E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhimbja dhe opiumi pushton kuadrot e betejës së dështuar të Edvinit për Tiranën

07-07-2011 / Nga Ardian Roshniku

Bëhet fjalë për kuadër partie në kohë të reja, por prejardhja është po ajo, e shkuara. Një ndër këto kuadro është Olta Xhaçka, e kthyer në atdhe nga mërgimi i pafat, në shërbim të kauzës së socializmit, e cila në ligjëratën e saj patetike humbjen e kryetarit Rama në Tiranë e quajti “katastrofë kombëtare”. Gjer më sot fjalë aq të dhimbshme patriotike për humbjen e një kolltuku korrupsioni 11 vjeçar, s’na kanë zënë veshët askund. Pas Oltës dëgjuam të flitet për “Betejën e Tiranës” nga bllokmeni i vogël me emrin Blendi e mbiemrin Klosi, pasardhës i klosëve enveristë. Fytyra e parruar dhe e trishtuar e Blendit, na u duk si ajo e mareshalit bonapartist në betejën e Waterloo-së, tek njoftonte Napoleonin për çarjen e madhe, pas mësymjes së papritur të Blucher-it në bashkëveprim me kalorësit dhe artilerinë e Welington-it nga lartësitë e kodrave, ku kalon rruga për në Bruksel. Historia rrëfen: “Jemi në qershor të vitit 1815, të korrat sapo kanë nisur të piqen, por fermerët nuk kanë nisur ende punën, pasi një pjesë e tyre janë fshehur nga frika e ushtrisë, e cila shpesh natën hynte në shtëpitë e tyre për të vjedhur ushqime. Rreshtat e ushtarëve të cilët u afrohen anglezëve, shoqërohen nga daullet dhe topat që gjëmojnë së bashku në të njëjtën kohë, megjithatë në çdo llogore të Napoleonit vihet re një numër i madh të plagosurish, të cilët tentojnë të tërhiqen pas. Në Waterloo, në fushat e grurit, të mbuluara nga avulli dhe tymi, brenda pak çastesh, nuk mund të dallosh asnjë me sy të lirë”. Thonë se pranë Napoleonit në çastet kur po vuante nga dhimbjet e hemorroideve mbërriti i tronditur mareshali me njoftimin: “Madhëri, disfatë! Jepni urdhrin për tërheqje!” Perandori, i menduar, me dylbinë e gjatë vështroi përqark. Së fundi thirri: “Gjithkush të shpëtojë kokën e vet”. Kështu flet historia. Po kryetari i vrenjtur Rama, në këto javë me ndryshime të papritura atmosferike pas humbjes, mos vallë vuan edhe ai nga hemorroidet dhe mjekët vendosin mbi plagët tretësirë opiumi për të lehtësuar dhimbjet e forta?
Megjithatë vjen edhe një lajm i mirë. Bëhet fjalë për pastërtinë e udhëheqjes së partisë. Pas një mungese pak a shumë të gjatë shihet kthimi në shtabin socialist të kuadrit me rëndësi historiko-financiare e ish-ministrit të korruptuar Cac Angjeli. Pra, na u kthye parelliu i pangopur, ose siç u quajt nga dikush, mamuthi i korupsionit ose sipas disa të tjerëve Guliveri i shekullit XXI, me dy këmbë vigane të hapura, njëra në gadishullin Ballkanik, tjetra në Kontinentin Amerikan. Megjithëse i pasuksesshëm në votimet vendore të Tiranës, ai dhe miliarderët e majmur të PS, si njerëz të përkushtuar me gjithë shpirt ndaj halleve të klasës punëtore dhe sidomos xhepave të tyre të thella, duken, tek hyjnë e dalin me gjallëri në selinë e PS, me kokat e zbardhura e trupat prej rondokopësh, të bëshëm tej mase, njëri pas shpinës së tjetrit, të prirë nga më i gjati mbi supet e tyre, kryetari Edvin Kristaq Rama. Vlen të përmendet në këtë rast edhe kuadri tjetër, Ilir Beqja me rëndesë parlamentare, i cili mjerisht humbi mandatin e deputetit për shkak të dashurisë së zjarrtë ndaj parave, sado i edukuar për thjeshtësi nga babi i vet, shoku H. Beqja, propagandisti i shquar marksist-leninist i familjes së madhe socialiste. Nuk duhen harruar as djali i të rreptit shokut Xhelil Gjoni, Ilir vetullziu me deklaratat e kopjuara nga  arkivi i babait, as Ditmiri me shkrime nga dosjet e babushit, sekretarit S. Bushati. Pastaj duhen përmendur Gramoz Ruçi, ish-ministri i brendshëm, trimi i maleve, i patunduri nga istikami komunist, të cilit iu lag baruti më 21 janar. Skënder Gjinushi ish-ministri komunist i arsimit, i njohur për dredhitë e përdredhjet në biseda e intervista, tok me Spartak Ngjelën e përflakur nga familja e një ish-ministri komunist.
Mund të rreshtohen edhe kuadrot nga baza, si pezaku bankier Dash Peza i pallateve në qendër të Tiranës, Erion Braçe i përmalluar për mikrofonin në sallën e Kuvendit, apo këngëtari i festivaleve folklorikeTaulant Balla, që miraton çdo marrëzi të kryetarit si miqtë e Enverit nga Galigati. Për pak harruam Erion Veliajn, të mbetur në mes katër rrugëve pa shoqatë e pa parti. Një nga burrat me thinja, ish-presidenti i Cërrikut të përgjakur, Rexhep Mejdani, i cili mesa duket vuan edhe ai nga hemorroidet, mendon se Beteja e Tiranës u dashka të zhvillohet jo vetëm në Tiranë, por edhe në Strasburg! Apo në Waterloo? Por dukuria më e rrallë e pluralizmit është Partia e Pensionistëve, e themeluar nga kuadrot me stazh të gjatë në Partinë e Punës. Disa çamarrokë e quajnë Partia e Prostatit, shkurt PP. Ndërkohë kryetari humbës i PS, si i mbyturi që kapet nga flokët e tij, ndryshe nga historia kërkoi diçka të ngjashme me përsëritjen e Betejës së Waterloo-së. Kjo sigurisht s’mund të ndodhë kurrë më, sepse pas disfatës, Napoleoni dha dorëheqjen nga froni dhe u largua me anije nëpër oqean.
Pra, këta kuadro që s’kanë të bëjnë aspak me opozitën e vërtetë, janë sulur me tërbim e me shpifje. Mashtrime e kërcënime, kundër vullnetit të shqiptarëve në votime dhe institucioneve juridike, kundër përparimit të Shqipërisë, kundër rrugëve e hidrocentraleve, për sot e nesër. Ashtu si dikur këto syfete kanë dalë hapur edhe kundër  NATO-s, integrimit në Europë dhe bashkëpunimit me biznesmenët e huaj që ndihmojnë vendin tonë me teknologji moderne.
Megjithëse shumë vetë në PS me arsye të shëndoshë mendojnë ndryshe, kuadrot rebelë leninistë sipas kushtrimit të të parëve, orvaten të dalin nga balta e mbytjes dhe kriza e përçarjes së partisë, me metoda të vjetra duke ëndërruar dhe rikthimin e emrit të Partisë së Punës ose Komuniste, për të kryesuar fantazmën e djegur të Internacionales marksiste leniniste.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›