miratuar së fundi e ka përcaktuar se çdo vit do të jepet vetëm një për qind. Kështu, nëse një ish-ushtarak ka rreth 20 vjet do të trajtohet me 20 për qind të pagës, por jo më shumë se 50 për qind. Kjo për ish-ushtarakët është shumë cenuese, pasi përsërit në thelb të njëjtën gjë të rrëzuar edhe nga organet gjyqësore më parë. Vendimi që duhet rishikuar për pensionet e parakohshme .
Ja sa duhet të përfitojnë ushtarakët për pensionet e parakohshme
a) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën kohore nga 1.10.1993 deri më 31.12.1993, me masë pensioni nga 1 286 lekë e lart dhe që vazhdojnë të paguhen deri më 31.8.2002, të shtohen me shuma fikse nga 60 lekë deri në 1 771 lekë.
b) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën kohore nga 1.1.1994 deri më 30.9.1994, me masë pensioni nga 1 973 lekë e lart dhe që vazhdojnë të paguhen deri më 31.8.2002, të shtohen me shuma fikse nga 60 lekë deri në 1 278 lekë.
c) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën kohore nga 1.10.1994 deri më 30.4.1995, me masë pensioni nga 2 253 lekë e lart dhe që vazhdojnë të paguhen deri më 31.8.2002, të shtohen me shuma fikse nga 60 lekë deri në 1 278 lekë.
ç) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën kohore nga 1.5.1995 deri më 30.9.1995, me masë pensioni nga 2478 lekë e lart dhe që vazhdojnë të paguhen deri më 31.8.2002, të shtohen me shuma fikse nga 60 lekë deri në 1 278 lekë.
d) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën kohore nga 1.10.1995 deri më 30.3.1996, me masë pensioni nga 2 776 lekë e lart dhe që vazhdojnë të paguhem deri më 31.8.2002, të shtohen me shuma fikse nga 60 lekë deri në 1 278 lekë.
dh) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën kohore nga 1.4.1996 deri më 31.12.1996, me masë pensioni nga 3420 lekë e lart dhe që vazhdojnë të paguhen deri më 31.8.2002, të shtohen me shuma fikse nga 60 lekë deri në 672 lekë.
Arta AGOLLI