A do të fitojë Bariç ndeshjen e parë me Shqipërinë, ashtu si Brigeli me Vietnamin

Shqipëria përgatitet për ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare në "epokën" Baric dhe të 161-n zyrtare të saj, të njohur nga FIFA. Kundërshtari San Marino, i përzgjedhur midis tetë kandidaturave të forta dhe të largëta, si Turqia, SHBA, Uruguaji, Tunizia, Azerbajxhani, është nga më të rëndomtët, por testi me të të paktën i shërben Baric përpara përballjes me Bjellorusinë më 2 shtator në fushatën kualifikuese të Euro 2008.
Lista e lojtarëve të hartuar me shumë kujdes nga Sektori i Ekipeve Kombëtare dhe e firmosur nga kroati Oto Baric ka disa ditë që është hartuar dhe ftesat zyrtare kanë mbërritur në destinacionet e ekipeve shqiptare dhe të huaja.
Ashtu si dhe kisht thënë më parë, trajneri ynë i ri, kroati 74-vjecar do të mbërrijë direkt në San Marino duke shmangur ndalesën e panevojshme në Tiranë.
Megjithatë konfliktet e para duket se do të jenë të pranishme në aventurën e parë të Baric, dhe ato priten të jenë me titullarët veteranë të Kombëtares dhe me disa nga ish-të preferuarit e paraardhësit Hans Peter Brigel, që dhe ai për rastësi e filloi drejtimin e kuqezinjve me ndeshjen miqësore kundër Vietnamit (5-0) në Turneun e Norcias, pikërisht në Itali.
Është ballafaqimi i parë i Shqipërisë me këtë ekip të shtetit të vogël me vetëm rreth 30 mijë banorë (popullsia e 215 në botë) në kampionatin e të cilit marrin pjesë 15 ekipe, të ndara në dy grupe, njëri me 8 dhe tjetri me 7 ekipe.
Kombëtarja e San Marinos ndeshjen e parë zyrtare ndërkombëtare historike të saj e ka zhvilluar më 14 nëntor 1990 kundër Zvicrës në kualifikueset e Kampionatit Europian 1992, të cilën e ka humbur 4-0, ndërsa miqësoren e parë e ka zhvilluar kundër ekipit Olimpik të Kanadasë në vitin 1986 duke humbur 1-0.
Franc Hoxha