Dritan Prifti: Shqipëria dhe Kosova vende tërheqëse për investimet e huaja. Ministri serb braktis forumin në shenjë proteste

Forumi Ekonomik që po mbahet në Verona ka rikthyer pakënaqësitë e palës serbe, lidhur me bashkëpunimin e ndërsjelltë të Shqipërisë dhe Kosovës dhe klimës jashtëzakonisht pozitive që këto vende mbartin për thithjen e investimeve të huaja. Fjala e mbajtur në punime e këtij forumi nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti për bashkëpunimin ndër rajonal të vendeve të Evropës Juglindore, është ndërprerë në mes, pas një proteste të paqartë dhe absurde të ministrit serb të Ekonomisë, Slobodan Milosavljević, se pse homologu i tij shqiptar përmendi disa herë Shqipërinë dhe Kosovën, si vende ideale për zhvillimin e bizneseve të huaja. Protesta e ministrit serb, e çoi atë deri në braktisjen e punimeve të forumit, duke konfirmuar kështu mos shkëputjen e nacionalizmit serb nga vjeturinat e historisë së përgjakur të Sllobodan Millosheviçit. “Ministri i Ekonomisë së Shqipërisë Dritan Prifti krahasoi disa herë Shqipërinë dhe shtetin e vetëshpallur Kosovën si vende tërheqës për investitorët e huaj. Unë ndërpreva konferencën dhe paraqita një protestë të fortë”- citohet të ketë deklaruar ministri serb. Milosavljevic ka shpjeguar protestën e tij pasi, siç tha ai, “po flitej për të ashtuquajturin shtet të Kosovës, i cili nuk ekziston në asnjë ligj ndërkombëtar”. Nga ana tjetër, ministri shqiptar i Ekonomisë, Dritan Prifti, duke përshëndetur punimet e Forumit Ekonomik të Veronës, mbi bashkëpunimin e vendeve të Evropës Juglindore, u shpreh se vendet e ballkanit perëndimor, përfshi këtu Shqipërinë dhe Kosovën, mbartin potenciale të çmuara ekonomike për thithjen e investimeve të huaja. Prifti u ndal te reformat e qeverisë shqiptare në përmirësimin e klimës së biznesit, pas një revolucioni të suksesshëm fiskal. Në fjalën e tij, Prifti ftoi investitorët e huaj që të investojnë në Shqipëri. Lidhur me situatën ekonomike në rajon, Priftoi nuk harroi të përmendë Kosovën, si një vend me ekonomi në rritje dhe potenciale të pashfrytëzuara nga investitorët....