A do të shkarkohet Ahmadinejadi?
Lufta për pushtet në Iran, ndërmjet presidentit Mahmud Ahmadinejad dhe Liderit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, po përshkallëzohet gjithnjë e më tepër.
Sulmet e reja nga parlamenti, kërcënimet për shkarkim dhe arresti edhe i një aleati të nivelit të lartë të Ahmadinejadit, po e ngritin temperaturën politike në këtë vend.
Gjatë kësaj jave, parlamenti i Iranit e ka filluar procedurën për shkarkim të ministrit të Jashtëm, Ali Akbar Salehi, lidhur me emërimin e zëvendësit të tij, Mohamad Sharif Malekzadeh, i cili ishte detyruar të paraqes dorëheqje pas vetëm tri ditësh në pozitën e re, pasi ishte arrestuar për shkak të akuzave për korrupsion.
Më tutje, parlamenti i Iranit e kishte refuzuar kandidatin e presidentit Mahmud Ahmadinejad, për ministrinë e re të sportit dhe të rinjve, duke thënë se kandidatit Hamid Sajadi “i mungonte përvoja”.
Parlamenti, po ashtu, ka paraqitur veto në vendimin e Ahmadinejadit për bashkimin e ministrisë së naftës dhe asaj të industrisë.
Duket sikur këto tri veprime nuk ishin goditje e mjaftueshme kundër Ahmadinejadit, kështu që anëtarët e parlamentit i fishkëllyen kolegut të tyre, që ishte përpjekur ta përcjellë Ahmadinejadin te dera e parlamenti, duke e detyruar deputetin fatkeq që përsëri të kthehet në vendin e vet.
Kjo ishte një pamje krejtësisht e kundërt me atë të para disa muajve, kur Ahmadinejadi ishte pritur përzemërsisht nga ligjvënësit.