E Diel, 1 Nëntor 2026

Stuart Jones: SHBA mirëpret bashkëpunimin me kabinetin e dalë nga koalicioni i 28 qershorit

Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta u takua dje me Zëvendës-ndihmës/Sekretarin e Shtetit, Stuart Jones, i cili i rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Uashingtonit për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë Pas OSBE/ODIHR dhe Institucioneve të Bashkimit Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë zgjedhjet e 28 qershorit si më të mirat e zhvilluara ndonjëherë dhe brenda standardeve ndërkombëtare. Në këtë drejtim dhe SHBA, certifikon rezultatin e zgjedhjeve, duke i dhënë një shuplakë të rëndë opozitës dhe Partisë Socialiste, për zgjedhjen e gabuar politike, atë të bojkotit. SHBA shprehu këtë qëndrim nëpërmjet Zëvendësndihmës Sekretarit të shtetit, Stuart Jones, gjatë një takimi të zhvilluar në Nju Jork, me Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Gjatë takimit me Jones, biseda u fokusua mbi çështje të bashkëpunimit dypalësh midis Shqipërisë dhe SHBA-së dhe zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Një vend të veçantë në bashkëbisedim zuri edhe diskutimi mbi situatën në rajon dhe perspektivën e saj. Zëvendëskryeministri Meta bëri një paraqitje të zhvillimeve lidhur me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe krijimin e koalicionit qeverisës. Nga ana e tij, Stuart Jones, e uroi Zëvendëskryeministrin Meta për detyrën e rëndësishme. Ai shprehu vlerësimin për zgjedhjet si më të mirat e zhvilluara deri më sot dhe gatishmërinë e mazhorancës për të bashkëpunuar me opozitën në funksion të reformës zgjedhore dhe përmbushjen e vërejtjeve dhe sugjerimeve të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it. Jones e falënderoi për rolin dhe angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, si dhe rritjen e kontributit të saj si vend edhe anëtar i NATO-s, në dobi të paqes e sigurisë në botë. Po ashtu, u shpreh se mirëpret bashkëpunimin e ngushtë me të dhe me qeverinë e re të drejtuar nga kryeministri Berisha, si dhe rikonfirmoi mbështetjen e plotë të SHBA-ve në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Duke u ndalur në zhvillimet në rajon, Zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë në rajon dhe u interesua të dinte më hollësisht mbi situatën në Kosovë e Maqedoni. Lidhur me Kosovën, bashkëbiseduesit ndanë mendimin mbi rëndësinë e përfshirjes së saj në nismat rajonale si garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë. Më tej, Meta dhe Jones biseduan mbi bashkëpunimin e deritanishëm dhe perspektivën e mëtejshme të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për zhvillimet më të fundit në rajon. Ndërkaq, në takimet e tjera, midis Zëvendëskryeministrit Meta me ministrin e Jashtëm të Republikës së Qipros, Markos Kyprianou dhe atë të Rumanisë, Cristian Diaconescu biseda u përqendrua në çështjen e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE dhe procesin e liberalizimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe në marrëdhëniet dypalëshe.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›