A do të votohet në Kosovë për zgjedhjet serbe?
Zgjedhjet e fundit ne Kosove
Autoritetet jane ne dileme. Teksa Serbia pritet te shkoje ne zgjedhje te parakoheshme, a do te lejohen perseri serbet lokale qe te hedhin voten per nje shtet tashme te huaj?
Autoritetet ndërkombëtarë në Kosovë thonë se janë duke pritur qëndrimin e Beogradit për të vendosur më pas mbajtjen ose jo të zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme të Serbisë në rajonet e banuar nga serbët. Zëvendëszëdhënësi i misionit të Kombeve të Bashkuara, Russell Geekie, i tha “Korrierit” mbrëmë, se UNMIK-u pret më parë një kërkesë të mundshme nga autoritetet serbe përpara se të japë përgjigje nëse do të lejojë ose jo mbajtjen e zgjedhjeve. Serbia do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi kryeministri Voisllav Koshtunica njoftoi se koalicioni i tij qeveritar nuk mund të funksiononte më. Aleatët brenda këtij koalicioni nuk ranë dakord për dy çështje kryesore: qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës dhe ndaj integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Zgjedhjet parlamentare pritet të mbahen më 11 maj, në një ditë me zgjedhjet vendore (data e së cilave ishte caktuar më parë), megjithëse presidenti Boris Tadiç nuk ka bërë ende zyrtarisht të ditur se kur do të zhvillohet procesi i përgjithshëm. Pavarësisht se kur do të mbahen këto zgjedhje, pyetja që lind është a do të mbahen ato gjithashtu në territorin e Kosovës, në zonat me shumicë serbe, siç janë zhvilluar gjatë këtyre 9 vjetëve, tani që Kosova është shtet i pavarur. I pyetur nga “Korrieri”, dy herë radhazi, Russell Geekie tha se UNMIK-u nuk ka marrë ende një kërkesë nga Beogradi lidhur me organizimin e zgjedhjeve parlamentare edhe në Kosovë. “Vetëm pasi të kemi marrë një kërkesë të tillë, UNMIK-u mund të japë një qëndrim zyrtar lidhur me këtë çështje”, - u shpreh ai për “Korrierin”. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ashtu si Korniza Kushtetuese e Kosovës, nuk e lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, e cila ndodhej nën administrimin e OKB-së deri në 17 shkurt, kur u shpall pavarësia. E megjithatë, UNMIK-u nuk e ka penguar asnjëherë në këto 9 vjet Serbinë që të mbajë zgjedhje në zonat me shumicë serbe në Kosovë, e madje edhe politikanët serbë që të bëjnë fushatë brenda në territorin e Kosovës. Zëvendëszëdhënësi i UNMIK-ut, Geekie, na premtoi se do të na jepte një përgjigje më të saktë brenda pak ditësh, lidhur me pyetjen tonë “Nëse Misioni i Kombeve të Bashkuara do të lejojë kësaj here mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë?” UNMIK-u është i vetmi që mund të pengojë Beogradin që të mbajë zgjedhjet serbe brenda territorit të Kosovës, megjithëse ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i qeverisë së Kosovës ndaj një pretendimi të tillë nga Serbia. Në zgjedhjet e fundit presidenciale serbe, kur gjatë fushatës elektorale presidenti Boris Tadiç vizitoi Kosovën, kryeministri kosovar Hashim Thaçi u shpreh se ai do të ishte politikani i fundit serb që bënte fushatë në Kosovë. Nëse lideri i PDK-së do t’i mbahet deklaratës së tij, Beogradi nuk do të lejohet të bëjë fushatë kësaj here në territorin e shtetit të pavarur të Kosovës. Veriu i Kosovës është banuar nga serbë, të cilët refuzojnë të njohin pushtetin e qeverisë së Prishtinës dhe refuzojnë të njohin pavarësinë e shpallur në 17 shkurt. Shtajnmajer: Serbët e Kosovës nuk duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë Kështu ka deklaruar, mes tjerash, ministri i Jashtëm gjerman, Frenk Valter Shtajnmajer, pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, duke argumentuar se ky grup popullsie i përket tashmë shtetit të Kosovës. Por Beogradi pretendon se zgjedhjet duhet të zhvillohen edhe në Kosovë, pasi ajo është një territor serb. Sipas DW, Shtajnmajer shprehu frikën se gjatë fushatës së ardhshme elektorale politikanë të caktuar serbë do të shprehin sërish tonet nacionaliste, të cilat mund të tensionojnë edhe më shumë situatën. “Një gjë e tillë mund bëjë, që në përgatitje e sipër të zgjedhjeve të përshkallëzohen tonet nacionaliste, duke tentuar sërish për të arritur në veri të Kosovës, ku padyshim arrin krahu i zgjatur serb”, tha ministri i Jashtëm gjerman.