A do të rinegociohet?

Koncesionimi i parë i një ndërmarrjeje të madhe kosovare duket se do të shkojë keq për shkak të kërkesës së koncesionarit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Limak De Lion, për rinegociim të kontratës që e ka me Qeverinë e Kosovës për 20 vjetët e ardhshme.
Konzorciumi Limak de Lion, në gushtin e vitit 2010 patën nënshkruar kontratën me Qeverinë për koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Burime të gazetës Express tregojnë se konzorciumi turko - francez i ka bërë keq hesapet në ofertën e tyre.
Ata kanë premtuar rreth 100 milionë euro investime, ndërtim të terminalit, ndërtim të një fabrike uji dhe shumë gjëra të tjera, duke përfshirë këtu edhe ndarjen e një pjese të madhe të të ardhurave që ata do t`i nxjerrin nga kjo kompani.
Saktësisht, buxhetit të Kosovës ata i kanë ndarë 39.42 të qarkullimit, e jo të fitimit.
Me tërë këto investime dhe ndarje të fitimeve, duket se koncesionarët nuk do të mund t`ia dalin mirë.
Këto burime kanë treguar se partnerët Limak dhe Lion kanë kërkuar që rinegiociimi i kontratës të shtrohet vetëm në dy pika. Atë të ndarjes së fitimeve vjetore apo mujore dhe investimeve që kanë premtuar.
“Konzorciumi ka dalë me oferta jashtëzakonisht të mira e të lira dhe si duket tash e kanë parë që nuk mund t`ia dalin me këto kushte”, kanë treguar burime të Expressit.
Kërkesat për rinegiociim të kontratës i pati konfirmuar edhe vetë ish-ministri i Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, në një intervistë në Televizioni Klan. Në këtë intervistë, Limaj pati thënë se ka kërkesa për rinegociim të kontratës.
“Tash po flitet edhe për rinegociim të kontratës, por nëse ndodh kjo, atëherë kësaj i vjen vetëm era korrupsion”, tha Limaj.
Expressi ka marrë vesh se disa zyrtarë të Qeverisë po e mbështesin këtë rinegociim. Me këtë qëllim, edhe delegacione kosovare kanë vizituar Turqinë për disa ditë me radhë.
Në saje të këtyre kërkesave edhe po vonohet aterrimi i koncesionarëve në Aeroportin e Prishtinës. Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar se deri më tash nuk ka një kërkesë zyrtare për rinegociim të kësaj kontrate. Ilir Rama, këshilltar për Marrëdhënie me Publikun dhe Investitorë, deklaroi se deri më tash nuk ka një kërkesë zyrtare nga partneri privat.
“Nuk ka kërkesë nga partneri privat për rinegociim të kontratës”, tha ai.
Qeveria e Kosovës pati synuar që përmes investimit të kapitalit privat në Aeroport të sigurojë infrastrukturë moderne, përmirësim të komoditetit, shërbime të klasës botërore, përfitime nga efikasiteti në operim si dhe transparencë të shtuar në operimin dhe financimin e aeroportit. Kosova mendohej se do të përfitonte investim të huaj direkt me vlerë rreth 100 milionë euro si dhe përqindje nga të hyrat bruto të ANP`së.
Oferta e koncesionarit
Konzorciumit Limak-Lion i është dhënë kontrata më 14 maj, pasi që i ka ofruar Qeverisë së Kosovës një mesatare prej 39,42 për qind të të ardhurave bruto në këmbim me të drejtën për koncesion. Prej Limak&Lion është kërkuar që të bëjë investime për të modernizuar dhe zgjeruar aeroportin e Prishtinës, duke investuar mbi 100 milionë euro në infrastrukturë të re, duke përfshirë edhe ndërtimin e një terminali të ri. Gjithashtu nga koncesionari kërkohet të operojë me Aeroportin duke ofruar shërbime të zgjeruara në nivel të cilësisë së lartë.