E Diel, 1 Nëntor 2026

Isufi: Askush nuk guxon t’i fyejë vlerat e UÇK’së

Nga Express më 05 mars 2011 në ora 13:30

Një delegacion i lartë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i prirë nga nënkryetari Ahmet Isufi, në 13-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, ka bërë homazhe te varri i komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari, në Kompleksin Memorial të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në Prekaz.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se në këtë ditë kujtohet lart sakrifica e familjes Jashari, komandantit legjendar Adem Jashari dhe të bashkëluftëtarëve të tij.
Ai ka theksuar se Epopeja e UÇK-së në Prekaz ishte një moment vendimtar dhe kyç në luftën tonë për liri, kurse rënia e komandantit legjendar Adem Jashari ishte kushtrim për t’i shtuar më shumë radhët për çlirimin e vendit.

“Dita që erdhi si rezultat i sakrificave të mëdha dhe kulmoi me ngjarjen e madhe te kombit shqiptar, ngjarjen e marsit, në të cilën, gjatë një lufte të përgjakshme të popullit tonë për liri, nën flamurin e UÇK-së ranë nëpër beteja mijëra dëshmorë, kërkon mobilizim të gjithanshëm në mbrojtje të vendit dhe të nderit tonë, në mbrojtje të vlerave tona, të cilat nuk do të guxojë askush t’i shkelë e as t’i degradojë”, ka thënë Isufi.

Ai ka kritikuar institucionet e vendit se nuk janë duke bërë sa duhet për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe familjet e atyre që sakrifikuan jetën për lirinë që ne sot gëzojmë.

“Kosova e ditëve të sotme, nuk është Kosova e idealeve të dëshmorëve, Kosova e ditëve të sotme, nuk është vendi që garanton dhe mbron vlerat e lirisë dhe të sakrificës madhore të tyre. Andaj, ne duhet të angazhohemi më shumë dhe me më tepër përkushtim në realizimin e porosisë së të rënëve, në mbrojtjen e vlerave dhe të sakrificës së tyre, në këtë kohë kur këto vlera po degradohen, kur këto vlera po cenohen nga njerëz që nuk i përfaqësojnë ato, nga njerëz dhe nga një lidership fyes për këtë luftë dhe për këtë sakrificë”, ka porositur ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›