Një çift i martuar kryen sulm vetëvrasës në Pakistan
Talebanët e Pakistanit pretendojnë se një çift i martuar kanë kryer një sulm në një stacion policor, në fundjavën e kaluar, pretendim ky i pare i këtij lloji.
Zëdhënësi Ehsanullah Ehsan, duke folur për Agjencinë France Press, i ka identifikuar sulmuesit vetëvrasës si “uzbekë” dhe ka kërcënuar se në të ardhmen do të ketë sulme tjera të çifteve burrë-grua.
Policia e Pakistanit ka konfirmuar se një grua ka hedhur veten në erë, gjatë një sulmi mbi një stacion policor, në të cilin mbetën të vrarë 10 policë.
Zyrtarët pakistanezë kanë thënë se 6 sulmues janë vrarë gjatë luftimeve.
Në ndërkohë, ambasada britanike në Islamabad tha se Pakistani i ka kërkuar Londrës që të tërheqë “përkohësisht” disa nga trajnerët të vetë nga Pakistani.
Armata pakistaneze ka qenë nën trysni serioze, për të riafirmuar sovranitetin e shtetit
pas vrasjes së Osama Bin Ladenit në Pakistan. Pas vdekjes së shefit të Al Qaedes, Pakistani raportohet se i ka kthyer në shtëpi, të paktën 120 trajnerë ushtarakë amerikanë.
“Guardian” ka raportuar se Pakistani ka dëbuar të paktën 18 këshilltarë ushtarakë britanikë, që gjendeshin në bazën ushtarake në Quetta.