Prioritetet e Bujës
Insistimi ynë është që të arrijmë vendet e Evropës dhe vendet më të avancuara të nivelit arsimor, por për rajonin them që nuk jemi keq, madje diku jemi edhe përpara. Kjo nuk na kënaq, përkundrazi na bënë të jemi më të motivuar për të punuar që t’i kalojmë vendet e rajonit, ka thënë në një intervistë për Kosovapress ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) Ramë Buja.
Kosovapress: Zoti Buja, ju keni marrë postin e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Cilat janë prioritetet tuaja në këtë fillim të punës?
Buja: Jam i privilegjuar që kam marr një ministri të tillë që e kam dashur më së shumti dhe po të më kishte pyetur dikush paraprakisht se cilën ministri do të udhëheqje nuk do të zgjidhja tjetër dhe kjo është një mundësi plus për t’u angazhuar seriozisht dhe me tërë kapacitetin tim. Në këtë ministri është punuar mjaft shumë dhe është punuar në atë segment që është dashur fillimisht, në infrastrukturën teknike shkollore dhe tash ka mbetur shumë më pak se sa që ishte më herët dhe unë jam i lumtur që është kështu dhe tash orientimi im dhe i stafit tim do të jetë kryesisht në rritjen e cilësisë mësimore edukative në Republikën e Kosovës.
Kosovapress: Postin prej ministri nuk e quajtët si një funksion, por si një mision, megjithatë ky mision nuk është edhe aq pa sfida e probleme. Do të vazhdohen projektet e nisura, apo do të ketë edhe ndryshime?
Buja: Avancimi nuk vihet në dilemë. Ndryshimet do të jenë në kuptimin cilësor dhe përparues, por do të vazhdohen ato, të cilat kanë mbetur përgjysmë dhe kur të mbarohen do të shohim mundësinë dhe mundësitë janë që ato të dërgohen përpara. Atë që ju thatë se arsimin e kupton si mision e jo si profesion është e vërtetë dhe unë mendoj se këtë detyrë, nëse dikush e quan detyrë është gjithmonë mision, sepse nëse ne do të arrijmë që të shkojmë deri te caku i synuar që Kosovën ta barazojë me vendet më të zhvilluar në aspektin arsimor të botës, ne kemi realizuar këtë mision ose kemi përafruar realizimin e këtij misioni. Unë besoj që nëse i marrim shembujt më të përparuar botëror e që jemi duke i marrë dhe instalojmë, por nuk mund t’i instalojmë shumë shpejt, atëherë do ta përafrojmë realizimin e këtij misioni.
Kosovapress: Udhëheqja e mëhershme u fokusua në ndërtimin e shkollave, megjithatë ende kemi një numër të madh të nxënësve nëpër shkolla, gjë e cila ndikon në cilësi. Cili do të jetë fokusimi juaj në këtë drejtim?
Buja: Për plotësimin e këtyre nevojave teknike do të vazhdojmë për të realizuar, në mënyrë që mos të ketë më shumë ndërrime në shkolla, në mënyrë që të arrijmë rritjen e cilësisë. Objektiv yni numër një në këtë fazë të qeverisjes do të jetë ngritja e cilësisë në të gjitha nivelet, e cila nuk mund të mendohet nëse infrastruktura teknike nuk është në nivelin e dëshiruar.
Kosovapress: Me t’u marrë vendimi për rritjen e numrit të studentëve, e njëjta gjendje është edhe nëpër universitete. Çfarë planesh keni në këtë drejtim, do të ndërtohen fakultete tjera, do të zvogëlohet numri i studentëve, apo do të ketë edhe ndryshime të orarit të ligjëratave?
Buja: Të gjitha këto gjëra duhet të preken nga pak për ta plotësuar objektivin tonë, pasi që në fakt unë kam qenë edhe vetë kritikues që të regjistrohen një numër aq i madh në universitetet publike ose në Universitetin e Prishtinës, për faktin se cilësia ka rënë dhe tash nuk mund të them që mund t’ia marr dikujt të drejtën për t’u shkolluar, larg asaj, por të shikojmë edhe anën e cilësisë, sepse nuk mund të nxjerrim kuadro sa për të nxjerrë, sa për të qenë me diplomë të caktuar, por ne duhet të ngritur nivelin cilësor të diplomës që njerëzit marrin këtë diplomë dhe natyrisht se kjo gjë do të duhej të bënte edhe me anën e mundësisë fillestare të krijimit të infrastrukturës teknike, por edhe asaj të kuadrove, pedagogjike, organizative e të tjera. Duhet kërkuar punë, angazhim dhe një rregull e disiplinë më të lartë në mënyrë që cilësia të jetë e nivelit të dëshiruar.
