E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefekti mbledh shtabin për sezonin turistik, rregulla të forta për sigurinë e pushuesve

Prefekti i Qarkut Tiranë Keltis Kruja ishte i pranishëm ditën e djeshme në qytetin e Kavajës në mbledhjen e shtabit të punës për marrjen dhe bashkërendimin e masave për garantimin e rendit dhe rritjen e sigurisë publike, gjatë sezonit turistik veror 2010.

Në këtë takim Prefekti vuri në dukje se turizmi është një nga prioritetet kryesore të qeverisë Shqiptare dhe kjo është e shprehur më së miri në programin e saj qeverisës afatshkurtër dhe afatgjatë. Ai kërkoi si   nga  drejtuesit e njësive vendore të pranishëm edhe nga drejtuesit e institucioneve qendrore në nivel vendor, ta konsiderojnë çështjen e turizmit si çështjen kryesore të ditës dhe të angazhohen maximalisht me të gjitha kapacitetet për ti garantuar pushuesve një qëndrim sa më të këndshëm e komod pranë destinacioneve turistike në qarkun e Tiranës. Prefekti vuri theksin në disa çështje të cilat ai i konsideroi si më kryesoret. Disiplinimi i lëvizjes së motorëve të ujit. Kontrolli i standartit të ujit të pijshëm si dhe ushqimeve apo pijeve që tregtohen në zonat turistike. Por gjithashtu prefekti Kruja vuri theksin edhe në marrjen e masave për eliminimin e zhurmave nga lokalet e natës. Gjithashtu, vijoi Prefekti duhet të merren masa për pastrimin e plazheve nga mbeturinat dhe largimin e tyre. Ndër masat e marra është edhe sigurimi i shërbimit shëndetësor 24 orë. Marrjen e masave nga policia rrugore në drejtim të rritjes së sigurisë në rrugë, parandalimit të aksidenteve dhe krijimin e kushteve për një lëvizje dhe qarkullim pa pengesa të mjeteve dhe këmbësorëve sidomos në akset Tiranë-Durrës , Durrës-Kavajë. Ndërkohë që do të merren masa sipas prefektit Kruja edhe për sigurimin e shesheve për parkimin e automjeteve. Gjithashtu prefekti i kryeqytetit urdhëroi krijimin imediat të kushteve për funksionimin e grupeve të dhënies së ndihmës së shpejtë dhe shpëtimit  për gjatë vijës së plazhit në raste kur rrezikohet jeta e pushuesve nga mbytjet në ujë, rreziku nga zjarri dhe nga aksidente të tjera, si dhe të vendosë tabela në rrugët hyrëse të plazheve me numrat e tel të policisë së shtetit zjarrfikësve si dhe tabelat për zonat e rrezikshme për jetën. Në përfundim Prefekti Qarkut Tiranë si  kryetar i  Shtabit të Punës kërkoi nga të pranishmit informacion të përditshëm dhe i garantoi ata se do të ndjekë me përparësi deri në zgjidhje të plotë çdo problematikë që do të haset në ditët në vijim. Në takim ishin të pranishëm nën prefekti i Kavajës Galip Ramadhi si edhe zv Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë Gjergj Jorgo.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›