Mihal Luarasi: Mungesa e të rinjve, katastrofë për teatrin
Fatkeqësisht, pas rënies së regjimit të vjetër, teatri shqiptar pësoi deformime dhe dëme, të cilat ende nuk po marrin rrugë të ndreqen, kështu u shpreh në një intervistë dhënë për gazetën regjisori i njohur Mihal Luarasi. Me një kontribut të vyer në skenën
teatrore shqiptare, regjisori Luarasi tregon se sot janë të shumta problemet që ndeshen sot në teatër. Sipas tij, sot mungon mendësia e drejtuesve të teatrove ndaj dramës shqipe, që ajo të ketë dhe një zhvillim më të madh, duke theksuar se për sa kohë nuk do të ndryshojnë politikat që ndiqen ndaj këtyre institucioneve, sërish teatrot do të jenë mes problemeve të shumta. Më tej në vijim të kësaj interviste, ai pohon se konsiderohet një katastrofë mungesa e të rinjve në teatër.
-Çfarë mendoni sot për teatrin shqiptar?
Fatkeqësisht, pas rënies së regjimit të vjetër, teatri shqiptar pësoi deformime dhe dëme, të cilat ende nuk po marrin rrugë të ndreqen. Në vend që të ndodhte gjëja kohën e diktaturës, megjithë ideologjizimin e rreptë dhe mungesën e lirisë së krijimit, sistemi teatror funksiononte. Pas kthesës, duhej të kish ndodhur gjëja më e thjeshtë, çideologjizimi komunist dhe liria e krijimit. Mirëpo përtej këtyre, sistemi u shkërmoq. Teatrot e rretheve nuk punojnë normalisht. Decentralizimi, fuqizimi ekstrem i pushtetit vendor edhe mbi artin dhe kulturën, ka bërë që funksionimi i teatrove të varet nga shijet e bashkive, nga prirjet e kryetarëve të tyre. Deri tani nuk ka një ligj të Kuvendit që ti verë kushte bashkive lidhur me mbarëvajtjen e teatrove të tyre. Unë shpresoj se me projekt-ligjin e amenduar që është përgatitur këto do të korrigjohen. Sidomos pika më e rëndësishme ajo 30 përqindëshit të buxheti do tu japë bashkive duhet ti kushtohet kulturës. Shpresojmë që teatrot do të marrin atë që u takon.
-Vetëm financimi është sipas jush i vetmi problem në teatër?
Sigurisht që jo. Problemet janë të shumtë. Një nga këto është ai i qarkullimi të teatrove mes tyre, turnetë që dikur kanë qenë të detyruara. Veçanërisht Teatri Kombëtar duhet ti shfaqi spektaklet e veta në të gjithë hapësirat e kombit, jo vetëm në Tiranë. Për këtë natyrisht duhen fonde të posaçme. Teatrot ekzistuese, janë të gjitha teatro shtetërorë, mbahen nga shteti, financohen prej tij, por shteti duhet të ketë edhe kërkesa ndaj tyre. Teatrot janë pjesë e pandarë e kulturës të kombit tonë dhe duhet ti shërbejnë këtij. Lidhur me këtë, duhet të ketë marrëveshje detyruese, lidhur me dramaturgjinë shqipe. Duhet një raport i drejtë midis veprave origjinale shqiptare dhe atyre të huaja moderne e klasike. Deri tani ky raport është në disfavorin e dramave vendase. Ky raport, është i njohur kudo në botë. Secili shtet sëpari financon zhvillimin dhe përhapjen e kulturës së vet. Shko, ta zëmë, në ambasadën franceze dhe kërko të të sponsorizojnë vënien në skenë të një vepre të Shekspirit. Ata nuk të japin gjë e të thonë ejani kur të kini për të vënë ndonjë vepër të Molierit! Edhe për shtetin shqiptar duhet të jetë e njëjta gjë. Ky jep, me të drejtë, për dramaturgjinë në përgjithësi, por nuk përcakton raporte dhe regjisorët dhe drejtorët priren ndaj të huajës. Ky pozicion bie ndesh me kërkesat dhe shijet e shikuesve shqiptarë që preferojnë veprat tona.
-Në takimin që u bë me përfaqësues të artit skenik mbi ndryshimet në ligjin e arteve, u fol edhe për krijimin e një qendre kombëtare të arteve. Sipas jush sa efikase do të jetë krijimi i saj, por ku qëndron edhe frika në funksionin e saj?
