Mos iu besoni sondazheve
Zgjedhjet presidenciale në SHBA nuk do të jenë të lira dhe të drejta, sepse miliona zgjedhësve ose nuk do t'u lejohet të votojnë, ose nuk do t'u numërohen votat siç duhet. Kjo mund t'i kushtojë Barack Obamës me Shtëpi të Bardhë, edhe nëse ai fiton shumicën e votave më 4 nëntor. Ky deklarim sensacional bazohet në një hulumtim nga “New York Times”) dhe BBC Newsnight. NYT gjeti që në disa shtete për secilin votues të regjistruar gjatë muajve të kaluar, dy votues janë hequr, duke shfuqizuar lëvizjen e madhe të Obamës për të regjistruar votuesit e vet. Ky spastrim i votuesve mund të thotë se më pak njerëz do të votojnë tani nga sa kanë votuar në vitin 2004.
Në Colorado, për shembull, ku ka ndodhur një rritje e madhe e popullatës që nga zgjedhjet e fundit presidenciale, shteti ka regjistruar një humbje prej afro 100,000 votuesish nga regjistrat e tij, që nga viti 2004. Louisiana, Michigan dhe Colorado po shlyejnë votues të regjistruar nga regjistrat e tyre brenda 90 ditëve para zgjedhjeve federale, gjë e cila është ilegale, pos nëse votuesit kanë vdekur, i lajmërojnë autoritetet se janë bartur jashtë shtetit apo janë deklaruar të paaftë për votim. Ky shpërdorim i gjerë elektoral është në mënyrë të pavarur i vërtetuar nga një hulumtim i Newsnight nga ana e Greg Palast. Ai na kujton se gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2004, 1.6 dhe tre milionë vota ishin dhënë, por kurrë nuk ishin numëruar, sipas Komisionit për Ndihmë Elektorale të SHBA. Këto janë mjaft vota, sa për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve dhe mund ta kishin dërguar John Kerry-n në Shtëpinë e Bardhë.
Palast thotë se afro tre milionë votues tashmë janë shlyer nga regjistrat e votuesve, shumica votues të varfër apo me ngjyrë, të cilët më shumë kanë shanse të votojnë për demokratët. Gjatë zgjedhjeve në New Mexico në fillim të këtij viti, një në nëntë votues zbuluan se emri i tyre ishte zhdukur nga regjistrat e votuesve. Në Colorado, heqja e së drejtës për votim është edhe më e madhe, me 20% të votuesve të shlyer nga lista. Kjo ka ndodhur edhe më herët. Gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2004, një nga katër votues të regjistruar të Ohios shkuan te vendvotimet për të zbuluar se emrat e tyre nuk ishin në regjistrin e votuesve, një shkallë e përjashtimit prej 25%. Udhëheqësit demokratë janë tepër lartë në euforinë e tyre “Po, ne mundemi”, duhet të çojnë pluhur për shkak të kësaj heqjeje masive të së drejtës së votuesve të tyre. Ata me naivitet mendojnë se udhëheqja e Obamës nëpër sondazhe do t'i sjellë fitoren atij, pavarësisht nga njëanshmëria në regjistrat e votuesve. Mund të ndodhë. Por, prapëseprapë, mund edhe të mos ndodhë. Një formë tjetër e përjashtimit të votuesve po ndodh në Michigan, ku 62,000 familje me të ardhura të ulëta, shumica përkrahës të demokratëve, ballafaqohen me humbjen e shtëpive të tyre për shkak të krizës ekonomike. Humbja e vendbanimit do të thotë humbja e adresës së tyre votuese dhe të së drejtës së tyre për votim. Shumica e dëbimeve nga shtëpitë po orkestrohen nga një kompani që përkrah Partinë Republikane.
Michigani nuk është vetëm. Në disa shtete të rëndësishme, përfshirë Nevadan dhe Floridan, humbja e shtëpive dhe me këtë humbja e së drejtës për votim mund të ndikojë në rezultat dhe të vendosë për presidencën. Njëanshmëria e zgjedhjeve nuk ndalet këtu. Strategu republikan, Karl Rove, ka përkrahur një ligj të ri që kërkon nga votuesit të tregojnë karta identifikimi me foto te vendvotimet. Një në dhjetë qytetarë të SHBA nuk kanë karta identifikimi me foto. Mes afroamerikanëve është një në pesë. Kjo kërkesë do t'ua heqë të drejtën e votimit miliona amerikanëve të varfër, të moshuar dhe zezakë, të cilët kanë tendencë të votojnë për demokratët. Në një shtet të asnjanshëm, Indiana, vlerësohet se 10,000 afroamerikanë mund të humbasin të drejtën e tyre për votim. Një kombinim i shlyerjes së regjistrave të votuesve dhe kërkesës së kartës së identifikimit me foto mund të mjaftojë që të kthejë zgjedhjet presidenciale në favor të John McCain-it, edhe nëse Barack Obama ka një përparësi substanciale në sondazhet e opinioneve në ditën e zgjedhjeve. Duke shkruar për revistën “Rolling Stone” në vitin 2006, avokati i të drejtave civile Robert Kennedy Jr, nipi i JFK, zbuloi se si parregullsitë e votimit në vitin 2004 mjaftuan që republikanët të vjedhin presidencën. Ai gjithashtu ka demonstruar se makinat elektronike për votim, të cilat do të përdoren më 4 nëntor, nuk janë të sigurta dhe të sakta, dhe se lehtë në to mund të ndërhyhet. Aq më shumë, ai tregon se tre nga katër kompanitë, të cilat furnizojnë vendvotimet me makinat votuese dhe i numërojnë votat kanë lidhje të afërta me Partinë Republikane.
Duke shkruar për të njëjtën revistë këtë muaj, Kennedy dhe Palast dokumentuan parregullsi elektorale në shkallë të lartë nga ana e republikanëve, për të cilat ata besojnë se janë të mjaftueshme për të rrotulluar zgjedhjen. Ky zbulimi i hulumtuar me përpikmëri dhe katalogu dokumentar dëshmojnë se republikanët tashmë mund t'i kenë vjedhur zgjedhjet presidenciale të vitit 2008.
“Nëse demokratët do të fitojnë zgjedhjet e vitit 2008, - konkludojnë Kennedy dhe Palast, - ata nuk duhet që thjesht të mundin John McCain-in te vendvotimet, por duhen ta mundin me një tepricë, e cila do ta tejkalojë nivelin republikan të ngatërrimit të votave.”