Kosovapress: A do të rishikohet numri aktual i studentëve në universitete publike dhe a pritet të ketë ndryshime në këtë drejtim ?
Buja: Nuk mund të them përgjigjen e saktë, për faktin se ne do të bëjmë përllogaritjet tona dhe të shohim mundësitë teknike dhe kuadrove se si janë për të bërë një regjistrim të studentëve solid, optimal, por jo absolutisht të stërngarkuar në mënyrë që të bie cilësia.
Kosovapress: Studentët nuk janë edhe aq të kënaqur me udhëheqjen e Universitetit të Prishtinës. Kohë më parë pamë edhe skena që shprehen pakënaqësi ndaj udhëheqëses së UP-së, por edhe ndaj rritjes së semestrit. Sipas mendimit tuaj duhet të ketë ndryshime në udhëheqjen e UP-së?
Buja: Ne do të shohim mundësitë tona ligjore dhe do të jemi në kuadër të mundësive ligjore që mos të qesim gishtin aty ku nuk e kemi vendin për të prekur dhe nuk do ta bëjmë këtë, por atë mundësi që kemi ligjërisht ne do ta bëjmë në kuadër të një ndihme organizative dhe mësimore.
Kosovapress: Sipas juve duhet apo nuk duhet të ketë rritje të çmimit për semestër ?
Buja: Jo, ju lutem! Ne e dimë nivelin e mundësisë financiare si e kemi, andaj kur është çështja te çmimeve të caktuara duhet pasur shumë kujdes, sepse duhet të proporcianalizohet me mundësinë që kemi. Këto gjëra duhet parë dhe analizuar me një peshore të veçantë, në mënyrë që mos të gabohet për të krijuar pakënaqësi.
Kosovapress: Një gjë shumë e rëndësishme për arsimin në Kosovë është edhe cilësia. Shpesh kemi pas komente të ndryshme rreth kësaj çështjeje. Sipas jush, ku jemi dhe nga është duke shkuar Kosova në këtë drejtim ?
Buja: Është pak e vështirë për të dhënë përgjigjen e saktë. Nuk jemi të fundit, por nuk jemi as të parët, kështu që synimi ynë është që dijen, shkencën dhe të arriturat tona duhet t’i avancojmë më shumë dhe këtu nevojitet një përkushtim i veçantë organizativ, përndryshe do të ecim ngadalë.
Kosovapress: Sa do të punohet në uljen e shkallës së braktisjes së shkollave dhe pse nuk zbatohet ligji për ata prindër që i tërheqin nxënësit e tyre nga shkollat?
Buja: Është e kuptueshme pse nuk është ndërmarrë diçka ligjore, sepse kanë qenë disa prioritete tjera me të cilat është dashur të merret ministria dhe nivelet tjera të organizimit arsimor nëpër komuna dhe tani besoj që disa gjëra janë bërë. Tash do të merremi me gjëra tjera prioritare, sepse në fakt lënia e shkollës së fëmijëve në Kosovë meriton më shumë vëmendje.
Kosovapress: A mund të lavdërohemi se kemi një arsim që mund të krahasohet me vendet evropiane?
Buja: Insistimi ynë është që të arrijmë vendet e Evropës dhe vendet më të avancuara të nivelit arsimor, por për rajonin them që nuk jemi keq, madje diku jemi edhe përpara. Kjo nuk na kënaq, përkundrazi na bënë të jemi më të motivuar për të punuar që t’i kalojmë vendet e rajonit, në mënyrë që t’i sfidojmë për të ecur edhe ato krahas nesh.
Kosovapress: Për fund desha të ndalem te çështja e rritjes së pagave. Besoni që do të ketë mundësi që rritja të bëhet me përqindjen që është premtuar, duke pas parasysh Fondin Monetar Ndërkombëtar?
Buja: Vendimi i Qeverisë nuk do të kthehet mbrapa. Përqindja e premtuar do të realizohet, defekti i mos realizimit e njohim bashkë, sepse buxheti i Kosovës akoma nuk është aprovuar në Kuvend dhe pasi të aprovohet buxheti jam shumë i sigurt që kjo çështje do të realizohet.