A do të paditet Dritan Prifti?
Sa e sa herë është thënë, se i mençur është ai që nuk e lë veten të gënjehet nga një vendim momental, që jo gjithnjë është i qëndrueshëm, apo nga një qëndrueshmëri vetëm në dukje. Fakti që ca njerëz mbajnë si përfundimtare situatën kohore të disa gjërave, ose rrjedhën e çastit të tyre, më së shumti vjen ngaqë këta njerëz përdëllehen prej efektit të shpejtë, por të shkurtër të një shpëtimi, pa hyrë në brendësi të shkaqeve që mbartin në vetvete pikërisht bërthamën e shndërrimeve të ardhshme. Kështu mund të ndodhë edhe midis nesh, me çlirimin e dikujt prej akuzave për korrupsion, kur nuk ka shtet, se s’ka shumë shtetas. Kështu mund të ndodhë sidomos midis nesh, me llomotitje deklaratash të pabaza, kur s’jepet drejtësi, se të drejtën e ka marrë lumi. Kështu mund të ndodhë veçanërisht midis nesh, kur mashtrimi kthehet në normë, se edhe normave ligjore u kanë kthyer krahët ata që në vend që t’i mbrojnë ato, prej tyre fryjnë xhepat.
Mirëpo, “kur flet Gjykata, të tërë heshtin”, – deshi të thoshte një (alias) përfaqësues ligjor i një ish- Zëvendëskryeministri shqiptar, menjëherë pas shpalljes së vendimit të Gjykatës së Lartë, që e nxori Ilir Metën të pafajshëm nga akuza e ngarkuar ndaj tij për korrupsion aktiv. E nxori të tillë, se “nuk provohet që fakti ekziston” (?!). Kështu u shpreh Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në vendimin e tij arbitrar, ndonëse neni 142/1 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë urdhëron që “Vendimet gjyqësore duhet të jenë të arsyetuara”. Tani na del, veç ca të tjerëve, edhe një mik i Metës, si Spartak Braho, që urdhëron t’u mbyllet goja njerëzve. Por, ja që autori i këtyre radhëve nuk preferon të respektojë porosinë e këtij (alias) përfaqësuesi ligjor, i cili ose nga entuziazmi apo nxitimi, ose nga injoranca apo deliranca, ose nga arroganca apo të gjitha këto bashkë, nuk di çfarë thotë apo harron ç’të thotë.
Le të sqarojmë më së pari, konstatimin e përmbledhur në togfjalëshin e mësipërm, “nuk di çfarë thotë”. Në përgjithësi, vetëm kur flet Gjykata Kushtetuese, të tjerët duhet të heshtin. Duhet të heshtin, sepse vendimet e saj si organ i rishikimit kushtetues, si ‘legjislator negativ’, kanë fuqi erga omnes. Këtë prerogativë kurrsesi nuk mund ta kenë organet gjyqësore të juridiksionit të zakonshëm, në majë të të cilave qëndron Gjykata e Lartë. Vendimet e kësaj të fundit mund edhe të ankimohen në Gjykatën Kushtetuese për proces të parregullt ligjor. Por, në fushën e mbrojtjes së të drejtave themelore dhe lirive të njeriut, ku inkorporohet edhe e drejta për një proces të drejtë gjyqësor, si edhe e drejta për kërkesë individuale, kufijtë e vendit mbeten të hapur, për t’iu drejtuar Gjykatës së Strasburgut.
Prej kohësh është bërë e qartë, se ndihmesa më revolucionare e Konventës Europiane për të Drejtat Themelore dhe Liritë e Njeriut, me organ efektiv Gjykatën me seli në Strasburg, shprehet në përfshirjen prej saj të një dispozite, sipas së cilës një Palë e Lartë Kontraktuese (Shtet anëtar i Këshillit të Europës, siç është edhe Shqipëria) pranon mbikëqyrjen e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në rastet kur ai që fillon procesin është një individ. Ndërkohë, një masë e suksesshme e Konventës është pranimi i detyrueshëm dhe jo me zgjedhje i të drejtës për ankim individual: Të gjitha shtetet që kanë ratifikuar Konventën, midis të cilëve edhe Shqipëria më 1996, tashmë janë automatikisht të detyruara të pranojnë juridiksionin e Gjykatës së Strasburgut për marrjen në shqyrtim të ankesave individuale. Pra, kjo Gjykatë Europiane nuk mund të pengohet në asnjë mënyrë gjatë ushtrimit të funksioneve të veta në fushën që edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e rendit në dy Pjesët e para të saj. Në këtë vështrim, ajo përbën organin superior të të gjitha shkallëve të pushtetit gjyqësor brenda vendit.
