Engel: Serbia mban të pushtuar veriun e Mitrovicës

Kongresisti amerikan Eliot Engel ka thënë se SHBA-të duhet të jenë pjesë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ka shprehur shqetësimin për atë siç shprehet ai, një lloj tradite në sjelljen e BE-së që shpërblen Serbinë me gjithë faktin se nuk ka bërë asgjë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Engel ka thënë se bisedimet Kosovë-Serbi janë shumë të rëndësishme dhe se BE-ja duhet të jetë e kujdesshme, pasi që personalisht mendon se Serbia e Kosova duhet të hyjnë në Bashkimin Evropian së bashku.
“Kam folur me zyrtarët e administratës Obama dhe të gjithë ata janë dakord se SHBA-të duhet të kenë një rol. Ne duhet të jemi atje për ta ndihmuar Bashkimin Evropian që ta trajtojë Kosovën të barabartë në raport me Serbinë. Unë mendoj se SHBA-të do jenë të pranishme. Nëse kërkohet nga Kosova dhe Serbia që të bëjnë konsesione, Kosova duhet të ketë bindjen se po trajtohet ndershmërisht. Vetëm me Shtetet e Bashkuara të pranishme në dialog, Kosova do ta ketë bindjen se po trajtohet si duhet”, ka thënë ai.
Duke folur rreth asaj se për çfarë konsesionesh bëhet fjalë në këto bisedime, Engel ka thënë se Serbia nuk ka bërë asnjë hap përpara në njohjen e Kosovës dhe se ajo vazhdon të mbajë të pushtuar veriun e Mitrovicës.
“Serbia vazhdon të mbajë të pushtuar veriun e Mitrovicës, ende është armiqësore ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB, duke punuar në këtë drejtim së bashku me Rusinë. Përdora fjalën pushtim pasi Serbia e sheh veriun e Mitrovicës si pjesë të saj e jo të Kosovës”, ka thënë ai.