Të dy ligjet e mëparshëm për artin skenik, ishin të pazbatueshëm, joefiçentë. Në atë kohë kam shkruar disa artikuj kundër atyre ligjeve. Ministria e tanishme e Kulturës I ka rishikuar ato ligje, ka përgatitur amendimet përkatëse dhe e ka zgjeruar sferën e veprimit mbi të gjithë artet me përjashtim të kinematografisë. Siç duket do të jetë një strukturë kolosale, jashtë ministrisë por e varur prej saj, kurse Qendra e Kinematografisë është e pavarur, me buxhet të vetin. Një buxhet, sipas meje, shumë i mirë për projektet filmike, për tu pasur zili nga ne të teatrit dramatik. Duke u rikthyer tek pyetja juaj, Qendra që do të miratohet, do ti përmbledhë të, siç e thamë, të gjitha llojet e arteve, të gjitha zhanret skenike nga Opera deri tek Cirku. Të gjithë do ti drejtohemi kësaj qendre për finalizimin e projekteve tona. Hamendësoj një strukturë multifunksionale, së cilës, hë për hë, nuk i dihet rezultati i ardhshëm. Do të shohim më qartë kur të dali ligji i plotë dhe sidomos, nënligjoret. Sipas ministrisë, miratimi i ligjit do të jetë shumë i shpejtë, me që gjithçka është gati.
-Si e shikoni idenë e krijimit të teatrit të komedisë? Ku ka arritur deri tani puna për këtë institucion?
Dua të theksoj se e shoh shumë pozitiv vendimin për krijimin e tij. Nuk jam në një mendje me disa, kolegë tanë dhe jo, që kanë shprehur mendime kundër dhe sidomos me detraktorë të tjerë që e konsiderojnë të pakuptim një teatër të tillë. Megjithëse, për arsye paralelizmi historik, disa e lidhin krijimin e këtij teatri, me mungesën 20 vjeçare të teatrit të estradës, me plotësimin e mungesës së tij. Teatri Kombëtar i Komedisë, nuk do të jetë teatër estrade. Unë jam një nga tre të thirrurit për të përgatitur strukturën e teatrit të ri. Dhe ajo është gati. Pritet miratimi i ligjit të ri që zyrtarisht të konsiderohet i krijuar Do të jetë një teatër si gjithë të tjerët, me prirje drejt veprave dramaturgjike të humorit dhe satirës. Veprat e kësaj sfere, gjinitë, llojet dhe zhanret, janë të panumërta dhe ky teatër nuk do të vuaj për të gjetur repertor. Për sa i përket skenës se ku do të punojë provizorisht i riu, me sa di unë, deri sa të përfundojë ndërtimi i teatrit tek piramida, trupa e re do bëjë prova dhe do të shfaqë, o në skenën e vogël të TK, ose në atë të Akademisë së Arteve. Edhe ky teatër do të ketë strukturën e ndryshuar, drejtor-udhëheqës artistik-regjisor, sipas ligjit të ri. Sepse siç dihet, një nga gabimet e çuditshme të këtyre viteve që kaluan ishte edhe eliminimi nga organika e TK i udhëheqësit artistik dhe regjisorit.
-Çfarë mendoni për regjisorët e rinj, sa hapësira kanë ata për të shfaqur vlerat e tyre artistike?
Problemi i të rinjve, sa i takon regjisorëve dhe aktorëve unë kam bërë vetë një sondazh për ata të rinj që kanë mbaruar Akademinë e Arteve për këto degë dhe është një shifër shumë e lartë. Vetëm regjisorë janë rreth 70 të rinj dhe sigurisht që një pjesë e tyre kanë zënë vend në televizione të ndryshme, por janë dhe një pjesë tjetër që janë të papunë ose punojnë jo në profesionin e tyre. Tani çështja e këtyre të rinjve është e pazgjidhur. Është një çështje shumë komplekse dhe lidhet dhe vetë me Akademinë e Arteve. Unë njoh disa akademi evropiane dhe kur vjen një moment që janë një numër i madh aktorësh dhe regjisorësh, akademia bën një ose 2 vite pushim, duke mos marrë studentë si në aktrim ashtu dhe në regjisurë, ndërsa tek ne vazhdon pa ndërprerje marrja e studentëve për regji dhe aktrim. Për mua kjo nuk është normale, por këtë e di vetë akademia, por dhe ata që konkurrojnë në këto degë. Unë ndërkohë që këtë e them me fakte që papunësia e tyre është e lartë edhe sikur dhe 10 teatro të rinj të hapësh, sërish nuk arrin dot ti punësosh të gjithë.
-Sipas jush çfarë duhet bërë, që të ndryshojë kjo situatë?
E kam thënë dhe në 65-vjetorin e Teatrit Kombëtar, që raporti mes moshave në trupën e tij është anormal. Mosha mesatare është 45 vjeç dhe këtu mungojnë të rinjtë. Pra ky raport duhet që të ndryshojë sa më shpjet, pasi është një katastrofë për teatrin. Për mua mungesa e të rinjve në teatër është katastrofë, sepse atje duhet të ketë zinxhirë të brezave por ndërkohë që kjo mungon. Nuk mjaftohesh me të rinj që janë jashtë teatrit ti aktivizosh, por ato mungojnë në strukturën teatrore. Ne nuk kemi pasaardhës të emrave të mëdhenj të teatrit, nuk kemi zëvendësues të këtyre emrave që kanë lozur figura të mëdha teatrore dhe mungojnë si aktorët meshkuj dhe ato femra.
-Si e komentoni mungesën e dramës shqi