E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha akuzon prokurorin e çështjes “Trebicka”: Është i lidhur me Hakmarrjen për Drejtësi

Nga Armand Maho

Kryeministri, Sali Berisha, ka akuzuar dje në Kuvend opozitën se kërkon të eklipsojë arritjet e qeverisë së tij. Sipas tij, protestat për Gërdecin, misrin pa kokrra, apo dhe akuzat për lidhjet e kryeministrit me Fazlliç bëhen me qëllimin e vetëm për të penguar integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE. “Ju keni një publicitetet tmerrësisht demaskues, të ndjekim pak çfarë ndodhi në Tiranë më datën 3 prill, 30 minuta para se të votohej ftesa për Shqipërinë, mediat tuaja, të vetmet në botë, iu deklaronin shqiptarëve se nuk do të pranohej Shqipëria. Më datën 9 korrik, përfaqësues të 26 vendeve anëtare të NATO-s së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s firmosën Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kurse ju çfarë bëtë, u morët me misër dhe kallamoqër dhe që në këtë parlament jo që nuk shqiptuat një fjalë mirënjohjeje dhe falënderimi, por u bëtë si misri, vetëm sa nuk përdorët mustaqet e tij për flokët dhe mustaqet tuaja. Do të vij te shtatori, muaj në të cilin duhej të ratifikohej në Senatin e SHBA, i cili kishte një axhendë të ngjeshur për shkak të zgjedhjeve dhe për shkak të problemeve financiare, por miqtë e mëdhenj të Shqipërisë në krye të Komisionit të Jashtëm dhe të Senatit bënë një akt të jashtëzakonshëm, e futën për shqyrtim në rendin e ditës së Komisionit të Jashtëm”, - tha kryeministri.

Duke iu rikthyer dhe njëherë fjalorit të kohës kur ishte në opozitë, Berisha nuk la pa përmendur dhe vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka. Berisha u shpreh se opozita këmbënguli të fusë ekspertin shqiptar për të bërë konstatimet për vdekjen e Trebickës, pasi ai është i lidhur me grupin Hakmarrja për Drejtësi duke hedhur njëkohësisht dhe akuza për prokurorinë shqiptare. “Të nderuar zotërinj, tani vjen tetori, dhe jo vetëm kaq, por dua ta theksoj prapë, siç kam theksuar prapë herë tjetër, në momentin kur pritej ekspertiza, me elementë të papërgjegjshëm në prokurori, ju u përpoqët që të manipuloni mediat dhe i thatë medias se ne nuk do të njohim, sipas tyre, ekspertizën e krye-ekspertit amerikan, sepse kemi ekspertin tonë, i cili i përkiste pikërisht klanit të Hakmarrjes për Drejtësi, i cili ishte një me atin e tyre. Po, po, dhe aty i kishit varë shpresat ju, nuk kërkuat dot ndjesë përpara shqiptarëve, zotëri, pas kësaj, shpikët dhe trilluat një seri historish”, - tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›