E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhemajli: Ushtarët amerikanë mbeten promovuesit e idealeve të lirisë

Nga Express më 05 mars 2011 në ora 13:28

Kryetari i komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli, me rastin e vrasjes së ushtarakëve amerikanë në Gjermani, ka ngushëlluar komandantin e forcave amerikane në Kosovë, kolonelin Njuman.

Në një komunikatë nga zyra e kryetarit, thuhet se gjatë një bisede telefonike me komandantin Njuman, kryetari Xhemajli i ka shprehur këtij të fundit në emrin e tij dhe të qytetarëve bashkëndjenjën e dhembjes për humbjen e jetëve të ushtarëve amerikanë në mënyrë mizore, në Gjermani.

Mësohet se i pari i Ferizajt, Bajrush Xhemajli, ka zhvilluar një takim edhe me zyrtarë e KFOR-it amerikan nga Ekipi i Ndërlidhjes. Ai me këtë rast ka dënuar ashpër dhe ka shprehur keqardhje për vrasjen kriminale të dy ushtarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve.

“Ky akt kriminal, është në kundërshtim të plotë me pikëpamjet e qytetarëve të Kosovës rreth botëkuptimit për lirinë dhe vlerat demokratike, pararendëse dhe kultivuese e të cilave është pikërisht SHBA-ja”, ka thënë ai.

Në mënyrë të veçantë, kryetari Xhemajli ka ngushëlluar dhe është solidarizuar me dhembjen e personelit ushtarak të bazës në Bondstil, duke ritheksuar se ushtarët amerikanë, kanë qenë, janë dhe do të mbeten promovuesit dhe kultivuesit e idealeve të lirisë, pavarësisë e sigurisë së Kosovës dhe ka siguruar komandantin e Bonsteel-it për mbështetjen e vazhdueshme që të do ta kenë edhe në të ardhmen në përmbushjen e misionit fisnik të tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›