Gazideden e shanë, e fyen, e urryen e pastaj ai fitoi
Gjuha që u përdor ndaj ish-drejtuesit të parë të Shërbimit Informativ të vendit pas rënies së regjimit komunist, Bashkim Gazidede, nga Partia Socialiste në opozitë dhe mediat e rreshtuara në anë të saj gjatë viteve 1994-1998 ishte e ashpër dhe e ligë pakrahasimisht. Virusi i Ebolës (ai ka përpos të tjerash fije shumë të gjata dhe të përdredhura), kishte dalë ose u nxor nga laboratori atëbotë dhe bëri që stili i zvjerdhur socrealist të fitonte tinguj dhe ngjyra tërë helm ndaj tij. Ato që u thanë ndaj këtij njeriu, nuk u thanë kurrë për krerët e Sigurimit të Shtetit të regjimit komunist që kishte ndjekur, arrestuar e vrarë shqiptarë për shumë vite. Ende partitë në të majtë të politikës shqiptare, së bashku me zërat e majtë të shoqërisë, nuk kanë përdorur një gjuhë kritike ndaj Sigurimit të Shtetit, sa ç’kanë përdorur gjuhë urrejtjeje ndaj Bashkim Gazidedes. Bashkim Gazidede e mori drejtimin e Shërbimit Informativ, pasi u zhbë Sigurimi i Shtetit e kësisoj ai kishte në dorë dokumentacionin për veprimtarinë e kësaj organizate kriminale prej qindra-mijëra anëtarësh. Ai kishte detyrën që në vend të kësaj organizate të tmerrshme të ndërtonte një shërbim informativ që të ruante rendin kushtetues në vend, i cili tashmë ishte demokratik. Rreziku më i madh i rendit të ri kushtetues në vend vinte nga njerëzit që për dekada të tëra kishin sunduar me ideologjinë e tyre dhe kishin vrarë çdokënd që e mendonin kundërshtar. Pjesa më e errët e këtyre njerëzve ishin në shërbimin që kishte për detyrë ta ndryshonte z. Gazidede, i cili dëshmoi se e dinte këtë gjë. Ai largua nga vendi i akuzuar për krime kundër njerëzimit e gjenocid - një akuzë e tillë nuk është ngritur për mijëra pushkatime pa gjyq, për dhjetëra të vdekur kampeve, e për qindra pa varre prej Sigurimit të Shtetit - në një kohë që askush nuk ishte vrarë nga oficerë dhe punonjës të shërbimit. E kundërta kishte ngjarë, oficerë dhe punonjës të Shërbimit Informativ ishin vrarë barbarisht nga njerëz që tashmë ishin në anën e formuluesve të akuzave. Pas gjuhës së urrejtjes së atyre viteve pati disa vite neglizhencë ndaj tij prej shtypit të partive tashmë në pushtet. Pati edhe disa raste kur lëbyreshin kënaqësie me tallje se e çuan të japë mësime në Siri apo vende të tjera andejpari. Ai u kthye në vend gjithë përvujtni, pa asfare kryenaltësi dhe pranoi të punojë në një zyrë modeste të shtetit. Familja e tij, shumë e njohur në Dibër, gjatë viteve të komunizmit nuk kishte pranuar të bashkëpunonte me sëmundjen komuniste. As afrimin e vdekjes së shqiptarizmës po kësisoj nuk e pranuan. Këto e çuan natyrshëm me besim dhe përvujtni Gazideden te forcat kundërkomuniste në 1991. Ai ka besuar se mirënjohja - dhe jo vetëpohimi, vetëmburrja - ishin vlera thelbësore të njerëzve. Në fakt, atij vetë edhe në ditën e varrimit opozita e sotme dhe krahët e saj i dërguan diçka tjetër - fyerjen. Nuk ka asnjë vlerë të thuash më shumë. Lenini thoshte se fjala moral është nocion borgjez, duhet luftuar me zjarr. Frika më e madhe e Leninit ishte kundërrevolucioni dhe ai i trembej atij, vetëm sepse ai merrte si premisë moralin. Këtu është ndarë edhe Gazidede me ata që e shanë, e urryen dhe e fyen. Kjo është arsyeja pse Gazidede fitoi. Mahatma Gandi, legjenda me përmasa të gjithëbotshme e lëvizjes paqësore në Indi, thoshte: “Në fillim të shajnë, pastaj të urrejnë, pastaj të fyejnë e pastaj ti fiton.”