E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do të kishim një opozitë si ajo e Ramës në BE?

07-07-2011 / Nga Kostaq Xoxa

E. Rama është personifikimi i hiles, gënjeshtrës dhe mashtrimit në gjirin e PS-së shqiptare. PPSH-ja kishte kumbarë Stalinin për emrin e saj që zëvendësoi emërtimin e P. Komuniste. Kam pyetur shumë socialistë, me të cilët jemi në farefisní, se cilat ishin arsyet e ndërrimit të  këtij emri, përderisa programi ishte po ai: Gjatë Luftës të denigroheshin të gjitha përpjekjet e forcave jokomuniste kundër fashizmit, të premtohej luga e florinjtë, të propagandohej kinse pluralizmi (“pa dallim feje, krahine dhe ideje”) dhe të shkohej gjer në luftë civile për jetësimin e një pushteti totalitar monist. “Pa dallim ideje” ishte një slogan mashtrues, që vazhdoi edhe pas marrjes së pushtetit. “Kush nuk është me ne, është kundër nesh”.
E. Hoxha ishte personi më adapt si shërbestar arrivist, në vështrim të emisarëve të Titos, qysh në themelim të P. Komuniste, nën mbikëqyrjen dhe udhëzimet e Miladinit dhe të Dushanit. Jo se ai ishte “nga të parët”. Përkundrazi. Enveri ishte i kabareve dhe i aventurave në Bruksel, kur Zef Mala, për shembull, punonte me sinqeritetin e një idealisti të pështjelluar nga iluzione eterike, në grupin komunist të Shkodrës. Por skuthët jugosllavë, që bënin kohën e mirë apo të keqe pas 8 nëntorit 1941, e pyetën fill pas shpalljes së Partisë Zefin se përse ky, kur drejtonte grupin komunist të Shkodrës, i mbante lidhjet me P.K.-në italiane dhe jo me atë jugosllave. Si pa të keq, Z. Mala u kishte thënë se me jugosllavët kishin atë problematikën e Kosovës. Fjala iu referua aty për aty Enverit, që u gëzua së tepërmi që të hiqte qafe një rival me kontribute më të mëdha se të vetat. Pas lufte Zef Mala përfundoi burgjeve dhe internimeve. I vetëdijshëm për keqtrajtimet, sido që i pafajshëm, deklaroi se nuk do të votonte fare. Të rinjtë e sotëm nuk e dimë sesa i rëndë ishte ky abstenim. Dhe sa shtrenjtë paguhej! (Z. Mala u rras në burgun e Ballshit, ku vdiq. Dhe s’i janë gjetur eshtrat as sot e kësaj dite...). A thua se do të cenohej ai 99,99 %-shi nga një votë mangut! Në të vërtetë as shifra e të qindtave (ajo e dyta pas presjes dhjetore) nuk do të lëvizte. Nuk kuptojnë këta fanatikë se kështu dalim në një deduksion absurd:  Në 100 votues, paskemi 0,01 kundër. Kjo do të thotë se në 100 X 100  votues kemi 0,01 X 100 = 1 votues kundër. Pra, 1 armik në 10.000 veta ose 100 në 1 milion. I bie se gjithsej kemi rreth 250 armiq! ( në popullsinë fill pas lufte). Kur dihet se të internuar, të burgosur, të vrarë me gjyq e pa gjyq, individë pa triska fronti, shto edhe familjarët e tyre, janë me  mijëra e me mijëra! Atëherë nuk na mbetet veçse të themi se “edhe armiqtë votojnë për ne”! Apo s’kemi armiq dhe, atëherë, kot bëhet lufta e klasave!
Sadam Hyseini i Irakut, i vetëdeklaruar si admirues i Stalinit,  e çoi edhe më tej karagjozllëkun. Ai në zgjedhjet e fundit – para se të binte nga fiku, - kishte deklaruar se irakenët e kishin votuar me 100 %! Bash ai, që i varte nëpër pemët e bulevardit kundërshtarët e tij politikë!
Që t’i kthemi sërish Zef Malës, e pësoi, për lidhjen miqësore që kishte me të, edhe dramaturgu Xhemal Broja. Së bashku me bashkëshorten Selfixhe Broja (Ciu), u internuan në një fshat të humbur të Kurveleshit, tok me vajzën e mitur. Selfixheja ka pas qenë nga të parat e lëvizjes nacionalçlirimtare. Kishte talent letrar dhe shkruante, para Luftës,  me pseudonimin Kolumbia. Kujtimet e saj, në një libër vuajtjesh mbresëlënëse, lexohen me një frymë, si një roman. Ajo shkruan për Zefin se ka lënë një testament politik, që ka dalë me shkrimin e Zefit, me anën e një personi të besuar, që do të lirohej: Shkruante: “Ne, që kemi kontribuar për t’i prurë popullit tonë këtë kolerë të kuqe, duhet t’i gjunjëzohemi këtij populli fatkeq dhe, me lotë në sy, t’i kërkojmë ndjesë për fatkeqësinë që i sollëm, nëse nuk gjejmë kurajën që, si Jan Palah në Pragë të spërkatemi me benzinë dhe t’i vëmë zjarrin vetes, në sheshin qendror!”.
