E Shtunë, 31 Tetor 2026

A. Popullit: Në paraburgimin e Kukësit mungojnë shtretërit

Inspektorët e Avokatit të Popullit kanë udhëtuar pak ditë më parë drejt Kukësit, ku kanë inspektuar paraburgimit e qytetit të Kukësit. Sipas raportit të firmosur nga Ermir Dobjani, në paraburgimin e Kukësit janë konstatuar mjaft probleme. Inspektorët kanë vërejtur se 22 dhomat e paraburgimit që ndodhen në katin e poshtëm të ndërtesës së Komisariatit të Policisë, ka qenë dhoma izolimi të sistemit komunist. “Grupi inspektues konstatoi se në dhomat ku mbaheshin të paraburgosurit nuk kishte shtretër. Dritaret e dhomave ishin të vogla dhe për rrjedhojë, nuk kishte ajrim të nevojshëm. Nuk funksiononte sistemi i ngrohjes apo ftohjes për të paraburgosurit, çka vështirëson qëndrimin e tyre, sidomos në periudhën e dimrit i cili në Kukës është i ashpër”, - thuhet në raportin e Dobjanit. Më tej është vërejtur se mungojnë ambientet e ajrimit, uji, nuk ka vend të përshtatshëm për takimet e të paraburgosurve me familjarët, mungonin sallat e leximit. Gjithashtu, në qelitë e paraburgimit është vërejtur mungesa e psikologut. Avokati i Popullit rekomandon përshpejtimin e procedurave për ndërtimin e godinës së re të paraburgimit, e cila është në projekt dhe në mënyrë urgjente vendosjen e krevateve, pasi të paraburgosurit detyrohen të shtrihen përtokë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›