E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do ta fitojë Edvin Rama “Revolucionin e Kutive”?

Udhëtimi i Edvin Ramës në Strasburg, ishte  dështimi i radhës, por jo i fundit. Nëse do të pranonim se dështimet kanë një fund, atëherë fundi i dështimeve të kreut socialist, do të kishte mbaruar qyshkur. Por, për fat të keq, dymetroshi i PS i ka veshët tepër lart për të dëgjuar çka flitet në mjedise njerëzore. Tashmë, ka afro gjashtë muaj që në mjedise njerëzore flitet për t’i dhënë fund bojkotit, kurse ai hiç. Nuk dëgjon a nuk do të dëgjojë, punë e tij. Ama njerëzve u ka ardhur në majë të hundës, qoftë të vetëve, qoftë të palës tjetër, qoftë asnjanësve. Veshët, i kanë zënë me pambuk vetëm ca të dyshimtë që i shkojnë pas. Po t’i hidhje një sy fotos së takimit që ai, Arta Dade e Taulant Balla patën në Strasburg, do t’i gjykoje të tepërta gjithë arsyetimet, komentet ose hamendjet.Për çka e gënjen mendja Edvin Ramën? Se do të  arrijë kund me bojkot e me protesta për hapje kutish?Le të heqim një paralele mes ngjarjeve në Ukrainë gjatë të ashtuquajturit “Revolucioni Portokalli”, në vitin 2004,  dhe miniprotestave të udhëheqësit socialist, të rriturit me pekulet e ish-bllokut enverhoxhist. A ka ndopak ngjashmëri mes uraganit portokalli ukrainas dhe qofteve të ofruara dhjetorin e kaluar në bulevardin Dëshmorët e Kombit, në Tiranë? Të vjen për të qeshur, të kërkosh diç të ngjashme. Ukrainasit properëndimorë i mbështeti asohere e gjithë bota, përveç Rusisë dhe Bjellorusisë. Po Edvin Ramën? Askush, përveç Arta Dades dhe Taulant Ballës që u çapëlyen së vajturi në Strasburg. Shkojnë për lesh e dalin të qethur, si i thonë një fjale.Le të vazhdojmë me paralelet e nisura. Për dreq,  Edvin Rama, që frymëzon dhe udhëheq gjojaprotestat në Shqipëri, dhe Julia Timoshenko, që frymëzoi dhe udhëhoqi “Revolucionin Portokalli” në Ukrainë, kanë afërsisht të njëjtën moshë, janë brezi i viteve ’60.     Mirëpo, ku Lezha, ku Zharri! Nëse Timoshenko u mbiquajt “L’égérie” (këshilluesja, frymëzuesja), Ramës nuk mund t’i thuash më shumë sesa zjarrvënës i verbër. Nëse Timoshenko frymëzoi një popull të tërë për liri dhe prosperitet, sikurse zonja De Caillavet frymëzoi më të madhin shkrimtar të Republikës së Tretë Franceze, Anatol Frans, Edvin Rama frymëzon më së shumti Dash Pezën a Arta Daden (nuk mund të them se frymëzon Gramoz Ruçin, prej të cilit merr frymëzimin e përditshëm). Mirëpo, as dashpezat, as artadadet, as ngjelat, ndokat e Co. nuk barabiten dot qoftë edhe me mjekrën a me mustaqet e  Anatol Frzansit.Le të vazhdojmë më tej.Që të dy: edhe frymëzuesja e “Revolucionit  Portokalli”, edhe frymëzuesi i “Revolucionit të Kutive”, për dreq, kanë hyrë në politikë në pjesën e dytë të viteve ’90. Ama, ndërsa e para ia hyri politikës pas një “Diplome Nderi” dhe pas një performance në veprimtarinë e saj vetjake, i dyti, pasi pati bojatisur të famshmen revistë të Sigurimit të Shtetit, “Në shërbim të popullit”, u katapultua në politikë nga basifondet e Parisit (Gjetsh belanë, Fatos Nano, që e bleve belanë me para dhe na e bëre peshqesh neve!)Le të heqim edhe një paralele të fundit, jo se është e fundit, por sepse do të humbnim kohën kot duke u marrë me to, ngase shurdhit do t’i hynte nga njëri vesh, do t’i dilte nga tjetri.Nëse Timoshenko u fut në Parlamentin e Ukrainës me një përqindje ndoshta të pakrahasueshme në analet elektorale të vendeve demokratike, pra fitoi 92,3 % të votave, Edvin Rama nuk guxoi të vinte kandidaturën në zgjedhjet e 28 qershorit, sepse e dinte çka e priste dhe sepse, më shumë sesa partisë së tij, synonte t’i shërbente xhepit dhe shpurës që e ndjek pas.Më në fund, do të doja të dija: Pas dështimit të fundit në radhën e dështimeve, a ka ky njeri shpresë se mund ta fitojë “Revolucionin e Kutive”?Dështimi i radhës pritet të shtunën e ardhshme, në  tryezën e bisedimeve të Presidentit Topi: ose në Parlament dhe veshulur, ose lart flamujt e “Revolucionit të Kutive”!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›