Që këtej mund të kalojmë natyrshëm te konstatimi i dytë i mësipërm, “harron ç’të thotë”. Ai (alias) përfaqësues ligjor, pas çdo seance të hetimit gjyqësor të çështjes për korrupsion aktiv në ngarkim të Ilir Metës, jo vetëm që ka paragjykuar vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, por edhe u është shprehur gazetarëve (nëpërmjet tyre, edhe publikut të gjerë) që do të padisnin Dritan Priftin për shpifje, manipulime etj. Mirëpo, më së fundmi, pas dhënies së vendimit ende të paarsyetuar nga brenda ndërtesës së facaduar me kolona të bardha, ai (alias) përfaqësues ligjor nuk përmendi mundësinë e ndonjë padie ndaj atij që u solli Ilir Metës dhe sojit të tij tërë ato andralla njëvjeçare. Aq më tepër që vetë Meta deklaroi i ekzaltuar, se “Drejtësia triumfoi ndaj krimit të organizuar”. Atëherë? Mos ndoshta është ende herët, derisa nuk ka ndodhur publikimi i plotë i vendimit të Gjykatës së Lartë? Apo frika nga bumerangu u zë duart dhe u trash gjuhën atyre, për të formuluar një padi ndaj Dritan Priftit? Më shumë gjasa ka kjo e dyta. Si? Përse? Të shpjegohemi.
Një padi ndaj Priftit do të shqyrtohej përsëri dhe sigurisht nga Gjykata e Lartë, e cila “ka juridiksionin fillestar, kur gjykon akuzat penale kundër...deputetëve...” (neni 141/1 i Kushtetutës). Në përfundim të hetimit atje, një trupë gjyqësore e Kolegjit Penal vështirë të nxirrte të pafajshëm Dritan Priftin, duke kundërshtuar kështu kolegët e të njëjtit Kolegj të të njëjtit institucion. Pra, dënimi i këtij të fundit, pavarësisht masës së dhënë, do ta detyronte deputetin “rebel” që menjëherë t’i drejtohej Gjykatës së Strasburgut, e cila normalisht, jo përjashtimisht, do të kërkonte ekzaminimin e videos – objekt i gjithë çështjes,- nga një studio apo institucion i specializuar i ndonjë prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e raportit të atij ekzaminimi mund ta nxirrte të pafajshëm Dritan Priftin dhe pasojat do të binin më së pari mbi Ilir Metën. Dhe, jo vetëm mbi të. Edhe mbi shtetin, që me arkën e tij copë–copë, sidoqoftë, do të detyrohej të paguante një dëmshpërblim të konsiderueshëm, shlyerjen e të cilit ndoshta do t’i duhej ose ta planifikonte me një borxh të ri, ose me heqjen vizë të ndonjë investimi publik.
Por, hedhja e bumerangut do t’i copëtonte kokën ish- zëvendëskryeministrit Meta, edhe po qe se ai, bashkë me (alias) përfaqësuesin e vet ligjor, dikur do t’i thërrisnin mendjes dhe do të hiqnin dorë nga ajo farë padie. Sepse, nuk mund të quhej çudi, nëse çështja s’do të pengohej që të merrte rrugët drejt Strasburgut. Do të merrte rrugët jo nga Dritan Prifti, por nga një grup individësh, që në bazë të një dispozite të KEDNJ-së mund të ankoheshin në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, me arsyetimin që pasojat e korrupsionit galopant dhe të bërë publik të ish- zëvendëskryeministrit shqiptar kishin rënduar direkt edhe mbi ‘ta. Ashtu sikurse vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë, për t’ia faturuar jo Priftit, por shtetit (domethënë, këtij populli të përvuajtur dhe të skamur) shpenzimet e mëdha të shqyrtimit të çështjes ‘Meta’, qysh nga ekzaminimet e kërkuara prej organit të Prokurorisë. Nejse, le t’i mbyllim këto radhë, me citimin e nenit 34 të Konventës Europiane për të Drejtat Themelore dhe Liritë e Njeriut, sipas të cilit, “Gjykatës (asaj të Strasburgut - shënimi ynë) mund t’i paraqiten kërkesa nga çdo person, organizëm joqeveritar, ose grup individësh, që pretendojnë se janë të dëmtuar nga një shkelje prej një Pale të Lartë Kontraktuese e të drejtave të njohura nga Konventa ose protokollet e saj...”. E pra, a do të paditet Dritan Prifti? Një pyetje kjo ende pa përgjigje.