Selfixheja shkruan se komunizmi është emblema e hipokrizisë, mashtrimit dhe keqbërjes...
***
Edi Rama është personifikimi i atyre veçorive që sapo u thanë . Komunizmi shqiptar (enverizmi), për më tepër, është edhe negacioni i interesave kombëtare. Ai “antikomunizmi ekstrem” i vet, që dëshmohet në “Refleksionet” e vitit 1991, nuk është veçse reagimi skizofrenik i tij, për shkak se ia shpërfillën kategorikisht përbetimet dhe ia quajtën si orvatje të një aventurieri për të bërë karrierë në kushtet e ndërrimit të sistemeve.
Mërgoi në Francë, duke i këputur edhe një të sharë atdheut që s’pati besim te fjalët e tij bubulluese. Çuditërisht në vitin 1998 erdhi në poltronën e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Periudha ne krye të këtij dikasteri ka qenë ajo më shterpja e të gjitha kohëve të shtetit tonë pas 1912-s. Aktivitetet kulturore i përfshiu letargjia. Mbetën vetëm ekstravagancat e mbushjes së mureve të ministrisë me “mbani qetësi”. Ai që kishte shurdhuar veshët e dynjasë me retorikë boshe, tani kërkonte që të ishim si në një tempull. Madje titullarët e drejtorive, duhet të zbrisnin poshtë te porta, për takimet korrente. Artistët mbetën pa asnjë aktivitet dhe zëri i tyre për të dhënë ndonjë mendim, brutalizohej.  Demonstrata e tyre qé origjinale: Kënduan arien e Nabukos para shkallëve të biletarisë së TOB-it, se salla ishte e vulosur prej kohësh. Së fundi u ngujuan në grevë urie. Ministri ishte alergjik ndaj grevave, në atë kohë! I nxori nga skutat në mënyrë agresive, duke i tërhequr rrëshqanthi me policë që nuk kursyen as shkopinjtë e gomës. Ata që kishin parë vitrinave librin e Hygoit “Njeriu që qesh”, e quajtën ministrin fodull “Njeriu që s’di të qeshë”. Edhe qeshja i shndërrohet në një grimasë!
Ky nihilist (për të tjerët), por edhe narcis (për vetveten), le të mos krahasojë aktivitetet e  kohëve të sotme, me konkurrime të rriturish dhe fëmijësh, me numrin e madh të këngëtarëve, valltarëve dhe të shfaqjeve të muzikës së lehtë dhe të asaj klasike. Meqë krahasimet janë të pamundura, le të na botojë një broshurë për të na thënë se ç’është bërë në kohën kur ky drejtonte një dikaster me aktivitet nul. Dhe tani mëton të drejtojë të gjitha dikasteret, si kryeministër, me atë precedent dëshpërues...Në revistën propagandistike me titullin “E vetmja rrugë”,  me numrin e parë dhe të fundit, na ka vënë foto krahasuese me diçiturën dje (me shkronja të zeza) dhe sot (me shkronja të kuqe). Ka harruar të vërë edhe gërmadhat përpara ministrive ku autobusët dhe makinat që vijnë nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” , për të shkuar në bulevardin Zog I, duhet të bëjnë një kthesë djathtas, në rrugën që kalon nga lapidari i Azemit, pastaj duhet të kthejnë te Partizani i panjohur, më tej te rrethoja që të çon në Bibliotekën Kombëtare, më tutje një kthesë prapa Bibliotekës  për të kaluar te shkallët e biletarisë së Operës e, së fundi, merret kthesa djathtas për të hyrë te Bulevardi Zog I, që është vazhdimi i “Dëshmorëve të Kombit”. Ta zësh veshin e djathtë me dorën e majtë, duke e kaluar nga prapa qafës! U dashka shtuar edhe një nen në kodin zgjedhor: “Ndalohen punimet rrugore dy javë para fushatës zgjedhore”!
Përvoja tregon se nenet duhen shtuar së tepërmi: “Ndalohet shpallja e fituesit nga vetë kandidatët dhe nga propagandistët e tyre, përveçse nga organet kompetente ligjore”. “Ndalohen kërcënimet dhe fyerjet e anëtarëve të KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor”. “Ndalohen frazat për të prishur zgjedhjet, me përgjithësime si “vjedhje votash” etj. pa përmendur vjedhësin me emër e me mbiemër, dhe si e qysh u krye kjo vjedhje. Personi i paditur duhet të përfundojë ne prokurorí dhe në gjyq dhe, nëse del i pafajshëm, gjoba rimbursuese nga shpifësi do të jetë kaq e aq  lekë të reja”.
Kemi parasysh precedentin se u përfolën  si të falsifikuara 70.000 karta identiteti biometrike (!), ndonëse nuk u dënua asnjë individ për këtë “falsifikim” që është më i vështirë se falsifikimi i kartëmonedhave!
Fjala “transparencë” është abuzuar tejet në gojën e Ramës. Më transparente se ato të 2011-s nuk ka parë as në ëndërr populli shqiptar. Por Rama i ka përbuzur edhe këto zgjedhje të 8 majit, pa dalë ende rezultatet përfundimtare nga Kolegji Zgjedhor. Nuk është një hamendësí se ai pranon vetëm ato zgjedhje, ku ai të jetë fitues!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›